Prishtina, ku gjithçka frymon shqip

Qielli i Tiranës tashmë ishte nxirë. Mbi qytet “lundronte” gjysmë-hënë e qartë. Qyteti tanimë dukej si labirint me pengesa. Dalloheshin nga lart veç ndërtesat kryesore si “Muzeu Kombëtar”, “Xhamia e Et’hem Beut”, ndonjë kullë e lartë e ngritur së fundmi dhe padyshim ndërtesa simbol “Pesëmbëdhjetë katëshi”. Ditët e ngrohta të prillit kanë ardhur të ngrohta, moti dukshëm ka ndryshuar gjë që ka bërë që njerëzit të tunden e të shkunden teksa dalin dhe argëtohen nëpër vende të ndryshme.

Mirëpo kjo ndodh vetëm ditën kur dielli rrezenxehtë e lëshon verbërisht dritën e tij. Me të rënë reja e zezë e natës, njerëzit në kryeqytet struken dhe veç një pakicë e vogël mbetet – kryesisht në bare dhe restorante pranë vendit të njohur si “Blloku”. Njerëzit dalin kryesisht në orët e vona për dy arsye kryesore: Për tu llafosur pas sfilitjes në punë të përditshme ose për të parë ndeshje futbolli.

Kështu Tirana e Shqipëria nga pak kanë nisur ti ngjajnë Italisë duke formuar kështu një “Piccola Italia” në brigjet e Adriatikut. Njerëzit këtu flasin shumë e pak punojnë, mirren thuajse tërë kohës me thashetheme dhe politika ngjan show i gjallë.

Poashtu mungon thuajse tërësisht industria apo fabrikat dhe vendi është mbushur me tekstile. Italianët më së shumti kanë “zbritur” këtu dhe punësojnë shqiptarët me paga tejet të ulëta. Një skllavëri e re mund ta quash ose kolonizim i butë. Edhe kafenetë e shumta janë dëshmi e faktit se Shqipëria tenton ti ngjajë Italisë.
Këto mendime më vinin ndërmend teksa isha ulur tek kafe “UFO” e më servirën një çokollatë të zezë e cila më mbeti në fund të barkut. Gjithsesi këtu isha ulur sepse kisha prerë biletë për të ikur në Kosovë.

Tashmë rruga për në Kosovë është shkurtuar, kufijtë vetëm sa janë fizikë e duket sikur më kot thuhet se po ikën në ‘shtet tjetër’.

Udhëtimi
Përpara se autobusi të nisej, u grumbulluam të gjithë personat që do të iknim drejt Prishtinës. Gjendeshin më së tepërmi shtetas të Kosovës, por mes tyre edhee një djalë nga Shqipëria. Djali në fjalë kishte një sjellje dhe një vështrim që diçka mu duk i dyshimtë dhe ndaj bëja të mos iu afroja fort. Me disa pasagjerë, autobusi u nis rrugës. Për karshi meje ishte ulur një bullgare me ngjyrë dhe se edhe kjo më ngjalli dyshime për arsyen e vërtetë të udhëtimit të saj. Si bullgarja, si djali nga Shqipëria sa duket e kishin Kosovën si “pikë tranzicioni” për të ikur më tej drejt Gjermanisë apo shteteve të tjera europiane dhe një dreq e di se me ç’mund të mirreshin atje. Në një ambjent ku secili shihte punën e tij dhe ku aspak thuajse nuk e njihnim njëri-tjetrin, udhëtimi nis qetësisht. Fillimisht nuk ndihej asnjë zë dhe po e shijoja udhëtimin. Rrugës kaluam me rradhë qytete të vogla si Miloti, Fushë-Kruja, Rubiku e më tej Rrësheni e pranë kufirit Kukësi.

Ajo ç’ka përjetova ishte kaplimi nga një ndjenjë e trishtë për atë se këta vendbanime sa e kishin emrin qytete pasi në të vërtetë në përmasa janë tejet të vogla. Emigrimi masiv drejt jugut të Shqipërisë, Tiranës dhe shteteve europiane që iu ka ndodhur këtyre zonave vështirë se iu ka ndodhur vendeve të tjera në rajon e në mos në kontinent. Duke qenë vetë një verior i shkëputur që andej për të jetuar në Tiranë, mu dhimbs realitet i braktisjes masive të qyteteve veriore të Shqipërisë.

