Koncert solistik në Shkup i virtuozit me famë botërore Petrit Çeku

Virtuozi me famë botërore, Petrit Çeku në kuadër të Festivalit për muzikë bashkëkohore MODAROS 2016, sonte përmes tingujve magjik të kitarës në Teatrin Kombëtar të Maqedonisë do të mbajë koncert solistik. Pas performancave në Moskë, Panama, Zagreb, Vjenë dhe Korenë e Jugut publiku në Maqedoni ka mundësi ta dëgjojë drejtpërdrejt performancën e një artisti me kalibër botëror. Mysafirë të kësaj ngjarje të madhe muzikore janë Toni Kitanovski – kitarë elektrike dhe Ema Popivoda – piano.

Çeku është i lindur në vitin 1985 në Prizren ku ka përfunduar shkollën fillore të muzikës në klasën e prof. Luan Sapunxhiu. Në vitin 2002 zhvendoset në Zagreb, ku e vazhdon shkollimin muzikor. Është fitues i çmimit të parë të garës mbarëkorate në Dubrovnik në vitin 2003 dhe i garës ndërkombëtare për kitaristë “Ana Amalia” në Vajmar. Gjithashtu është fitues i garës “Emilio Puzhol” në Sasari të Italisë si dhe i asaj gjermane “Andre Segovia” në Felbert. Në vitin 2004 e prezenton Kroacinë në “Çmimin muzikor evropian për të rinj” në Dubrovnik. Me fitoren e Pitalugës, garës në Aleksandri të Italisë në vitin 2007, Çeku bëhet një prej kitaristëve udhëheqës së gjeneratës së re.

Çeku krahas koncerteve solistike ka performuar si solist edhe me orkestra simfonike prestigjioze si Filarmoninë e Çekisë, Orkestrën simfonike të Malibus – Kaliforni, Simfoninë e Baltimorit, Orkestrën e Shën Petërburgut, Filarmoninë e Zagrebit etj. Ka bashkëpunuar edhe me atraksionin muzikor botëror „Two Cellos„ si dhe ka incizuar CD për produksionin Naxos dhe produksionin spanjoll Eudora. Biletat mund të blihen nëpërmjet ueb-faqes mktickets.com dhe në pikat e tyre (mktickets) të shitjes. Koncerti mbështetet nga Ministria e Kulturës së Maqedonisë, “Johnny Walker”, Bushi Resort dhe Okta.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button