Radio Vati sot manifeston 22 vjetorin e themelimit

Radio Vati është radio private, e pavarur, urbane e cila emeton program në gjuhën shqipe dhe medialisht e mbulon regjionin e qytetit të Shkupit,disa pjesë te qytetit të Tetovës,dhe Kumanovës. Radhitet në mesin e radiove të para private në Shkup dhe Maqedoni, e themeluar më 14 prill të vitit 1994. Radio Vati shumë shpejt e tejkaloi konkurencën dhe me punën e saj profesionale arriti të bëhet një nga radiot më të dëgjuara në regjion.

Sipas disa hulumtimeve të institucioneve të ndryshme, Radio Vati vetëm në Shkup ka afër 100 000 dëgjues në ditë, kurse bashkë me qytetet tjera numri i dëgjuesve në nivel ditor arrin numrin 150 000 dëgjues.  Nëse këtë dëgjueshmëri e paraqesim me përqindje, atëherë kap 15 – 20 % nga e gjithe popullata në regjion. Radio Vati emeton program 24 orësh me informacione dhe emisione të cilat e plotësojnë shijen e cdo kategorie dëgjuesish. Pjesa informative i mbulon të gjitha sferat e jetës: lajme, ekonomi, politikë, sociale, kulturë, zbavitje, teknologji, automobilizëm, sport dhe të tjera. Prioritet i Radio Vatit është mbrojtja të drejtave të njeriut, politika jo diskriminuese , si dhe identifikimin e problemeve dhe nevojave të qytetarëve. Andaj edhe shoqëria multietnike dhe multikulturore në Maqedoni ofrojnë mundësi për zhvillim të punës me një vëmendje të posaçme të zgjidhjes së tensioneve ndëretnike, njofton Aktuale

Bedri Rexhallari, gazetar në Televizionin Alsat-M

12 vite pjesë e Radio Vatit

‘Radioja ishte dhe mbetet një ndër mediat më të dashura për mua. Unë kam punuar plot 12 vite në Radio Vati. Njëkohësisht kam qen edhe korrespodent i Bota Sot, së fundmi punoj në TV Alsat-M, që do të thotë se në njëfarë mënyrë i kam shijuar të gjitha zhanret e gazetarisë, por ajo e radios e them me shumë sinqeritet më mungon, radioja mbetet mediumi më i dashur për mua.

Kam qenë pjesë e ekipit të parë të Vatit, bashkë me Bujar Idrizin, Blerim Rashitin, Flamur Bytiqin, Nehat Thaçin, Visar Rexhepi, Rexhep Memedin, Adnan Jakupin, Samir Durgutin dhe të tjerë, tani kërkoj ndjesë në rast se kam harruar dikë. Hapat e parë i kemi bërë në Vati, ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme.

Megjithatë dua të ndaj me ju një element që gjykoj se është shumë i rëndësishëm. Asokohe vitin 1994, kur edhe startoi në etere për herë të parë Radio Vati, në Kosovë mbretëronte një terr informativ. Vati fatmirësisht depërtoi në një pjesë bukur të madhe të territorit të Kosovës. Dhe ne pjesën më të madhe të dëgjuesve i kishim nga Kosova. Dhe besoni  e them me shumë mburrje ka qenë kënaqësi të realizosh një program, një emision me dëgjues nga Kosova. Jo që dëgjuesit tanë s’kanë qenë të mirë, me gjithë respektin dhe ndaj tyre, por me kosovarët ishte më ndryshe. Ne u bëmë pjesë e shumë familjeve kosovare. Radio Vati asokohe u bë urë lidhëse mes familjeve në Kosovë dhe të afërmëve të tyre që jetonin dhe punonin në diasporë. Ne për t’ju mundësuar kontakte familjeve me të afërmit e tyre realizuam emisionin kushtuar mërgimtarëve. Ka qenë një emision i përcjell me shumë emocione. Kishte edhe një sërë emisionesh të tjera. Thënë shkurt Vati ishte prezent në çdo familje shqiptare. Jemi munduar të realizojmë një skemë programore e cila do ti plotësonte apetitet e të gjitha moshave, përfshi më të vegjëlit, me emisionin kushtuar fëmijëve, pastaj të rinjve dhe kuptohet edhe më të riturve’ kështu përshkroi përvojën në Radio Vati, Bedri Rexhallari.

Kaltrina Mustafa Rahimi, gazetare në Radio Shkupi

5 vite pjesë e Radio Vatit

‘Karriera ime në gazetari ka filluar në vitin 2005 pikërisht në Radio Vati, gjatë 5 viteve sa kam punuar atje kanë qenë vitet më të bukura të jetës time, aty mësova shumë për punën në radio dhe ishte një eksperiencë e shkëlqyeshme e cila më hapi dyert për ofertat e tjera në jetë.. çdo herë jam falënderuese gjithë stafit udhëheqës të Radio Vatit për kontributin që ata dhanë për mua, jam e lumtur që kjo radio vazhdon të funksionojë edhe sot dhe i përgëzoj kolegët për punën që bëjnë që edhe më tej kjo radio ë ngelet më e dëgjuara në qytetin e Shkupit dhe më gjerë’ tha për Aktuale, Kaltrina.

Melihate Rustemi, gazetare ne Alsat-M

‘Të punosh në radio eshte kenaqesi, veçanerisht nëse fillimi i gazetarisë është pikërisht në këtë media. Per mua Radio Vati zë një rol te veçante për shkak se kisha fatin të takoj kolegë më të vjetër dhe me pervojë prej të cilëve mora edhe mësimet e para të gazetarisë. Për sa vite ishe aty arrita të mësoj shumë gjëra për këtë profesion që njëkohesisht me hapen dyert për të vazhduar më tutje. Radioja vërtet te ben për vete ndërsa çdo orë e kaluar para mikrofonit vetëm se ta shton dëshiren edhe më shumë për të qenë pjesë e saj. Kjo nënkupton se më mungon shume. Gëzuar Radio Vati, ju degjofshim edhe për shumë vjet’ u shpreh Melihate Rustemi.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button