Miratohet buxheti 2014, këtë vit pa polici në sallë

Parlamenti e miratoi projektbuxhetin për vitin 2014 me 67 vota “për” dhe me 26 vota “kundër”. Të ardhurat janë planifikuar në 158 miliardë dhe 343 milionë, ndërsa të dalat në 176.514 denarë. Deficiti buxhetor është planifikuar në nivel prej 3,5 për qind dhe do të financohet nga burime vendore dhe të jashtme. Rritja e BPV-së është projektuar në 3,2 për qind, ndërsa inflacioni në 3,3 për qind.

Për dallim nga viti i kaluar, sivjet deputetët nuk u përzunë nga salla me polici edhe pse kishte tension dhe akuza të ashpra.

Fazliu i PDSH-së dhe Jakupi i BDI-së, i ilustruan fjalimet e tyre, edhe me fotografi. I pari lajmëroi se PDSH nuk e voton këtë buxhet që është antishqiptar, ndërsa i dyti tha se në të janë përfshirë edhe kërkesat dhe nevojat e shqiptarëve. 

“Do të votojmë kundër sepse ky buxhet i diskriminon shqiptarët, është buxhet i cili ende më shumë do ta thellojë varfërinë e tyre, papunësinë dhe jo -perspektiven e tyre. Ky buxhet do tua shtojë jo-sigurinë dhe vuajtjen e tyre. Ky buxhet do tua bëj jetën e mirë vetëm atyre që do ta votojnë atë, ministrat dhe deputetët e BDI-së. Nuk do ta votojmë këtë buxhet i cili jep para për kryqe dhe kisha, ky është buxheti që lejon të ndërtohet Shtëpia e oficerëve serb në vend të Burmali Xhamisë, është buxheti që lejon ndërtimin e përemërores së car Dushanit dhe të tjerëve. Ne nuk do ta votojmë këtë propozim buxhet i cili i le shqiptarët të jetojnë në varfëri dhe kushte mizore. Shikoni këtë foto dhe do ta kuptoni” tha sot deputeti i PDSH-së, Bekim Fazliu.

 “Buxheti i viti 2014 është vazhdim i realizimit të projekteve të hartuara nga BDI-ja dhe i miratuar nga qytetarët, nga votuesit shqiptarë në RM, meqë edhe në këtë projekt-buxhet janë të parapara mjete financiare me të cilat mbështeten projekte për ndërtimin e shkollave, rrugëve lokale, magjistrale dhe rajonale, për ndërtimin e çerdheve, për ndërtimin e sallave sportive, shkollave të mesme dhe për Universitetin shtetëror të Tetovës. Parashihen bllok donacione për të gjitha komunat në vend dhe në veçanti me ata të cilat qeverisin kryetarë shqiptarë”, deklaroi Nexhati Jakupi nga  BDI.

“Problemi baze i projeksioneve buxhetore te kësaj qeverie lidhet me faktin se ne mase te konsiderueshme ka futur shëtitin ne borxhe duke i përdorur qindra miliona euro për projekte kapitale joproduktive te cilat projekte do te krijojnë shpenzime te reja fikse për mirëmbajtjen. Kulminacioni i këtyre politikave inventive kapitale joproduktive dhe korruptive është pa diskutim projekti Shkupi 2014”, thotë Naxhi Xhelili nga RDK.

Sipas zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Financave Zoran Stavreski, Buxheti për vitin 2014 do të mundësojë rritje ekonomike më dinamike përmes realizimit të investimeve kapitale të cilat janë për 11 për qind më shumë në krahasim të këtij viti dhe do ta ruajë stabilitetin social përmes rritjes së vlerës për pensione dhe asistencë sociale, si dhe përmes rritjes së vlerës për subvencione prej 140 milionë euro.

Deputeti i LSDM-së, Goran Misovski, ka ngritur në foltore manifestin e  premtimeve parazgjedhore të VMRO-DPMNE-së, duke e konsideruar atë si manifest i gënjeshtrave dhe manipulimeve.

“Për shtatë vite ët qeverisjes së VMRO-së, mjerim, varfëri, xhepa të zbrazur, njerëz që kërkojnë nëpër mbeturina, është fotografia e Maqedonisë. Një numër i madh i premtimeve të Gruevskit dhe Stravrevskit, nuk janë plotësuar, ndërsa Qeveria manipulon me qytetarët”, tha Goran Misovski. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button