Ahmeti: Nuk e prishim koalicionin me VMRO, duhet guxim për të dalë nga izolimi

Jam i gatshëm të bëj hapin e parë të guximshëm dhe të përkrahim një kandidat koncensual, i cili do të jetë i pranueshëm edhe për shqiptarët edhe maqedonasit, por i denjë që t’i përfaqësojë edhe shqiptarët, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Ali Ahmeti, nga Bashkimi Demokratik për Integrime.

“Është bërë një dramë veçanërisht te shqiptarët, sepse e dinë se presidentin nuk mund ta zgjedhin shqiptar, meqë nuk e kanë numrin e mjaftueshëm të votave. Dhe,  duke e ditur se sërish do të jetë i votuar një kandidat maqedonas të them të drejtën, për mua kjo paraqet një teatër ashtu siç thotë populli “dasmë pa nuse”, sa u takon shqiptarëve. Jam i mendimit pse të mos bëhen ca hapa më të mençur, pse ne të mos fillojmë të mendojmë në këtë drejtim. Ai president që do të zgjidhet, a do të duhet të jetë president i të gjithë qytetarëve të Maqedonisë? Sigurisht se duhet të jetë. Atëherë pse ai të mos jetë një figurë koncensuale që të ketë përkrahjen edhe të shqiptarëve edhe të maqedonasve?! Në këtë drejtim unë jam i gatshëm të bëj hapin e parë të guximshëm dhe të përkrahim një kandidat koncensual, i cili do të jetë i pranueshëm edhe për shqiptarët dhe maqedonasit, mirëpo ai duhet të jetë përfaqësues i denjë që i përfaqëson edhe shqiptarët.
Do të flas edhe me partinë shqiptare në opozitë dhe hapur pyes, do të bëjmë teatër siç kemi bërë deri më tani ose do të kemi tani një qasje shumë më pragmatike, më dobiprurëse për shqiptarët po edhe maqedonasit” thotë Ahmeti.

Pas vendimit të Këshillit të Evropës, që të mos i caktohet datë për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian ai thotë se nuk kërkojnë fajtorë por zgjidhje.

“Unë nuk jam në kërkim të fajtorëve, unë jam në kërkim të zgjidhjes dhe nuk është në të mirë të zgjidhjes që në këtë situatë të gjuajmë me “tomahovka” dhe me “katakulta” se fajin e ka ky ose ai. Unë nuk kam qenë ndonjë optimist se ne, në dhjetor, do të marrim datë për fillimin e negociatave për anëtarësimin e vendit në BE. Përpjekjet maksimale janë bërë që ne të hyjmë në agjendë që çështja e pazgjidhur e kontestit të emrit të vendoset në tavolinë për zgjidhje, të krijojmë një klimë miqësie në vend edhe në rajon dhe unë nuk pres që samiti i gjashtë i Brukselit të ketë po atë përgjigje që tani e ka marrë Maqedonia në samitin e pestë.
Janë bërë pesë rekomandime deri më tani dhe të pesë rekomandimet janë pozitive për vendin dhe njëherësh Maqedonia nuk merr datë për fillimin e negociatave. Kjo është e pakuptimtë, sepse kjo nuk është mirë për partitë politike, por njëherësh nuk është mirë as për qytetarët e Maqedonisë, por më duhet të theksoj se kjo nuk është mirë as për Brukselin” thotë Ahmeti duke përmendur se Maqedonia duhet të mësojë nga zgjidhja mes Prishtinës dhe Beogradit sa i përket kompromisit me Greqinë.

Ju thatë se rezultatet e para të aktiviteteve të shpeshtuara diplomatike që kishit muajin e fundit, do të jenë të dukshme në dhjetor. Për çfarë rezultatesh e kishit fjalën, pyet REL?

Ahmeti përgjigjet se ai nuk ka deklaruar se në dhjetor të gjitha problemet do të jenë të zgjidhura, që problemet do të jenë të mbyllura, por ka thënë se shpresoj në një aktivitet shumë më të dendur dhe shumë më serioz të qendrave vendosëse ndërkombëtare.

