Raporti: CIA ka ndihmuar në vrasjen e liderëve të FARC-ut

Agjencia amerikane CIA ka refuzuar të bëjë komente lidhur me një raport të ri, sipas të cilit agjencitë e Shteteve të Bashkuara, në mënyrë sekrete, i kanë dhënë qeverisë së Kolumbisë ndihmë teknologjike dhe të inteligjencës, për vrasjen e disa liderëve të grupit kryengritës majtist, Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë, të njohur me shkurtesën FARC.

Për këtë çështje ka raportuar e përditshmja Washington Post, duke cituar intervistat me më se 30 zyrtarë aktualë dhe të dikurshëm të Shteteve të Bashkuara dhe të Kolumbisë.

Raporti thotë se programi ka ndihmuar në degradimin e konsiderueshëm të kapaciteteve të FARC-ut, duke çuar në bisedimet paqësore me qeverinë, që po zhvillohen aktualisht.

Sipas raportit, programi sekret fillimisht ishte autorizuar nga ish-presidenti George Bush i riu dhe ka vazhduar nën presidentin Barack Obama.

Raporti thotë se programi është financuar në mënyrë sekrete dhe se ishte ndarë nga ndihma prej 9 miliardë dollarësh amerikanë, që Shtetet e Bashkuara në mënyrë publike ia kanë dhënë Kolumbisë.

Lajme të ngjashme

Back to top button