Gjithsesi pak përpara se të mbërrinim në Kukës u ndalëm  në një bar-restorant.
U ulëm unë, djali po nga veriu i Shqipërisë me të cilin krijova distancë qysh në fillim, bullgarja dhe shoferi i autobusit. Si për çudi shoferi dhe bullgarja nisën të flasin me njëri-tjetrin në bullgarisht gjë të cilën shoferi e fliste për shkak se kishte udhëtuar disa herë në Sofje. Kur këta të dy rastiste që nuk mirreshin vesh, ndërhynte kamarieri i cili e fliste shkëlqyeshëm bullgarishten. E pyeta kamarierin për kuriozitet nëse ishte goran i Kukësit derisa e fliste mirë bullgarishten. “Jo Jo. Ngaqë vijnë shumë të huaj dhe sidomos maqedonas dhe bullgar e kam mësuar”, më tha. Nuk e di nëse e tha të vërtetën por pasi mbaruam së ngrëni bëmë të çoheshim nga restoranti. Ndërkohë gjatë bisedës në sfond na kishte shoqëruar gjatë gjithë kohës kënga e këngëtarit repist Gold Ag “Shqiptar 2” e cila di edhe se ka shkaktuar debate të mëdha në Kosovë.

Kurse kamarieri në të ikur, në nder të bullgares e cila ishte me ne na tha si me gjysmë shaka “Zdrava”. “Ç’do të thotë Zdrava?”, ia ktheva . “Zdrava do të thotë mirupafshim”, më tha. “E mirë. Mirupafshim”, i thashë.

Hipën sërish në autobus. Avash iu afruam kufirit. Bëmë gati pasaportat dhe kartat e identitetit. Shoferi na i mblodhi dhe ia dorëzoi doganierit. Na i ktheu pasaportat për as dy minuta dhe vazhduam rrugën. Hymë tanimë në territorin e shtetit të Kosovës. Po ecnim për nga “Rruga e Kombit” dhe përpara nesh u shfaq një qytet tejet i madh. Ishte Prizreni. I thashë shoferit se kam dëgjuar se Prizreni është qyteti i dytë për nga madhësia pas Prishtinës. Ma ktheu se qyteti i dytë për nga madhësia pas Prishtinës ishte Ferizaj. Isha i bindur se ishte Prizreni por nuk ia ktheva më.
Sidoqoftë ramë dakord se shqiptarët e Kosovës i kishin ruajtur qytetet e veta nga betonizimi i tepërt, krejt ndryshe me ç’ka kishte ndodhur me qytetet e Shqipërisë. Dhe vërtetë që kur hyje brenda në Prizren gjeje plot hapësira boshe dhe vetëm shtëpi 2-3 katëshe dhe jo pallate gjigande që ia zënë frymën natyrës. Qytet i mrekullueshëm me hapësira boshe e të gjelbërta dhe me plot jetë.

Këtu në Prizren ndalonte autobusi ynë pasi na priste tjetër mjet udhëtimi. Autobusi që na priste na çonte drejt Prishtinës, por se shkonte edhe më tej në Slloveni, Hungari e Gjermani. Personat përgjegjës na pyetën këtu nëse udhëtoje më larg se Kosova. Pyetja që e bënin ishte “Ndonjë problem. Deportim nga Europa?!”. Kur erdhi rradha ime “Jo” i thashë dhe hipa në autobus. Ndërkaq kur hipi djali tjetër nga Shqipëria, në pyetjen “Deportim nga Europa?!”, ai tha “Po”.

Pavarësisht faktit se djali që kishte udhëtuar me mua kishte deportim dhe se kjo dukej qartë gjatë udhëtimit të tij pasi ishte i tensionuar tërë kohës, më pelqeu disi fakti që e pranoi se kishte masë karshi tij.

