Berisha: Meta donte të bëhej President

Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi dje se Ilir Meta i ka kërkuar indirekt të marrë postin e Presidentit një vit më parë, por ai e ka refuzuar.

Në një intervistë për emision “Fakt” të Çim Pekës në UTV, ai u shpreh: “Tek unë nuk ka bërë kërkesë që të jetë direkte, indirekt ka pasur, dhe natyrisht, në qoftë se kanë qenë mesazherët e tij, kanë marrë një ‘Jo’ kategorike”.

Po e filloj aty ku në fakt duket se filloi rënia e së djathtës nga pushteti. A e prisnit largimin e Ilir Metës nga koalicioni edhe ju?
Të them se më erdhi e papritur duke njohur të gjithë kompleksitetin, nuk më erdhi kaq i papritur. Natyrisht, ishte një akt i papërgjegjshëm, sepse ai faktikisht veproi në një mënyrë të atillë që të rrëzojë qeverinë tre muaj para zgjedhjeve dhe mendoj se rrëzimi i qeverisë tre muaj para zgjedhjeve përbënte një moment shumë të vështirë për zgjedhjet dhe për vendin. Sidoqoftë, ai moment u kapërcye. Zoti Meta bëri zgjedhjen e tij dhe kaq.

Atëherë, z. Berisha, ju u akuzuat nga mediat në krah të z. Rama, se dolët në krah të z. Meta, se përdorët dy standarde, në rastin e videos për Ylli Pangon dhe z. Meta. Në qoftë se zotit Pango për një akt moral, por jo korruptim, ju i kërkuat menjëherë largimin dhe e shkarkuat, këtë gjë nuk e bërë me z. Meta.
Z. Meta u largua vetë menjëherë. Z. Meta ka ardhur vetë në zyrë dhe ka thënë se “unë jap dorëheqjen, sepse nuk dua të shkoj si zv.kryeministër te prokurori, por do të shkoj si qytetar”, dhe ka kërkuar edhe heqjen e imunitetit. Natyrisht, po të mos ndodhte, do t’i thuhej, por ai e ka thënë vetë këtë.

A ka kërkuar z. Meta që të bëhej President dhe a ka tentuar t’ju bëjë presion qoftë dhe me largimin nga maxhoranca lidhur me zgjedhjen e Presidentit të Republikës?
Tek unë nuk ka bërë kërkesë që të jetë direkt. Indirekt ka pasur, dhe natyrisht, në qoftë se kanë qenë mesazherët e tij, kanë marrë një “Jo” kategorike. Më parë unë do të shkoja në zgjedhje, nuk kisha autoritet që t’i jepja postin e Presidentit një aleati të cilit i kisha dhënë në atë periudhë, në atë koalicion, të paktën 40% si pushtet numerik (po shprehemi kështu se këta socialistët e matin me para, unë nuk e kam matur ashtu pushtetin), si pushtet numerik 40% më të madh se atë që ka sot në katër deputetë.

Dhe kurrsesi Presidenti nuk do të dalë nga LSI dhe nuk e shikonit z. Meta si President të Republikës?
Nuk është problemi këtu. Nuk shikoja PD në asnjë moment që të lëshonte postin e Presidentit.

Si e keni ndjekur garën e PD-së? A mendoni se do të kishte këtë pjesëmarrje dhe a krijuat një precipitim mbi një parti që kishte kaluar në opozitë vetëm pak javë? Ka pasur akuza nga mediat e majta se keni ndikuar në garë në favor të z. Basha. A ishte paracaktuar kryetari i partisë? Së pari, a ishte i paracaktuar kryetari i partisë?
Në mënyrën më absolute, kur kam dhënë dorëheqjen nuk e kam ditur kurrë se cili do të garonte. Por unë dhe mund ta bëja edhe këtë, por mendova në radhë të parë të bëja detyrën time, dhe detyra ime ishte të jepja dorëheqjen dhe të hap rrugën. Së dyti, të dy kandidatëve, qoftë z. Lulzim Basha, qoftë të ndjerit Sokol Olldashi, të cilët më kanë pyetur “a na thua të garojmë?”, kanë marrë një përgjigje të njëjtë: “Nuk ju them po, as jo”. Sepse nuk doja të investoja. “Vendimin merreni vetë, krejtësisht pa mua”. Kjo ka qenë përgjigjja ime për të dy.

