Marrëveshja e madhe shqiptaro-maqedonase për zgjidhjen e krizës

Pikë së pari do të kisha dashur të bëj një retrospektivë të 25 viteve të fundit dhe qasjes që kanë pasur shqiptarët ndaj politikës shtetformuese të maqedonasve dhe politikës shtetërore kundrejt interesave shqiptare. Nëse kthehemi pas në kohën e pavarësimit të Maqedonisë, mendoj që këtu shqiptarët e bëmë gabimin e parë të madh historik. Në një konfuzitet politik dhe historik që sundonte në mbarë Jugosllavinë, gjendjen e rëndë politike në Kosovë dhe rëndimin e marrëdhënieve kroato-slloveno-serbe që ishin shkaktare të shkatërrimit të atij monstrumi artificial të quajtur Jugosllavi, në këtë kohë shqiptarët e Maqedonisë vendosën unanimisht të bojkotojnë pavarësimin e Maqedonisë. Në këtë kohë paria politike shqiptare menduan që do të ishte më lehtë dhe më e ¡logjikshme! të kërkonin pavarësinë e menduar në kuadër të Republikës së Iliridës, sesa të gjenin rrugë alternative konsensuale politike që do të shkonin në interes të zgjidhjes së cështjes kombëtare në suaza të këtij shteti të ri që sapo formohej. Dështimi i kësaj ideje ishte në njëfarë mënyre ajo që legjitimoi Kushtetutën e 1991, të krijuesit të LSDM-së Kiro Gligorov dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Ky dështim rrjedhimisht coi në konfliktin e 2001. Në këtë kohë kur idetë e Arbën Xhaferit për një zgjidhje në proces të cështjes shqiptare kishin marrë drejtimin e duhur, u organizua kryengritja e armatosur e shqiptarëve në Maqedoni. Luftë e cila nisi me aspiratat e ndarjes së shtetit më dysh, por që përfundoi si pa kokë as andej as këndej. Përsëri ishte mjeshtria politike dhe diplomatike e Arbën Xhaferit ajo që detyroi faktorin ndërkombëtar të ndryshojë perceptimin që e kishin ndaj UCK-së së Ali Ahmetit nga organizatë terroriste – sic edhe u quajt nga zyrtarë të lartë të NATO-s dhe BE-së në një ushtri kryengritëse që luftonte për të drejtat e shqiptarëve dhe që coi në përfundimin e luftës e cila erdhi me marrëveshjen politike ndërkombëtare të quajtur Marrëveshja Kornizë e Ohrit.

Ishte pikërisht forca politike që rrodhi nga UCK ajo që dështoi në implementimin e kësaj marrëveshjeje. Kjo marrëveshje garantonte rregullimin e përdormit të gjuhës shqipe brenda katër viteve të ardhshme pra deri në vitin 2005, ndarjes së buxhetit në mënyrë proporcionale nëpërmjet decentralizimit i cili i parë nga kjo perspektivë nuk mund të ishte asgjë tjetër vecse federalizim faktik i vendit, reprezentimin e drejtë të shqiptarëve në të gjitha institucionet shtetërore, si në aspektin kuantitativ ashtu edhe kualitativ, marrëveshje e cila vendosi themelet e legalizimit të arsimimit të lartë të shqiptarëve në Maqedoni dhe krijimit të pavarësisë kulturore përmes një kanali të pavarur televiziv në kuadër të RTVM; pra ishte zgjidhja më e mirë e mundshme për kushtet e asaj kohe që do të shndërronin Maqedoninë në një shtet progresiv dhe të inkuadruar në botën perëndimore. Me këtë edhe realizim të aspiratës tonë kombëtare.

