A duhet bashkësia ndërkombëtare të ndikojë në shtyerjen e zgjedhjeve në Maqedoni?

Faktori ndërkombëtarë doli me vlerësim rreth zgjedhjeve të caktuara më 24 prill dhe bëri me dije se nuk janë plotësuar ende kushtet për të siguruar zgjedhje kredibile dhe të njëjtat u shtynë, me qëllim plotësimin e kushteve po pa përcaktuar datën.

Datën e 5 qershorit e definuan partnerët e koalicionit qeveritar BDI dhe VMRO-DPMNE. Data u betonizua por nuk u ndërmor ndonjë hap konkret më shumë për t’i plotësuar kushtet, çështja e mediave nuk u zgjidh, Lista zgjedhore nisi të pastrohet por nuk ka informacion nga KSHZ nëse e njëjta do të pastrohet dhe të jetë gati për zgjedhjet e 5 qershorit.

Njohësit e çështjeve politike në deklaratat e tyre për Portalb theksojnë se faktori ndërkombëtarë duhet të jetë më konkret dhe të ushtrojë presion për plotësimin e kushteve për zgjedhje kredibile, sepse tani shumë pak kohë ka mbetur.

Analisti Selim Ibraimi vlerëson se bashkësia ndërkombëtare duhet ta forcojë qëndrimin kundër mosplotësimit të kushteve për zgjedhje të lira e të drejta.

“Tani shumë pak kohë ka ngelur deri në qershor. Partitë në pushtet dëshirojnë të shkojnë në zgjedhjet e 5 qershorit. Konflikti procedural në mes gjykatave dhe qëndrimet e KSHZ-së e vështirësojnë pozicionin dhe qëndrimin e ndërkombëtarëve në Maqedoni. Shpalosja e vendimit se në çfarë faze të përgatitjes gjendet KSHZ dhe organet shtetërore do ti jepte fund konflikteve partiake. Fundja pas shumë cikleve zgjedhore jo të drejta, Maqedonisë do t’i duhet kohë për të hyrë në proceset normale demokratike”, tha për Portalb Ibraimi.

Ndërkaq, Bojan Mariçiq, drejtor ekzekutiv i Qendrës maqedonase për edukim evropian, mendon se tani është vonë që ndërkombëtarët të dalin me vlerësim për zgjedhje.

“Vlerësoj se tanimë është vonë që bashkësia ndërkombëtare të dale me vlerësimin për zgjedhjet. Ata tani duhet të fokusohen në anulimin e këtyre zgjedhjeve me një ndërmjetësim më serioz”, deklaroi për Portalb Mariçiq.

VMRO- Popullore është partia e vetme që deri më tani ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare si garantues për Marrëveshjen e Përzhinos që të dal me vlerësim rreth përmbushjes së kushteve për zgjedhje.

“VMRO-Popullore i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare që si garantues për zbatimin e Marrëveshjes së Përzhinos, qartë, preciz dhe në mënyrë korrekte të tregojë se a janë përmbushur kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve më 5 qershor dhe a është e gatshme t’i shpallë zgjedhjet si të rregullta, ndërkaq rezultatet si legjitime”, thuhet në kumtesën e VMRO-Popullore./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button