Këtu u ula në sediljen e parë të shoferit dhe nisa të llafosem me të. Shoferi paksa për çudi ishte nga Tropoja dhe jetonte në Kamëz. Kishte dy fëmijë të rritur të moshës 25 dhe 23 vjeç të dy beqarë dhe diku me punë e diku pa punë. Më tej konsumuam edhe pak muhabet politik. Folëm edhe për atë se jeta sapo vjen dhe po vështirësohet e se fjala që ma tha dhe se besoj ishte më e goditura ishte “Kapitalizmi është i egër”. E kush më mirë se shoferi mund ta thoshte këtë, pasi ai flinte ditën dhe bënte udhëtime natën sa në Kosovë, në Maqedoni e shtete të tjera të rajonit. Kur iu afruam Fushë-Kosovës më tha se këtu Millosh Kopiliqi ka vrarë Sulltanin dhe se e kishte dashuruar historinë qysh i vogël. Kështu me ngadalë iu afruam Prishtinës. Autobusi u ndal në Stacionin e Autobusave të linjës Tiranë – Prishtinë – Tiranë.

Në Prishtin

Zbres në tokën e kryqytetit të Kosovës aty nga ora 04.00 e mëngjesit. Nuk kisha ngrënë për shumë gjatë dhe aty pranë Stacionit të Autobusave gjej një mencë e cila rrinte 24–orë hapur. Kamarieri u tregua shumë zemërgjërë. Më shërbeu për të ngrënë dhe për të pirë. Më tha se kushtojnë 4 euro por se unë kisha veç lekë shqiptare. Më tha se lekët e Shqipërisë sigurisht që i kishte dëgjuar por nuk dinte sesi konvertoheshin në euro. Shkoi vetë dhe i theu lekët në euro tek një shofer i linjës Prishtinë – Tiranë. Edhe pse mencë, dëgjoja këngë mjaft të bukura dhe tejet interesante. Më së tepërmi këngë popullore disi të lëna në harresë nga koha, por me nota të ndjera muzikore.

Aty nisa të bisedoj edhe me kamarierin. E pyeta se me cilën parti ishte dhe më tha se simpantizonte PDK-në sepse sipas tij partia e Hashim Thaçit i mbështeste të rinjtë. I thashë se Thaçi deri diku më pëlqen se më tepër kam simpati për Vetëvendosjen. “Jo ata s’bëjnë. Veç zhurmë, sherre e potere. Veç për kësi senesh janë”, më tha. Më tej e pyeta nëse kishte qenë ndonjëherë në Shqipëri e më tha se kishte qenë në Tiranë për pak kohë. Shtoi se shqiptarët e Kosovës më i duan shqiptarët e Shqipërisë, kurse të Shqipërisë janë më gjakftohtë. Dhe vërtetë që konstatimi ngjan të jetë thuajse i saktë. Kamarieri ishte drenicak me origjinë, jetonte në Fushë-Kosovë e natyrisht që për nga origjinalitetet nuk kishte si të mos e simpantizonte UÇK-në.
Prej mencës e cila ndodhej tek Stacioni i Autobusave marr rrugën tatepjetë për në qendër të Prishtinës. Ecja në autostradë dhe po ndjeja aromën e qytetit. Prishtina akoma nuk kishte zbardhur mirë. Përballë meje u shfaq në horizont një uzinë e vjetër që me siguri datonte qysh nga koha e komunizmit të Jugosllavisë. Pavarësisht rrokullisjes së viteve dhe modernitetit, Prishtina ka ditur ta ruajë mjaft mirë historinë e saj duke mos e dëmtuar. Në mes të autostradës vë re se kishte hyrje-dalje disi të komplikuara e me shkallë për të kaluar nga njëra anë e autostradës në tjetrën. Këtë kurrë s’e kisha parë. Tek kaloje nëpër këto shkallë dhe përfundoje në disa “dhomëza” poshtë autostradës gjeje më së shumti stampa të skuadrave të futbollit, kryesisht “Plisat” por edhe slogane kundër PDK-së apo LDK-së, të vendosura nga rebelët e Vetëvendosjes.

Gjithsesi vazhdoj të eci dhe po i afrohesha qendrës. Tashmë diç filloi të zbardhë. Pak njerëz filluan të dalin nga shtëpitë. Kur mbërrita në qendër më ngjau realisht mrekulli. Aty i gjeje bashkë paqen e luftën të përjetësuara në imazh – Ibrahim Rugova nga njëra anë dhe Zahir Pajaziti nga ana tjetër. Gjithashtu përshtypje më lanë ndërtesat e paprekura fort dhe thuajse perfekte në arkitekturë.

