Ja se çfarë thotë Ali Ahmeti për zgjedhjet dhe krizën politike në Maqedoni (VIDEO)

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti i ftuar mbrëmë në emisionin “ClickPlus” në TV21, ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij, ftesës së bërë nga Brukseli për bisedime në Vjenë të katër liderëve.

“Nuk do dëshiroja që të bëjmë si në Bruksel dhe të kthehemi kokë-ulur pa një marrëveshje. Ishim në Bruksel, nuk arritëm të dakordohemi, nuk dua të ndodhë kjo edhe në Vjenë. Jam edhe në pritje edhe nesër, ftesa ka ardhur, sigurisht se pjesëmarrja nëse janë dakorduar edhe të tjerët, por nuk do i shmangem ftesës së Hanit dhe eurparlamentarëve”, ka deklaruar Ahmeti.

Ahmeti diskutoi edhe për datën e zgjedhjeve, një herë më 24 prill e më pas edhe 5 qershor, për t’i dhënë një shans edhe KSHZ-së edhe opozitës, pra me kusht që të mos ketë kërkesë edhe një shtyrje tjetër.

Kreu i BDI-së përkujtoi se edhe më herët ka thënë se nuk kanë hipoteka dhe as janë vasal apo dorë e zgjatur e dikujt.

“Ne kemi program dhe platformë tonën që e miratojmë para elektoratit dhe i dalim zot asaj platforme që të jemi pjesë e zgjidhjes së problemit e jo nxitës e flakëvënës”, tha ndër të tjera Ahmeti.

Analisti Blerim Reka në ndërhyrjen e vet tha se Marrëveshja e Përzhinos është e vdekur, por lideri i  BDI-së i është përgjigjur se ky argument nuk qëndron përderisa institucionet e dala nga kjo marrëveshje ende funksionojnë, siç është rasti me Prokurorinë Speciale.

“Marrëveshja e Shkupit nuk është e vdekur, ne i kemi kërkuar Ivanovit, të ashtuquajturit president, të tërheq vendimin e tij, jemi pjesë e qeverisë pasi kemi legjitimitetin e shqiptarëve dhe do t’i dalim zot platformës sonë, tha Ahmeti, duke shtuar se një marrëveshje e re kërkon kohë, por edhe bart rreziqet e veta.

Ahmeti tha se ata duhet në Vjenë ta rikonfirmojmë Marrëveshjen e Përzhinos dhe të insistojmë që Ivanovi ta tërheq vendimin e papërgjegjshëm.

“Kriza po zgjat shumë kohë dhe pasojat në ekonomi tashmë po duken, që nga investitorët e huaj e deri të bujqit e rëndomtë, tha lideri i BDI-së”.

Për problemin e shpërndarjes të Buxhetit, kryetari i BDI-së tha se ekipi i programit po bën një studim lidhur me këtë çështje dhe premtoi se shumë shpejtë do të dalin me shifra dhe projekte konkrete.

Edhe problemi i përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe ngelet për t’u zgjedhur, por me ndihmën e ekspertëve të huaj propozim ligji po shkon drejt përfundimit.

Ai, lidhur me debatin me kundërshtarët politikë, tha se asnjëherë nuk i ka ikur debatit, por nuk ka pasur deri tani debat mes tij dhe Thaçit për shkak se kohërat kanë qenë të tilla dhe nuk ka investuar për përplasje mes shqiptarëve.

“BDI ka kontribuar që shqiptarët pavarësisht se kujt partie i takojnë le të respektojnë parimet e përgjithshme demokratike, por kjo nuk ka ndodh për fat të keq dhe në veçanti një hije të keqe u dha në 2008 me të vrarë. Çdo parti tjetër, e tretë, dëmton dhe i dobëson shqiptarët, i bën të parëndësishëm. Në këtë vend nuk ka hapësirë për më tepër se dy parti”, ka përfunduar Ahmeti.

Ahmetit nuk i ka ikur që ta përmend edhe deklaratën e tij të vjetshme, kur ka thënë që “nuk është larg Maqedonia nga Ukraina”.

“Bëhen gati 14 muaj që kur unë bëra një deklaratë që për shumë politikanë e analistë ishte paksa qesharake kur thash se Ukraina nuk është larg, kjo deklaratë nxiti reagime nga faktorët e brendshëm dhe të jashtëm. Qëllimi im ka qenë që pasojat të janë sa më të vogla dhe ne të jemi më të suksesshëm në menaxhim me situatën, për shkak se kishim situatë kur opozita braktisi parlamentin e më pas me publikimin e përgjimeve u desh ndërhyrja e Brukselit pas ftesës së BDI-së”, u përgjigj Ahmeti në pyetjen e analistit Blerim Reka në lidhje me atë se a do të merr pjesë në zgjedhje BDI.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button