Duke parë që këto mundësi nuk u shfrytëzuan, por u komprometuan në bazë të kompromiseve të pakuptimta që e humbën esencën e tyre, sot ka ardhur koha për ndryshime të reja. Është pikërisht kjo situatë e rikrijuar e haosit politik e cila duhet të shfrytëzohet nga faktori shqiptar për të bërë kontratën e re maqedono-shqiptare. Sot është momenti kur duhet të bëjmë paqen e madhe me maqedonasit, e cila do të shkonte në drejtim të zgjidhjes njëherë e përgjithmonë të cështjes shqiptare në këtë shtet. Marrëveshje e mirëfilltë politike e cila do të ishte realizimi i të gjitha të drejtave të shqiptarëve. Në njëfarë mënyre do të duhej që kjo marrëveshje e madhe të kthejë prapa kohën përpara krijimit të Jugosllavisë së car Aleksandrit serb, në atë kohë kur forcat politike bullgare dhe shqiptare bashkëpunonin thellë në krijimin e një kohezioni politik që do t’i bënte ballë si ndikimeve serbe ashtu edhe ndikimeve greke. Situatë të ngjashme kemi edhe sot në vendin tonë, me shqiptarë të margjinalizuar, me një shtet të uzurpuar nga diktatorë që kanë humbur lidhjen me rrënjët e veta VMRO-iste antiserbe dhe të influencuara në masë të madhe politikisht nga dy fqinjtë polarë tanë: serbët dhe grekët.

Në një situatë të këtillë të haosit juridik, politik dhe social, në një shtet si Maqedonia ku është humbur rruga e drejtë e zhvillimit që nga koha e pavarësimit dhe ka kulminuar me zhvillimet e 12 muajve të fundit, është pikërisht ky momenti kur forcat politike shqiptare duhet të dalin me një platformë të përbashkët kombëtare. Këto forca do të kërkonin marrëveshjen e re maqedono-shqiptare e cila do të vinte themelet e stabilitetit të shtetit bazuar në faktorin shqiptar. Me këtë marrëveshje shqiptarëve do t’ju jepej një autonomi e zgjeruar por gjithmonë duke ruajtur integritetin dhe sovranitetin e shtetit dhe do të bëheshin ndryshimet adekuate kushtetuese që do të garantonin të drejta dhe obligime të barabarta për shqiptarët si për maqedonasit. Kjo marrëveshje është e nevojshme në aspektin juridik dhe politik për disa arsye: shqiptarët do të ishin më energjikë dhe më të vendosur në realizimin e aspiratave të shtetit për anëtarësim në NATO dhe BE; shqiptarët do të ishin faktori vendimtar që do të neutralizonte ndikimin e politikës serbe dhe greke në vend; shqiptarët do të ishin garantues të integritetit dhe sovranitetit të këtij vendi në kufijtë ekzistues sepse do të ndjenin veten të realizuar, të lirë, të bashkuar me dy shtetet tjera shqiptare të Ballkanit në suaza të NATO-s dhe BE-së. Faktori nacionalist maqedonas në këtë rast nuk do të mund të ndikonte në rrëzimin e kësaj marrëveshjeje sepse situata momentale sociale dhe politike e krijuar në vend nuk mund të lejojë frymat nacionaliste ekstreme proserbe të diktojnë cka është më e mira për këtë shtet; pasojat në të kundërt do të ishin fatale për shtetin.

Një marrëveshje e tillë do të kishte mbështetjen e plotë të faktorit ndërkombëtar, sepse si e tillë do të haste në vullnet të mirë dhe vizion përparimtar nga njëri apo më shumë faktorë politikë maqedonas – faktorë që do të ishin të vetëdijshëm që shpëtimi i vetëm i Maqedonisë vjen pikërisht nga shqiptarët, dhe jo vetëm për arsyet të cilat i përmenda më lartë. Shpëtimi i saj nuk mund të vijë si rezultat i një palë zgjedhjeve të rregullta demokratike, sepse problemi kryesor i këtij vendi kanë qenë fërkimet ndërnacionale. Nëse faktorët politikë të vendit nuk përballen me zgjidhjen definitive të këtij problemi, edhe atë në zgjidhjen në interes të realizimit të kërkesave të shqiptarëve, atëherë nuk do të kemi shtet stabil për një kohë shumë më të gjatë.

Një marrëveshje e tillë do të ishte dashur të kërkohet përpara zgjedhjeve, pa marrë parasysh se a do të mbahen në qershor apo në korrik. Një marrëveshje e tillë do të ishte dashur të kërkohet mbi të gjitha nga partitë që janë pjesë e parlamentit, por jo vetëm: kjo kërkesë duhet të jetë gjithëpëfshirëse dhe e ardhur nga uniteti ndërshqiptar si një frymë e re politike.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button