Pasi pashë qendrën eci tutje për nga “Pedonalja”. Të tillë emër ia lashë vetë pasi nuk e dija se ç’emërtim kishte. Sa duket shpërfaqja në qendër vetëm e shqiptarizmës e kishte “efektin” këtu. Aty në një shtëpi tek kjo që unë e quajta “Pedonale” ishte vendosur flamuri malazez. Me siguri për të demonstruar se “edhe ne sllavët jemi këtu”. Por se më vonë e mora vesh se nuk ishte iniciativë private e ndonjë personi apo familjeje, por thjesht aty në një apartament të thjeshtë ishte ambasada e Malit të Zi.

Pashë sa pashë qendrën edhe “Pedonalen” marr rrugën poshtë për tek Kuvendi i Kosovës. Rrugës tek-tuk shihje ndonjë polic i cili ecte si i shushatur e diç’ me imazh jo fort të mirë. Për kuriozitet po shëtisja pranë lagjes ku ndodhej parlamenti. Ngjante vërtetë një mrekulli. Shtëpi të vjetra të mbetura ashtu të paprekura, me limonë ndër oborre  e me karrige të nxjerra jashtë ku sa dukej bëhej muhabet.  Kishte qetësi, lashtësi e thjeshtësi mu në zemër të Prishtinës.
Tek tuk gjeje edhe qoshe apo rrugica të Prishtinës të veshura me petk të një qetësie të thekshme dhe me iniciale të së hershmes. Më vonë tek ora shkoi 07.00 Katedralja e qytetit e lëshoi “zërin” e saj.  Ndër rrugë në këtë orar shihje dy lloj njerëzish kryesisht: Zyrtarë të veshur disi fodullë e me krevatë ngjashëm si europianë dhe nga ana tjetër kishte të këputur krejt që sa duket ishin endacakët e mëngjesit.

Pasi e vëzhgova plot kuriozitet për një farë kohe rrezen më të afërt të kryeqytetit të Kosovës, pyes dhe hyj në një internet diku këtej për të komunikuar me një shok me të cilin e kisha lënë të takohesha.

Hyj dhe gjej aty nja tre adoleshentë që në karrige të ndryshme ia kishin këputur gjumit pasi sa duket e kishin kaluar gjithë natën në lojëra të kompjuterave.  Sidoqoftë hyj pak në internet dhe komunikoj me shokun nga Prishtina.

Kafe në Prishtinë

I shkrova që nga internet-kafeja shokut tim në Prishtinë Sefer Zogajt se do ta prisja në orën 09.00 tek stoli që ishte për karshi statujës së Zahir Pajazitit. Ndryshe nga ç’më ndodh mua zakonisht ku më duhet ta pres tjetrin me minuta e në mos me orë, këtë herë Seferi u paraqit fiks në orar. Takohemi dhe në bashkëbisedim e sipër ecim për nga sheshi “Nënë Tereza” në një kohë që dielli sapo kishte shpërthyer. Seferi më tregoi sheshin “Skëndërbeu”, objektin e qeverisë së Kosovës dhe një xhami të vjetër e cila gjendej aty. Ulemi në kafe dhe flasim gjërë e gjatë. Kujdesem që bashkëbiseduesi, si njohës më i mirë i terrenit të flasë më tepër.

Më thotë se nga sa kishte mësuar nga të afërm dhe nga miqtë, Serbia kishte vrarë e masakruar të rinj, dhunuar fëmijë e gra e sesi kishte miq që ende i vuanin pasojat e tmerrshme që kishin përjetuar ata vetë ose familja e tyre. Për një person që vjen në Prishtinë si “spektator” apo turist të tilla histori duken të trishta por pak të ndjeshme karshi asaj se ç’pasoja lënë vërtetë krimet.

