Basha: Këto ishin 100 ditët e zeza të qeverisë

I menjëhershme ka qenë reagimi i kreut të PD-së, i cili ka hedhur akuza ndaj punës së bërë nga qeveri e re në 100 ditë.

Kreu i PD-së, Lulzim Basha në një deklaratë për mediat tha se, kjo është e vetmja qeveri në botë që duke shënuar 100-ditshin nuk mund të thotë dot se, çarë ka bërë por se çfarë ka zhbërë.

“Duke u sjellë si një formacion pushtues ekzekutivit të Edi Ramës i vjen era barot dhe nuk ka asgjë të mirë për të shënuar. 100 ditë nuk janë shumë por janë të mjaftueshme për të dhënë një shenjë pozitive, një frymëzim, një akt çlirimi që do të sillte një frymëzim në ekonomi apo një kurs zhvillimi. E kundërta ka ndodhur. Çdo shqiptar ndihet dhe jeton sot më keq përveç qeveritarëve dhe më e rënda është se Edi Rama ka goditur shpresën e tyre. Në të gjitha ballafaqimet në këto 100 ditë Edi Rama është refuzuar. I tha jo rinia para zyrës së tij, i tha jo Gjykata Kushtetues, i tha jo Bashkimi Europian. Ende pa kaluar në vitin tjetër ka humbur tre herë konsensusin më të rëndësishëm, të rinisë dhe të qytetarëve të lirë të këtij vendi, të ligjit dhe të familjes europiane. Kush e kishte menduar që një kryeministër mund të kishte një bilanc kq negativ në 100 ditë? As ne që e njohim Edi Ramën”, tha Basha.

Rama i nisi 99 ditët dhe po i mbyll me kodin e heshtjes, tha shefi i demokratëve, ndërsa akuzoi kundërshtarin e tij politik se po nënshtron çdo institucion të pavarur.

“E nisi dhe e mbylli me kodin e heshtjes. E nisi me shkelje të ligjit dhe po e mbyll me shkelje. E nisi me kërcënime dhe po e mbyll me shantazhe. Premtoi në fushatë rend dhe siguri, por policinë e ka bërë një detashment partiak. Brenda një nate pezulloi dhe përjashtoi strukturën e luftës ndaj krimit ekonomik. Pasojat janë të qarta. Krimi po rritet dhe kërcënon çdo qytetar, banka, spitale, shkolla, deri në ambientet e policisë dhe të burgjeve të sigurisë së lartë. Edhe lëvizja e lirë është në pikëpyetje. Rama në këto ditë sulmoi presidentin,i janë sulur KLD-së, AMA-s, ILDKP-së. Prishi konsensusin për administratën dhe një amendament antiligjor u hodh poshtë nga Kushtetuesja por ai sërish vazhdon. E mori mësimin nga gjykata, por ai vazhdon duke bërë largime, duke punësuar militantë dhe administratorë të kompanive private”, deklaroi Basha./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button