Po zonja Topalli dhe z. Bode janë konsultuar me ju për të kandiduar ose jo?
Ata nuk kanë shfaqur asnjë dëshirë, në dijeninë time jo. Asnjë njeri tjetër nuk ka ardhur, vetëm z. Basha dhe z. Olldashi. Këta të dy kanë ardhur, këta të dy kanë ndjekur garën. Nuk ka garë pa tension, por një gjë ka: ka pasur një mirënjohje të thellë të brendshme timen për të dy që hynë në garë, sepse do të ishte e turpshme nëse PD do të mbetej pa garë, katastrofale po të mos dilte askush; dhe e dyta, do të ishte gjysmake shumë po të dilte vetëm një njeri. Unë mendoj se me vendimin e tyre çdo demokrat duhet t’u jetë mirënjohës atyre, për atë kohë, atë periudhë. Së fundi, pa diskutim që në një garë të shprehemi kështu, 100 për 100 normale, secili drejtues i PD do të kishte të drejtë dhe duhet të kishte të drejtë të shprehte preferencën e tij publikisht. Vendosa një standard dhe nuk e bëra unë këtë standard për asnjë arsye tjetër, meqenëse unë dhashë dorëheqjen, tani duhet të mbyllej ai problem, duhej t’i merrja unë ato përgjegjësi dhe të tjerët duhet të vazhdonin. Nuk doja që të kampohen vetëm e vetëm që nesër me kryetarin e ri të mos kenë probleme. Ky është qëllimi im. Në tërësi kjo u ruajt me disa përjashtime të vogla të parëndësishme. Do të jap përgjigje përfundimtare për çështjen e listave. Çështja e listave, pa mëdyshje listat nuk mund të ishin me saktësinë e kërkuar. Jo. Sepse ishte koha e shkurtër, por propozimi im i dy kandidatëve u jepte zgjidhje përfundimtare me “No Comment” listave. Dy ditë para zgjedhjeve, pasi përfundoi lista, u kam propozuar të dyve, si z. Basha dhe të ndjerit Olldashi; të votojë çdo anëtar i PD që ka dokumentin dhe kartën e identitetit, dhe ata të cilët nuk janë në lista të regjistrohen në një libër të veçantë, se kur të duash e kontrollon. Që të dy kanë qenë kundër dhe kjo u mbyll. Ndaj dhe vijmë te gara. Nuk e prisja kurrë se do të votonin 42 mijë anëtarë dhe unë këtë në ato mbledhje Kryesie, një herë apo dy herë sa u mblodhëm, e kam shprehur se mund të jenë edhe 5 mijë anëtarë, mund të jenë edhe 6 mijë anëtarë, se pas humbjes nuk ishte gjë e thjeshtë, por 42 mijë ishte një numër i shkëlqyer. Mund të kenë mbetur 2 mijë, 3 mijë për shkak të listave, por ardhja e 42 mijë anëtarëve, për mua ishte një gjë jashtëzakonisht e dobishme për PD. Nuk e kisha parashikuar këtë.

Megjithëse keni ikur nga drejtimi i opozitës, ju jeni mjaft aktiv. A ka hequr dorë Sali Berisha ndaj idesë për t’u kthyer sërish i pari i PD?
 Së pari, t’i marrim gjërat siç janë. Sali Berisha ka dhënë dorëheqje nga kryetari i PD, kjo është dorëheqje e parevokueshme e imja, ky ka qenë vendim.

E parevokueshme, që do të thotë në asnjë rrethanë ju nuk ktheheni më?
Jo, nuk kthehem më. Kryetar i PD nuk kthehem më. Unë kam dhënë dorëheqjen time. S’kam dhënë dorëheqje nga asgjë tjetër, full-stop. Unë jam 24 orë në 24 orë i angazhuar dhe i përkushtuar në politikë, dhe këtë e kam thënë ditën e parë kur kam dhënë dorëheqjen, këtë e them sot, dhe do ta them deri në orën e fundit kur do të merrem me politikë. Ky jam unë. Tani, po të më pyesësh: merrem me politikë? Ndoshta nga kohërat që jam marrë më shumë. Natyrisht, nuk drejtoj PD, por politikë nga mëngjesi deri në darkë.