Prishtina
Prishtina

Mirëpo dhimbje e lënë ndër zemra të shqiptarëve të Kosovës është përvojë të cilën veç ata e dinë. Seferi vijoi të thotë se Prishtina pak ishte prekur nga lufta e fundit. Miqtë të cilët ia kishin dëftuar luftën e rëndë të Serbisë thotë se i kishte më tepër nga Gjakova e nga Drenica, dy fortesat e qëndresës anti-serbe dhe e furisë të ushtrisë mercenare të Serbisë.

Më tej e pyes për faktin e çuditshëm se përse Adem Jashari nuk e kishte një bust në Prishtinë e nëse kjo kishte ndonjë prapavijë politike. Më thotë se nuk e dinte sigurt nëse mungesa e statujës së Adem Jasharit  në Prishtinë kishte prapavijë politike por se heroi kishte statujë në Drenicë dhe se atje nderohet siç e meriton.

Për shkak të luftës së rreptë të kësaj krahine kundër Serbisë, quhet ndryshe edhe “Drenica e kuqe”. Në muhabet e sipër po shihnim edhe qytetarët që ecnin për nga sheshi “Nënë Tereza” krejt të papenguar dhe që e shihnin punën e tyre.

E kishim një ide të përbashkët e kjo ishte se pavarësisht se komb i vuajtur sërish jemi në thelb njerëz kryesisht të lumtur e se qeshim plot gaz në shpirt.

Çohemi nga kafja me Seferin pasi kishim konsumuar mjaft muhabet si për vendin edhe për politikën e brendshme. Më tej shohim Bibliotekën e Kosovës, Akademinë e Shkencave të Kosovës, fakultetet dhe një manastir të braktisur , i ndërtuar qysh në kohë të Millosheviçit. Pasi i pashë të gjitha këto, përshëndetemi shumë miqësisht. I komunikova se do ta pi një “kafe” të fundit përpara se të iki nga Prishtina.

Dhe kështu bëra. Zgjodha lokalin me pamjen më fantastike të Prishtinës, porosita një pije energjike dhe po vëzhgoja në mëditje.

Pronari i lokalit përfundoi së stivosuri ca mallra të lokalit dhe u afrua për të më mbajtur me muhabet. “Më bëre pak përshtypje kur hyre në lokal.  Nga dialekti që e flet nuk besoj se je nga këtu”, më tha.

“Jo nga Tirana kam ardhur që në mëngjes. E kam shëtitur Prishtinën thuajse tërë ditën dhe se sa të pi këtë kanaçe do largohem”, i thashë.

I thashë më tutje se nga ishte e më tha se ishte prishtinali i vjetër pasi edhe Prishtina ishte sikundër Tirana – këtu gjeje shqiptarë nga të katër anët e  Kosovës.

Më tej pronari i lokalit e ndezi për vete një cigare dhe ma afroi një edhe mua. Pavarësisht se cigaren ndodh ta pi shumë rrallë, e ndoza për muhabet më tepër.

Këtu nisëm të flasim pak për politikë. Më tha se ndër liderët e Kosovës më i miri ndër të këqinjtë ishte Hashim Thaçi. Për Haradinajn mendonte se duhet të ishte hero por s’bënte qysh prej kohës që kishte hyrë në politikë. Kurse për Albin Kurtin mendonte se ishte demagog dhe se akoma nuk ishte bërë Kosova e jo po bëheshka tanimë “Shqipëria Etnike”.

Më tregon se e simpantizonte Adem Demaçin, pak Qosen e disi Rugovën. Më tha se e kishte simpantizuar Sali Berishën si çdo shqiptar i Kosovës por kishte filluar ta dojë Edi Ramën qysh kur kryeministri aktual “e plasi bombën” në Beograd se Kosova është shtet i pavarur. Jo vetëm ai, por shumë shqiptarë të Kosovës kishin ndryshuar mendim për Ramën që pas deklaratës së tij të fuqishme në Serbi.

Pronari i lokalit më shpjegoi më tej se kishte punuar në Austri, Gjermani e në Zvicër e më tha se për Kosovën problem madhor mbetet ekonomia , më saktë papunësia.
“Mbi 90 përqind e shqiptarëve të Kosovës mbahen me paratë e emigrantëve. Këtu veç ndonjë zyrtar i kapur pas partive jeton mirë e se janë të rrallë. Të tjerët veç mbijetojnë”, u shpreh ai.

