Flamurtari i Ramadanit i mori tri pikë Laçit

Skuadra e trajnerit shkupjan, Zekirija Ramadani ka fituar derbin e ekipeve që po luajnë për të siguruar mbijetesën në Super Ligën e Shqipërisë. Më në fund i ka buzëqeshur fati shkupjanit i cili u përball me shumë vështirësi që nga fillimi kampionatit, pasi e kishte marrë ekipin e Flamurtarit me vetëm pak ditë përgatitje, ndërsa që nga fillimi i sezonit e përcollën lëndimet e shumë lojtarëve.

Flamurtari sot fitoi si mysafire ekipin shumë të fortë të Laçit me rezultat 1:2 edhe atë duke bërë përmbysje të rezultatit. Trajneri shkupjan nuk ka fshehur kënaqësinë pas fitores, ai për PORTAB ka deklaruar se ndjehet i lumtur për fitoren e arritur në Laç.

“Ishte fitore shumë e rëndësishme për ne dhe erdhi në momentin e duhur. Kemi hedhur një hap të madh përpara dhe tani kemi shansin të shkëputemi nga ndjekësi më i afërt. Luajtëm shumë keq në pjesën e parë dhe mezi po prisja të përfundon pjesa e parë, sepse nuk bëmë asgjë. Skuadra reagoi në pjesën e dytë dhe tregoi dëshirë për të fituar. Të fitosh në Laç me përmbysje është diçka e madhe dhe është meritë e lojtarëve”, deklaroi trajneri Ramadani i cili tha se shpreson të bëjnë më të mirën edhe në ndeshjen e kthimit në kuadër të gjysmëfinales së Kupës, pavarësisht humbjes 0:2 në Vlorë.

“Nuk shkojmë të dorëzuar, do të tentojmë të fitojmë, pasi ne krijojmë raste dhe Kukësi në takimin e parë na shënoi dy gola me fat, ndaj çdo gjë është e mundur”, përfundoi trajneri shkupjan i Flamurtarit, Zekirija Ramadani.
Të përkujtojmë se edhe në këtë ndeshje skuadra e Ramadanit, Flamurtari mbeti me dhjetë lojtarë në fushë në dhjetë minutat e fundit, pasi me kartonin e dytë të verdhë (të kuq), u ndëshkua Entonio Pashaj. Hero i Flamurtarit padyshim se përpos dy golashënuesve, Alves dhe Dasilva, ishte edhe portieri Erion Lika i cili kishte intrevenime vendimtare. /Portalb /

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button