Turqia, 3 milionë dollarë ndihma Shqipërisë!

Shqipëria ka marrë 3 milionë dollarë ndihma nga Turqia. Këto ndihma konsistojnë kryesisht në mjete motorike ushtarake, një gjenerator dhe pajisje të tjera logjistike për ushtrinë dhe policinë.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast ministrja Kodheli falenderoi për ndihmën duke thënë, “Ne, këtë ndihmë bujare të Republikës së Turqisë do të dimë ta përdorim sa më mirë të jetë e mundur, në fuksion te rritjes së Kapaciteteve Operacionale, modernizimit të ushtrisë sonë dhe padyshim të modernizimit dhe rritjes së kapaciteteve të Ministrisë së Brendshme”.

 Ajo theksoi se Shqipëria e mirëpret këtë ndihmë bujare mbi më shumë se 3 milionë dollarë me detyrimin për të rritur bashkëpunimin me qeverinë turke, si një përfaqësuese e një vendi anëtarë të NATO-s, ashtu si edhe Shqipëria është dhe të gjithë vendeve të tjera NATO-s, të cilat në këtë mision të përbashkët janë në avangard të ruajtjes së sigurisë, lirisë, prosperitetit dhe demokracisë së vendeve pjesëtare të NATO-s dhe shumë më shumë se kaq. Ministrja Kodheli ka falenderuar ambasadorin dhe atasheun ushtarak të Turqisë dhe të gjithë ata që kanë bërë të mundur këtë dhuratë për vitin e ri ushtrisë Shqiptare dhe Forcave të Policisë të Republikës së Shqipërisë.

 Të pranishëm në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast në Komandën e Forcave Tokësore, në Zall-Herr ishin: ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, zv. ministrja e Brendshme, znj. Elona Gjerbrea, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, gjeneralmajor Jeronim Bazo, ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, Hydayet Bayraktar, atasheu ushtarak i Republikës së Turqisë, kolonel Nizametin Dogar, gjenaralë, drejtorë drejtorish nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm si dhe mjaft të ftuar të tjerë. /77news

Lajme të ngjashme

Back to top button