Më kishte shkuar vonë e se për një orë nisej autobusi. U përshëndeta me pronarin e lokalit në qendër të Prishtinës dhe ia mora rrugës tëposhtë për tek Stacioni i Autobusave.

Rrugës takoj një djalë të ri në moshë, pak a shumë sa unë. Pasi hyj në muhabet me të, më thotë se është nga Mitrovica e Jugut. “Isha ditën në Prishtinë se i kisha disa punë e po kthehem në shtëpi”, tha mitrovicaliu.

Më tha se aty ku banonte shumica ishin shqiptarë dhe se edhe nga Mitrovica e Veriut pak ose aspak konflikte ka tanimë.

“Nuk ia vlejnë tensionet. Po edhe serbë pak janë. Siç e sheh Prishtina është e gjitha shqiptare. Edhe andej nga jam unë drejt kësaj po shkon. Gjithçka po kthehet në vendin e vet”, më tha. Kështu pasi u ndamë mbërrita për tek Stacioni i Autobusave që të çonin drejt Tiranës.

Kthimi dhe ndalesa në Kukës

Nga ç’kisha parë gjithë ditën nëpër Prishtinë përgjithësisht kisha marrë përshtypje të mira dhe pozitive. Prishtina kishte veç shqiptarë dhe asnjë serb nuk e gjeje. Ndoshta e gjeje po të kërkoje qëllimisht. Prishtina frymonte shqip. Tjetër ishte edhe se popullata këtu është dërrmuese myslimane, në mes të qytetit ishte Katedralja Katolike dhe ky fakt pak problem ishte.

Popull tolerant dhe vihej re një hare dhe gëzim në mënyrën sesi njerëzit e jetonin jetën.

Një qytet i qetë dhe modest, por se tejet i rregulluar. Siç më thanë edhe disa bashkëbisedues këtu, Prishtina pak ishte prekur edhe nga dorë e fortë e Serbisë.

Nëpër sy më kishin kaluar pa fund edhe parrulla të Lëvizjes Vetëvendosje si “Jo Zajednicës” apo stampimet nëpër mure me fytyrat e Isa Mustafës dhe të Kadri Veselit.

Sa pashë Prishtina nuk ishte e bukur veç në qendër të saj por edhe nëpër rrugica. Edhe ndër lagje të tilla si “Dardania”, “Ulpiana” kishte gëzim e hare që ndihej në ajër. Kjo ishte Prishtina me pak fjalë e parë ndër sytë e mi.

Tashmë i kisha hipur autobusit dhe qyteti po shuhej ngadalë. Kosova edhe ndër rrugë pasqyronte bukuri të pastër natyrore. Autobusi ecte dhe kaluam me rradhë qytete disi më të vogla derisa mbërritëm në Prizren. Qyteti i Prizrenit përpos se i madh në përmasa kishte reflektuar ndër sytë e mi edhe faktin se mbart goxha histori. Nëse Prishtina ngjan paksa qytet artificial dhe ngjan si i krijuar, Prizreni është këtu autokton qysh prej lashtësisë.

Pasi e lëmë pas Prizrenin hijerëndë vijmë në kufi e pas kontrollit të pasaportave hyjmë në Republikën e Shqipërisë. Tanimë ndodheshim në Kukës. Pasi ecim për pak, këtu ndalemi për të ngrënë.

Dreka e ngrënë në një vend si ky të shijon ndryshe. Qyteti ndodhej më tej e Drini gjarpëronte në rrugën e vet. Natyra baritore e përzier me hijeshinë e kreshtave të maleve krijonin një pamje magjepsëse.

Kukësi mund të jetë qytet i ri dhe i ndërtuar në komunizëm, por natyra këtu, Drini, malet janë që në kohë të vjetra dhe ta ngrohin zemrën.  Mall kasha sidomos për Drinin i cili për shkak të gjelbërimit përreth merr ngjyrë jeshille.

Kjo sepse më kujtonte fëmijërinë dhe Drini ka qenë pjesë e pandarë e hapavë të mi të parë.