Keni pritur në këtë zyrë z. Moor për një kohë jo të shkurtër krahasuar me vizitën që ka bërë te z. Rama, vetëm 6 minuta. Z. Berisha, sot me këtë informacion që keni, me këtë transparencë aq sa është e mundur, a do të mbanit të njëjtin qëndrim për refuzimin e armëve kimike?
 Tani nuk duhet të pyetet tjetri po të ishe sikur të ishe, sepse ai e ka shumë të vështirë të thotë, por një gjë të siguroj, që miqësia dhe luajaliteti im ndaj atij vendi nuk mund të cenohej. Kjo është ajo që mund të them unë. Vili do të ishte vendimi në atë kohë? Gjykuar nga ai moment, do të ishte Jo, por nuk mund ta them në mënyrën më përfundimtare këtë, sepse duhet të jesh në funksion dhe të bësh të gjitha vlerësimet dhe të përcaktosh taktikën, të përcaktosh qëndrimin. Të jap dy shembuj. Një herë u tha 10 vjet. Tani del që ajo bëhet me 60 apo 90 ditë. Unë një gjë them të sigurt: që Po-ja do të ishte Po dhe Jo-ja do të ishte Jo që në fillim.

Pra në rast se ju do të jepnit fjalën, do të shkonit deri në fund? Absolutisht nuk mund të tradhtoja kurrë.

Edhe kundër atij vullkani protestash?
Do të bëja zgjedhjet e mia unë pastaj. Ka shumë mënyra. Edi Rama duhet të jepte dorëheqjen. Në qoftë se gaboi. Politikani është politikan. Në qoftë se qytetarët e mi do të ngriheshin me forcë dhe do të thoshin se ne nuk ta pranojmë këtë, unë do t’u thosha: për nderin tuaj dhe nderin tim do të jap dorëheqjen. Ka zgjidhje politike. Merr ti rastet. Po ky zotëria e përqendroi të gjithë fokusin e brendshëm të tij dhe bëri atë që bëri. Nuk mund të bëhej.

Se dhe ju e dini që ka pasur analiza të pafund që ’97 lidhet me një ftohje me SHBA…
Ftohje ka pasur, por jo se i kam ikur fjalës. Jo. Asnjëherë dhe nuk mund të gjendet ndonjë rast. Sa seriozë mund të kemi qenë? Dakord, mund të mos kemi qenë dakord për gjëra të ndryshme. P.sh. nuk kemi rënë dakord për numrin e zonave ku do të përsëriten zgjedhjet etj., por jo fjalës. Nuk u kam thënë kurrë atyre se do t’i bëj gjithë zgjedhjet dhe një herë po bëj 1/3. Jo. Unë e kam pasur fjalën fjalë.

Zoti Berisha, a keni frikë se Shqipëria mund të projektojë një tronditje ekonomike si ajo e ’97-s?
Kjo që po bën qeveria është absolutisht lule ’97-ta ç’do të jetë kjo pas dy vitesh. Çfarë patëm në ’97-n? Patëm anën më negative se qytetarët humbën, por sektori publik nuk pati asnjë qindarkë të humbur. Lexo pak, është një shkrim themelor nga studiues britanikë, të cilin Parlamenti britanik e ka adaptuar si dokument zyrtar në këtë shkrim. Kjo quhet piramidëri, identike thotë ai me atë të gangsterëve shqiptarë të vitit ‘97. Kjo që po bën qeveria është një piramidë në sektorin privat, qeveria po shndërron financat publike në një piramidë të tmerrshme, nga e cila do të vuajë çdo shqiptar në qoftë se e toleron.

Kjo është paketë që votohet në Parlament?
Votohet në Parlament, por lëvizja qytetare mbarëpopullore është pastaj një “Parlament” në vetvete ajo.

Po paralajmëroni protesta?
Absolutisht mbështes çdo protestë, demonstratë, grevë, për të ndaluar shndërrimin e financave publike të Shqipërisë në një piramidë që do t’i kushtojë çdo qytetari shqiptar, dhe unë kam besim të madh që shqiptarët kanë tashmë vetëdijen e nevojshme për tregun për të ndaluar këtë rrokulliste të madhe që u ofron ky ekip.

Lajme të ngjashme

Back to top button