Kur politika është në krizë, keqpërdoret religjioni

Në komunën e Aerodromit në Shkup, u vunë themelet e kryqit ortodoks 56 metra të lartë. Ndërtimin e tij e financon organizata e Kongresit botëror Maqedonas në krye me Todor Petrov ndërsa këshilltarët e Komunës në krye me kryetarin e saj dhanë leje për ndërtim.

Si ndikon veprimi i tillë në një vend multietnik dhe multikonfesional si Maqedonia?

Publicisti Ramadan Ramadani vlerëson se me vendosjen e kryqit, bëhet keqpërdorimi i fesë dhe manipulim politik.

“Unë mendoj se maqedonasit nuk kanë krizë vetëm për identitetin por ata kanë krizë edhe fetare pasi që vetë kishat tjera  ortodokse nuk legalizojnë kishën maqedonase. Me vendosjen e këtij kryqi, mund të them se bëhet keqpërdorim i fesë”, tha për Portalb, Ramadani.

Ai shtoi se pushtetarët maqedonas harrojnë se Maqedonia është shtet multietnik dhe multifetar.

“Maqedonasit shpesh harrojnë dhe nuk duan ta pranojnë që Maqedonia dhe Shkupi është një shtet multietnik dhe mulftikonfesional, këtë e shprehin shumë herë”, tha për Portalb, Ramadani.

Nga ana tjetër profesoresha universitare Maja Muhiç thotë se shpesh politika keqpërdor fenë për të arritur qëllimet e veta.

“Të gjithë e dimë se sa të forta janë emocionet religjioze dhe në kohe krize  feja bashkon popullin dhe për këtë arsye shpesh politikanë luajnë kartën e fesë për të arritur qëllimet e tyre politike”, tha Muhiç.

Ajo tha se ndoshta jo të gjithë qytetarët e lagjes së Aerodromit janë të pajtimit me këtë projekt, mirëpo secili ka të drejtën të shpreh mendimin e tyre.

“Nuk e di se nga e kanë gjetur inspirimin për ndërtimin e këtij kryqi, nuk mendoj se është ndonjë provokim për religjionet tjera sepse tek ne ka popull multkonfesional dhe hasim xhamia në lagjet maqedonase si dhe kisha në ato shqiptare. Gjithmonë në fillim mendohet se këto gjëra bëhen si provokim, por më pas gjendet një mirëkuptim dhe bashkëjetesë mes popujve në Maqedoni”, tha për Portalb, Muhiç.

Duhet të kihet parasusysh se Shkupi ka një kryq gjigand në Vodno i cili është 46 metra.

Gjithashtu mos harrohet fakti se muslimanët kërkuan xhami në këtë komunë por kërkesa u refuzua nga kryetari i komunës dhe anëtarët e këshillit.

Ndërkaq në anketat të cilën e realizuan televizioni Telma e Alsat me qytetarët e lagjes Aerodrom, vërehet se edhe ata janë kundër realizimin e këtij projekti dhe thonë se nuk dëgjohet zëri i popullit. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button