Kjo natyrë e bukur dhe magjepsëse ta ndriçonte zemrën. Sidoqoftë pasi hamë drekë nisemi drejt Tiranës. Rrugës mund të dalloje brezaret ndër kodra të cilat janë krijuar nga vetë shqiptarët në kohë të komunizmit kur në fuqi ishte parrulla “Gjithçka me forcat tona”. Mendoje sesa tmerr fshihnin ato brezare ku me siguri ishte mbjellë patate – e cila ishte edhe bukë edhe gjellë.

Është tmerronjëse sepse veç mundesh ta imagjinosh sesi kanë punuar njerëzit për të kthyer në tokë buke kodrën dhe malin. Mund e stërmund do ketë qenë.

Mirdita

Kaluam Kukësin si rreth gjeografik dhe u gjendëm në rrethin e Mirditës. Natyrë thuajse e virgjër. Përposa rrugës e cila është bërë beton dhe i ndan fshatrat në ca këtej e në ca andej, gjithçka këtu është gjelbërim. Fshatrat dukeshin një mrekulli më vete. Ato i kishe ose piktoresk ose disi të vjetër dhe se të kujtonin deri kohë të Skëndërbeut e të Kanuneve të Maleve.

Fshatrat këtu janë shumë të vegjël. Njerëzit këtu kanë ikur dhe i kanë braktisur shtëpitë. Shumica e banorëve kanë ikur në emigrim ose në Tiranë.

Përshtypje të veçantë më lanë shtëpitë-kulla që i gjeje ngado në këto anë. Diku kishte kulla ku me siguri ruhej tradië e kanun e diku shtëpi të braktisura e të vetmuara.

Lumi Mat i çante më dysh fshatrat dhe qytetet e kësaj ane. Aty nga Oroshi hipi në autobus një djalë diçka më i madh në moshë se unë.

Hyra në muhabet pak me të. “Po po këtu ruhet akoma Kanuni dhe funksionon në shumë raste. U ktheva për ta parë shtëpinë e vjetër të prindërve dhe të gjyshërve. Këtu pak njerëz kanë mbetur. Shumë kanë ikur”, më tha.

Bashkëbiseduesi nga Mirdita shtoi se Kanuni dhe besa këtu ka funksionuar gjithmonë. Më tej si me gjysmë-shaka shtoi se këtu për 5 shekuj nuk kishte hyrë turku, por hyri rruga e autostrada.

Aty për aty përpara nesh u shfaq Rrësheni, qyteti kryesor i Mirditës. Bashkëbiseduesi nga Oroshi kishte tepër dashuri për qytetin e Rrëshenit.

Sidoqoftë Mirdita përbën një tokë pak të shkelur, mbushur me tradita, zakone e bukuri natyrore edhe të panjohura .

Me siguri që po të hysh thellë në historikun e dokeve, normave dhe kullave të zonës do të zbuloje një mozaik më vete.

Pranë Tiranës

Avash-avash autobusi po i afrohej Tiranës. Kaluam një sërë qytetesh të vogla përpara se të hynim në kryeqytet. Kaluam Rrëshenin, Rubikun, Mamurrasin, Fushë- Krujën, Laçin e Kamzën.

Këto janë qytete të krijuara më shumë si të tilla për shkak të dyndjes masive të veriorëve pranë kryeqytetit ose në zona periferike të tij.

Vala ndër vite e emigrimit ka qenë kaq e lartë saqë është populluar jo vetëm Tirana dhe periferia, por është shtuar ndjeshëm popullata edhe disa kilometra larg kryeqytetit të Shqipërisë.

Zbres në Tiranë. Tashmë ajri më dukej disi më normal dhe sikur u riktheva në mënyrën e jetes së përditshme të kaosit të kryeqytetit tonë. Prishtina më kishte lënë mbresa të veçanta. Kryeqyteti i Kosovës vërtete kishte qenë më i vogël në përmasa dhe më modest por shumë herë më i pastër dhe i qetë.

Tirana ta merr frymën dhe pluhuri për çdo ditë na i shkatërron mushkëritë. Këtu ajri është vërtetë shumë i rëndë. E sa herë që do të ndotem nga ajër i rëndë i Tiranës, në mendje do të më vijë Prishtinë modeste por e qetë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button