Britani, Cameron përballë deputetëve, edhe Osborne e Corbyn publikojnë taksat e tyre

Duke dalë për herë të parë përpara parlamentarëve britanikë, që prej zbulimit të “Panama Papers” dhe debateve mbi çështjet e taksave të familjes së tij, kryeministri britanik David Cameron ka dalë në mbrojtje të të drejtës së britanikëve për “të bërë parà në mënyrë të ligjshme”, njofton TCH.

Ai tha se, edhe një numër organizatash të sektorit publik, përfshi sindikatat tregtare dhe BBC-në, kanë marrëveshje të ngjashme investimesh, duke i përshkruar ato si “një praktikë standarde dhe aspak të dizenjuar për të shmangur taksat”. Sipas kreut të konservatorëve, duhet bërë qartazi dallimi mes sipërmarrjes, aspiratës dhe “reduktimit artificial të taksave”.

“Po, është e drejtë të forcosh ligjin dhe të ndryshosh kulturën në lidhje me investimet, për të luftuar edhe më tej evazionin fiskal dhe për të shkurajuar shmangien agresive të taksave”, tha ai. “Por, teksa bëjmë këtë gjë, duhet të bëjnë dallimet midis skemave të dizenjuara për reduktim artificial të taksave dhe atyre që inkurajojnë investimet. Kjo është një qeveri dhe ky është një vend, që beson tek aspiratat dhe në krijimin e pasurive”, shtoi më tej Cameron.

Parlamentarëve, ai iu deklaroi gjithashtu se kishte vendosur të shiste aksionet që në vitin 2010, përpara se të bëhej kryeministër i Britanisë së Madhe, me qëllim që të shmangte perceptimet e një konflikti të mundshëm interesi.

Edhe pse fillimisht tentoi të rezistonte përballë presionit, Cameron e pranoi se kishte pasur aksione në kompaninë “offshore” të ngritur prej babait të tij, aksione të cilat i kishte shitur e për të cilat kishte paguar rregullisht taksat, duke e vërtetuar këtë edhe me publikimin e të gjitha taksave të paguara prej tij që kur është bërë kryeministër. Një publikim të ngjashëm kanë bërë edhe George Osborne, në rolin e ministrit të Financave, sikurse edhe Jeremy Corbyn i laburistëve opozitarë dhe Boris Jonson, kryebashkiak i Londrës.

Kancelari i Thesarit, Osborne publikoi detajet mbi taksat e paguara prej tij, teksa në dokumentet e detajuara shihet se ai ka paguar 72.210 paund taksa gjatë vitit 2014-2015, për të ardhura totale prej 198.738 paundësh gjatë së njëjtës periudhë.

Kjo seri publikimesh të çështjeve personale financiare mes politikanëve erdhi pasi “Doëning Street” tha se të gjithë “kryeministrat potencialë” dhe kancelarët (apo ministrat) duhet të publikojnë pagesat e taksave mbi të ardhurat vjetore në të ardhmen.

Duke folur në Dhomën e Përfaqësuesve, kreu laburist Jeremy Corbyn tha se “ka një ligj për të pasurit dhe një tjetër për pjesën e mbetur të popullsisë”, teksa sugjeroi se qeveria është treguar “e paaftë në ndërmarrjen e veprimeve globale kundër fshehjes së taksave”.

Megjithatë, kryeministri Cameron ngriti dyshime për kohën e gjatë që u desh, që udhëheqësi i opozitës të publikonte pagesat e taksave nga ana e tij, ku spikat pagesa prej 18.912 paund taksa mbi të ardhurat prej 70.795 paundësh gjatë vitit të fundit financiar. Gjithsesi, edhe pas publikimit të financave të tij personale, duket se Corbyn e ka bërë një “gafë”: nuk ka mbajtur një kopje të deklarimeve për vete, ndaj dhe pritet t’u kërkojë institucioneve të Të ardhurave dhe Doganave një kopje të deklaratës së dorëzuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button