NE JEMI…

Kush jemi ne, të gjithë ne që jetojmë këtu?

Ne jemi njerëzit e thjeshtë të këtij vendi që e kalojnë jetën në luftë për koren e bukës. Ne jemi ata që i mbajmë mbi shpinë barrën e krizave, të tranzicioneve, të piramidave, të problemeve ekonomike të vendit. Ne jemi ata që nga mëngjesi herët na shihni në ara duke mbjellë drithë, duke u kujdesur për fushën e për malin. Ne jemi ata që i harrojmë aferat, skandalet, korrupsionet e papara që bëhen në majat e pushtetit. Bijtë tonë thyejnë gurë, bëjnë beton dhe ndërtojnë saraje, ura, rrugë. Ne jemi ata që herët ngrihemi e dalim nga shtëpitë e vogla dhe me strajcën mbi kokë futemi në thellësitë e tokës për të nxjerrë metale së andejmi për veturat e shtrenjta të qeverisë, për eksport dhe për zhvillimin e vendit, pa e siguruar mirë ekzistencën tonë. Ne jemi ata që e shpërndajmë bukën nëpër dyqane dhe shkojmë e blejmë kripë me çetele. Ne jemi ata që pajtohemi të kemi rroga që nuk e sigurojnë as koren e bukës ose të rreshtohemi në ushtrinë e të papunësuarve. Ne jemi ata që i mbushim shkollat me nxënës, çerdhet me fëmijë, autobusët me udhëtarë, dyqanet e mëdha me myshterinj. Ne jemi ata që i mbushim bankat me kursimet e fëmijëve tonë të fituara nëpër kurbete në Irak e Avganistan me çmimin e lëkurës. Ne jemi ata që me tatimet tona i sigurojmë paratë e buxhetit të shtetit e s’kemi para për t’i siguruar ilaçet për vete.  Ne jemi ata që i mbajmë hallet e këtij vendi dhe që i paguajmë projektet e errëta të mujsharëve duke e dëmtuar veten. Ne jemi ata që i mbajmë fëmijët tanë me pensionet minimale, me ndihmat sociale, me punë argatie. Ne jemi ata që i durojmë fyerjet e shpeshta që na drejtohen nga foltoret e partive politike. Ne jemi ata që politikanët dinë të na quajnë “turma pa tru”.

Por ne jemi edhe:

Alfa e omega e demokracisë.

Kuptimi i lirisë.

Ne jemi populli, i cili  e ka në dorë fatin:

E pozitës dhe të opozitës,

Të ardhmen e këtij vendi.

Ne:

Kurrë nuk do të heqim dorë nga e drejta për të folur gjuhën e nënës që e kemi trashëgiminë më të bukur.

Kurrë nuk do të heqim dorë nga krenaria,

Kurrë nuk do t’i bëjmë dëm tjetrit, por as nuk do të lejojmë që të na quajnë turma pa tru.

Ne do të kërkojmë llogari nga ata që e kanë nëpërkëmbur vullnetin tonë.

Ne jemi Populli.

Dhe nuk jemi

Turma pa tru.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button