Mercenarë opozitarë ose provokatorë të infiltruar?

Askush nuk e di, ose së paku, askush nuk ka dalë me të dhëna se kush janë personat që përdorën dhunë gjatë protestave qytetare. E nga ana tjetër, disa medie janë përplot me akuza dhe spekulime, e pa asnjë informatë valide dhe pa argumente

Shkruan: Simona Atanasova

Propaganda proqeveritare shkruan, komenton dhe manipulon se LSDM-ja dhe Sorosi janë fajtorë për trazirat dhe për dhunën në protestat në të cilat mijëra qytetarë disa ditë marshojnë nëpër rrugë në shenjë të pakënaqësisë për shkak të vendimit të kryetarit Gjorge Ivanov për t’i falur 56 politikanë nga ndjekja penale.

Me tempo të përforcuar, portale dhe medie të ndryshme dilnin me artikuj akuzues se fajtorë për dhunën dhe LSDM-ja dhe Sorosi. Ajo që është shkruar në këto medie është në bazë të spekulimeve të paverifikuara, pa asnjë dëshmi dhe pa argumente. Artikujt e këtillë të njëanshëm shërbejnë për manipulim të lexuesve, i çon të krijojnë përshtypje të gabuar dhe i largon që të mos marrin pjesë në protesta.

“70-të stringlat “joqeveritare” të LSDM-së, të cilat në protestat e tyre mezi se mbledhin nga 30 njerëz përgatiten për të realizuar skenar të ri të dhunshëm. Në deklaratën e sotme këto shoqata të financuara nga Sorosi dhe LSDM-ja ata bëjnë thirrje për bojkotim të zgjedhjeve dhe për protesta, ndërsa si person për kontakt qëndron emri i Marjan Zabërçanecit, mercenar shumëvjeçar i Sorosit dhe aktivist i opozitës”, shkruan “Kurir“-i.

SJELLJE E NJOHUR E PROPAGANDËS

Ngjarjet e izoluara të dhunshe në protesta nuk janë nga përfaqësuesit e grupeve që thirrin në protesta, thotë Marjan Zabërçanec nga koalicioni joformal “Qytetarët për Maqedoninë”. Ai thotë se iniciativat dhe lëvizjet që i organizojnë protestat bëjnë thirrje për demonstrata dhe shprehje të padhunshme të revoltës dhe kjo qartë mund të shihet në thirrjet në kanalet zyrtare nëpër rrjetet sociale.

“Ishim dëshmitarë të disa ngjarjeve të izolura të dhunshme nga persona me maska në fytyrat e tyre, për të cilët nuk dihet se kush janë dhe çfarë qëllimi kanë, mirëpo me siguri këta njerëz nuk janë përfaqësues të grupeve që thërrasin në protesta. Pastaj, me rëndësi është të dihet se këto protesta nuk kanë vetëm një organizator, por thirrjet për protesta për çdo ditë në orën 6 vijnë nga anë të ndryshme, nga grupe, lëvizje dhe iniciativa të organizuara formale dhe joformale. Protesta më 14 prill, e cila në emër të 82 organizatave qytetare u organizua para Kuvendit të Republikës së Maqedonisë përfundoi menjëherë pas mbarimit të pjesës zyrtare dhe fjalimeve, gjegjësisht rreth gjashtëdhjetë minuta pas fillimit të saj dhe kjo u bë publike nëpërmjet altoparlanteve. Të gjitha zhvillimet pas përfundimit të pjesës zyrtare të protestës ishin në kuadër të sjelljes spontane të grupeve dhe të turmave të ndryshme protestuese dhe assesi nuk mund t’i përshkruhen ndonjë organizatori”, thotë Zabërçaneci.

Qytetarët dhe rojet reagojnë ashpër kur vërejnë njerëz me maska për të cilët ka dyshime se do të shkaktonin dhunë, shton Zabërçaneci, ndërsa artikujt propagandues nuk e befasojnë.

“Sjellja e propagandës është e njohur që moti, për ta aktivistët dhe përfaqësuesit e organizatave qytetare janë huliganë edhe atëherë kur organizojnë debate edhe atëherë kur i përqafojnë policët”, thot Zabërçaneci.

E ja se çka shkruan ajo:

“Përsëri janë lënduar disa policë në përleshjen ndërmjet demonstrantëve të dhunshëm të LSDM-së dhe të SOROS-it me pjesëtarët e policisë së Maqedonisë. Në paralajmërimin për protesta më radikale, si duket qëllimi i Zoran Zaevit është të derdhet gjaku nëpër rrugë. Huliganët e LSDM-së dhe të SOROS-it në vijë të njëjtë me terroristët e Kumanovës!”, shkruan “Puls 24”.

HULIGANË APO PROVOKATORË TË INFILTRUAR?

Zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov, thotë se LSDM-ja nuk është organizatore e protestave, se vetëm i mbështet dhe se bën thirrje për demonstratat paqësore. Prandaj, plotësisht distancohen prej atyre që ishin të dhunshëm ndaj policisë dhe që shkaktuan incidente.

“LSDM-ja bën thirrje për protesta masovike, paqësore dhe plotësisht distancohemi nga akuzat se ata që ishin të dhunshëm në protestat e mëparshme janë mercenarë të LSDM-së. Partia nuk ishte organizatore e protestave, ne vetëm i mbështesim ato, mirëpo nuk jemi të kyçur si parti. Udhëheqësia jonë dhe lideri Zoran Zaev, shumë herë publikisht kanë bërë thirrje për protesta paqësore. Për një pjesë të madhe të këtyre njerëzve të dhunshëm ka dyshime se janë provokatorë të infiltruar. Unë nuk mund ta di se kush është secili që do të hedhë me gurë, vetëm e di se nuk janë mercenarë të LSDM-së”, thotë Petre Shilegov.

Spekulimet dhe të pavërtetat që janë shkruar për ta manipuluar publikun dhe për të fituar përshtypje të gabuar e shkelin nenin 1 të Kodit të gazetarëve, i cili thotë se në qoftë se bëhet fjalë për supozim ose spekulim, kjo duhet të theksohet në tekst.

Gazetari duhet të botojë informata të vërteta e të konfirmuara dhe nuk duhet të fshehë të dhëna esenciale e as të falsifikojë dokumente.

Në qoftë se informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet cekur dhe botuar. Saktësia e informatës duhet të vërtetohet sa më shumë që është e mundur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button