“Kam tentuar që ta bind komunitetin ndërkombëtar që tani është momenti – një moment serioz – për zgjidhjen e çështjes së emrit; si një problem kyç që paraqitet si pengesë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe për dhënien e datës për fillimin e bisedimeve me BE-në. Konsideroj se vlerësimet më të mëdha duhet t’i japin vetë ato personalitete, të cilat unë i kam takuar që nga Uashingtoni, Brukseli dhe thuajse në të gjitha kryeqendrat e Evropës, Berlin, Paris, Londër, Hagë, Vjenë, Sofje dhe Athinë dhe mendoj që kam arritur të jap shpjegimet e duhura se Maqedonia nuk lëviz në drejtim të duhur nëse nuk arrin të zgjidhë çështjen e emrit. Moszgjidhja e çështjes së emrit krijon pasiguri dhe tensione politike në vend dhe në rajon dhe ne nuk duam që kjo të ndodhë, por ne duam që t`u paraprijmë këtyre momenteve të këqija…Maqedonia është në udhëkryq dhe unë shumë hapur e kam thënë se të gjitha aksidentet e rënda ndodhin në udhëkryq dhe jo në rrugë të drejtë dhe ne përpiqemi që ky vend të hyjë në rrugë të drejtë dhe mos mbetemi edhe më tej në status quo. Ne jemi në pikën a do të lëvizim përpara apo do të kthehemi pas? Nëse kthehemi pas, kthehemi drejt izolimit dhe të izoluar  çmimin do ta paguajnë të gjithë qytetarët e Maqedonisë. Pra, jemi në momente të rëndësishme ku duhet veprim dhe guxim, të ulemi në tavolinë të arrijmë konsensus etnik dhe politik me të gjitha partitë, me të gjitha komunitetet dhe të përcaktohemi për alternativën e vetme që ka shteti, sepse nuk ka alternativë të dytë.

REL- Ka mundësi të prishjes së kolacionit me VMRO?
Ahmeti: Në koalicion ka dallime por nuk ka probleme të natyrës radikaliste. Sigurisht se ka mospajtime, ka ide të ndryshme, për të cilat diskutohet për zgjidhje sa më të mira. Më duhet të theksoj se janë bërë më shumë takime për t`i afruar qëndrimet për X- ligje, të cilat duhet të hyjnë në procedurë parlamentare, siç është edhe Kodi zgjedhor, ku kemi pasur dallime, kemi bërë negociata debate….Do të thotë në koalicion qeveritar nuk rrjedh mjaltë e qumësht, ka debate ka mospajtime, dallime për çështje të caktuara, por jo deri në atë përmasë të prekjes së butonave “për të lëshuar raketat patriot” gjegjësisht për të bombarduar. Do të thotë bombardime në koalicion nuk do të ketë.

REL:- Partia e juaj kërkoi përgjegjësi nga institucionet se kush e ka vendosur përmendoren e Car Dusanit, ndërkohë që ishin po zyrtarë të lartë të BDI-së,  ata të cilët e dëmtuan në mesnatë këtë përmendore në përpjekje për ta larguar. Pse duhej të veprohej në këtë mënyrë dhe jo në kuadër të institucioneve?
Ahmeti: “Mendoj se gjërat nuk duhet t’i lihen rrugës, por me to duhet të merren ato që janë zgjedhur nga populli, dhe në këtë drejtim do të thosha më mirë le t`i ndodh një e keqe një funksionari të Bashkimit Demokratik për Integrim sesa një qytetari të rëndomtë. unë së shpejti do të takohem edhe me përfaqësuesin serb, i cili është zgjedhur në Parlamentin e Maqedonisë dhe do të bisedojmë, sepse nuk duam që ky rast të ndikojë në raportet shqiptaro – serbe pavarësisht se çka ka ndodhur në të kaluarën. “ thotë mes tjerash Ahmeti.

Intervista e plotë është në këtë link.  /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button