Viti 2014: Zgjedhje, largim i të rinjve-çfarë na pret?

Vit zgjedhor në të cilin partitë përsëri do të vihen në test. Ka mundësi të ndodhin ndarje brenda-partiake e poashtu të theksohet ndarja ndëretnike dhe religjioze. Edhe në vitin 2014 Maqedonia hyn si vend që është jashtë integrimeve euroatlantike, që në mënyrë të drejtpërdrejtë do të ndikojë në stabilitetin e gjithëmbarshëm politik dhe ekonomik. Optimizmi që qeveria e projektoi për vitin ekonomik 2014 do të jetë cak i rreziqeve të brendshme dhe të jashtme. Nëse pushteti te investitorët e sheh gjeneratorin e rritjes ekonomike – atëherë duhet të tërhiqet nga politika qëndrimit “diskriminues” ndaj biznesmenëve vendorë. Këto janë një pjesë e vlerësimeve, rreziqeve dhe përparësive të ekonomistëve dhe biznesmenëve për vitin që vjen.

Ku është kursi i Maqedonisë pa BE-në dhe NATO-n?
Në prag të vitit të ri 2014, Maqedonia futet me probleme të vjetra. Jashtë integrimeve euroatlantike, edhe vitin e ardhshëm do të testohet stabiliteti politik dhe ekonomik i vendit, vlerësojnë analistët.

“Konfliktet e brendshme etnike dhe për fat të keq, gjithnjë e më shpesh edhe ato fetare, pastaj konfliktet partiake, e në modë janë edhe konfliktet brenda-etnike në patriotë dhe tradhëtarë, sipas meje do të ishin rreziqet e brendshme në vitin 2014. Mendoj se viti i ardhshëm do të jetë edhe vit kur partitë do të dështojnë nga brenda, për shkak se nuk mund të financohet ky konglomerat. Numri i të pakënaqurve nga radhët e brendshme partiake do të rritet që do të rezultojë me fraksione, gjegjësisht klane që do të përleshen njëri me tjetrin. Një problem që e kemi dhe që do ta kemi gjithnjë e më shpesh është emigrimi i të rinjve, të cilët perspektivën e tyre do ta kërkojnë jashtë Maqedonisë që do të ketë pasoja afatgjate. Në fund, problemi me emrin dhe problemi gjithnjë e më i pranishëm me Bullgarinë do ta shënojnë edhe 2014”, thotë analisti Visar Ademi.

Në fotografinë e madhe për vendin, çështja kyçe për anëtarësinë e Maqedonisë në BE dhe në NATO mbetet pa përgjigje.

“Nuk dua që të duket si deklaratë politike, por nuk mund të mos e përmend faktin se Maqedonia edhe më tej është para dyerve të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s, që do të thotë se pengesat për investimet e huaja do të mbesin edhe më tej”, vlerëson profesori universitar, Taip Jakupi.

Edhe komuniteti afarist kërkon zgjidhjen e çështjes së emrit.

“Rreziku më i madh për vitin e ardhshëm, jemi vetë ne, gjegjësisht hapat që do t’i ndërmarrë qeveria. Por fokusi duhe të orientohet në dy drejtime, e para përmirësimi i kushteve të jetesës në vend për të gjithë njësoj, e kjo do të nënkuptojë edhe zhvillim të barabartë rajonal, dhe e dyta duhet të gjejmë zgjidhje për kontestin e emrit me Greqinë. Jemi tepër të vogël si vend që të jemi të vetëpëlqyer dhe të çojmë inat. Një gjë e di, nëse nuk arrijmë ta tejkalojmë vetëveten, dhe nëse vetë nuk gjejmë ndonjë zgjidhje të pranueshme për të dyja palët, atëherë me siguri atë do të na e gjejnë të tjerët, e ajo do të jetë më pak e pranueshme për ne, vetëm se atëherë askush nuk do të na pyesë, ne do të duhet vetëm ta zbatojmë atë”, thotë Arben Halili nga Oda Ekonomike e Maqed?nisë Veriperëndimore.

