Albin Kurti: Thaçi po i jep shokët, një nga një

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një intervistë për KosovaPress, thotë se kryeministri Thaçi po i jep shokët e vet një nga një.

“Ata shokë të cilët ose e kundërshtojnë me të drejtë, ose i ka të papërdorshëm”, deklaron ai.

Kurti thotë se pazaret me Serbinë në Bruksel po e shfajësojnë Serbinë dhe po e inkriminojnë Kosovën, dhe pjesë e kësaj dukurie politike janë edhe persekutimet, siç është shprehur ai, që po bëhen në Kosovë ndaj ushtarëve të UÇK-së.

Kurti shprehet se EULEX-i nuk do të duhej të trajtonte krimet e luftës fare, duke e vlerësuar luftën çlirimtare të UÇK-së si një luftë të drejtë.

“Neutraliteti ndaj luftës çlirimtare të UÇK-së, tashmë është mbajtja e anës së Serbisë dhe regjimit të Milosevicit”, thotë ai. “Mos harroni që fundi i vitit 2013 shënohet nga një ngjarje shumë e rëndë, e ky është fakti që kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e bëri Serbinë sërish lidere në Ballkan. Pra, Serbia fillon negociata për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian. Ndërkaq, Kosova dhe Shqipëria nuk fitojnë asgjë. Ky jo vetëm që nuk po e ndihmon popullin, dhe kombin tonë, por ky po e ndihmon armikun tonë”.

Si kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Kosovës, ai kritikon ministrin e Jashtëm, Enver Hoxhaj, duke thënë se gjatë mandatit nuk ka qenë në nivel të detyrës sa i përket llogaridhënies ndaj Kuvendit. Sipas tij, në të gjitha vizitat që Hoxhaj i ka bërë jashtë vendit, asnjëherë nuk është shoqëruar me asnjërin prej anëtarëve të Komisionit, ndonëse rregullorja e punës së Kuvendit e kërkon një gjë të tillë, transmeton kosovapress.

Lëvizja Vetëvendosje, në Parlament, shpeshherë ka ndryshuar agjendat. Kurti thotë se kjo ka ndodhur për shkak se Kuvendin e Kosovës nuk e shohin si shtëpi ku banojnë politikanët, por si arenë ku ballafaqohen botëkuptimet demokratike, .

“Pa deputetët e Vetëvendosjes, në Kuvendin e Kosovës, ai nuk do të ishte as Kuvend, as i Kosovës. Ne aty e kemi mbrojtur edhe Republikën, si prej Qeverisë, po ashtu edhe prej Serbisë”, thotë Kurti.

Sipas tij, arritja kryesore e Kosovës në vitin 2013 është ndryshimi në kryeqytetin e Kosovës, pra fitorja e Vetëvendosjes dhe Shpend Ahmetit.

“Nuk ka asgjë në vitin 2013 më pozitiv sesa ky fakt, i cili do të testohet dhe sfidohet në vitin 2014, për shkak se në vitin 2014 ne do të arrijmë të tregojmë me shembullin tonë se si duhet të qeveriset. Duhet ta dëshmojmë që administrata është shërbim, jo sundim. Do ta kemi transparencën radikale, dhe gjithashtu, përveç se do t’i ndalim të gjitha të këqijat që kanë ardhur nga pushtetet e pasluftës, në të njëjtën kohë do të bëjmë edhe shumë punë të mira, gjithnjë përbrenda konceptit tonë”, thotë Kurti.

Lajme të ngjashme

Back to top button