Matematikë argëtuese ose rezultate ekonomike reale pozitive?
Mirë është që qeveria projektoi dhe pret trende pozitive ekonomike në vitin 2014, por çështje tjetër është se sa ato janë të realizueshme dhe në çka do të mbështeten, vlerësojnë biznesmenët dhe ekonomistët.

“Për mua, viti 2014 do të jetë vit i këndelljes së ekonomisë vendore, stabilizimit të saj që të mundet diku pas gjysmës së dytë të vitit 2014, të tregojë rezultate më konkrete. Rritja prej 3,2% është ambicioze për këtë vit, por shtrohet pyetja se sa është reale. Nëse nisemi nga llogaritja se ajo doli nga minusi, le të themi prej -2% , me rritjen në 3,2% realisht ajo do të jetë 1,2%.  Kjo është një matematikë pompoze, me të cilën deri tani lehtë është manipuluar opinioni. Me përmirësimin e stabilitetit ekonomik, me daljen nga minusi të rritjes ekonomike, keqpërdorimi i këtyre numrave do të jetë gjithnjë e më i vështirë. Prandaj, besoj se të gjithë faktorët që janë të prekur nga gjendja ekonomike, më tepër kujdes duhet t’i kushtojnë përmirësimit të kornizës ligjore, klimës ekonomike në vend, përkrahjes për hyrje në tregje të reja për kompanitë, dhe atëherë numrat pozitivë do të vijnë vetëvetiu”, thotë Halili nga OEMVP-ja.

Viti 2014 do të jetë vit i zgjedhjeve e edhe veprimet ekonomike do të jenë “zgjedhore”, vlerësojnë analistët.  

“Nëse merret parasysh se hyjmë në vit zgjedhor, ku do të ketë edhe më tepër punësime partiake dhe prerje shiritash për ndonjë projekt fshati ose lokal, nuk pres ndonjë përparim të madh”, thotë analisti Ademi.

Si gjenerator i rritjes ekonomike në vitin e ardhshëm, sipas qeverisë, duhet të jenë investimet, ato huaja dhe ato kapitale, që do të financohen nga buxheti. Mu ato janë atuja kryesore e qeverisë për rritjen e projektuar ekonomike prej 3,2%. 

“Theks të veçantë do të doja t’u jepja investimeve të brendshme. Kur flas për ato, mendoj në krijimin e ambientit afarist, ku iniciativa sipërmarrëse do të kultivohet nga ana e institucioneve qeveritare jo vetëm me deklarata. Në rajonin e Shkupit, shumica e zonave industriale mezi se ia dalin në skaj me nevojat elementare, siç janë infrastruktura rrugore, energjetike dhe ajo komunale”, thotë profesori Jakupi dhe shton:

“Treguesit makroekonomikë që i parasheh qeveria me buxhetin tashmë të miratuar në Kuvend, në qoftë se realizohen gjithsesi se do të japin impuls pozitiv në rrjedhat afariste gjatë vitit të ardhshëm. Investimet kapitale gjithsesi janë shtytës i çdo ekonomie, veçanërisht ndërtimtaria, e cila për shembull në ekonominë amerikane paraqet lokomotivë për shumë sektorë të tjerë. Por duke u nisur nga fakti se ekonomia jonë është e varur nga importi, nuk mendoj se efekti do të arrihet maksimalisht”, thotë Jakupi.

Sipas qeverisë, projekt kyç infrastrukturor vitin e ardhshëm do të jetë ndërtimi i dy autostradave, në lindje Milladinovci – Shtip dhe në perëndim, Kërçovë – Ohër. Sipas biznesmenëve, efektet e tyre do të ndjehen në vitet që vijnë.

Aneta Dodevska, Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button