KOSOVATRANS

“Kush e paska lanë kot tullë ktau te dera, be nanzën e nanës?! A lihet tulla para derës s’sallës”? tha Duli duke u penguar në një tullë e duke rënë në gjunjë në pllakat e betonta ku i grisi pantallonat e shtrenjta. Kjo ndodhi kur doli nga mbledhja e gjatë e Komisionit për mbrojtjen e mbrojtjes së ambientit të njeriut të lodhur.

Dita ishte si çdo ditë tjetër, që kur Duli e kishte kërcyer gardhin që e ndan te ne jetën agrare nga jeta politike dhe nga bujku, hop,  ishte bërë deputet. Ishte një ditë e bukur, e këndshme. Mirëpo ja që u prish kjo ditë e bukur me këtë të penguar në tullë. Këso dite s’kishte pasur gjatë këtyre dhjetë e ndoshta edhe më shumë viteve sa kishte qenë herë deputet, herë drejtor e herë ndonjë facë tjetër të cilit i takon shoferi, sekretaresha dhe do takravate të tjera privilegjesh. Ditë e parë ters e tij në karrierën politike.

Dulit t’i grisen pantallonat?! Dulit t’i vriten aq keq gjunjët? Madje tash, kur vendoset a do të shpëtohet kolltuku i tij i kryeshefit të Entit për dëgjueshmëri politike, ku po e kalonte mandatin e dytë? Kjo nuk mund të jetë e rastit! Kjo është punë e bërë me qëllim.

Duli mori t’i shkundë pantallonat e grisura, mirëpo vetëm i përleu duart me gjakun që i kishte rrjedhur.

“Bre nanën”! tha dhe e ktheu kryet prapa. Prapa e pa Kocen, deputetin e partisë me të cilën partia e Dulit ishte në koalicion, një trashaluq, me gjerdanin prej dhjami që i varej nën mjekër, që kishte dalë si Duli, para se të mbaronte mbledhja. Rrinte Koceja në këmbë me cigare në dorë dhe shkrihej së qeshuri. Pastaj Koceja, në vend se t’i thoshte: a mos u lëndove Dul, në vend se të vraponte t’i ndihmojë të çohet, ia bëri:

“Kosovatrans”!  Prapë qeshi, tash me cinizëm.

Duli  nuk ia vuri veshin shumë kësaj fjale që ia drejtoi Koceja, por, kur deshi të largohet, para vetes, në tokë,  i doli një poster ku ish i fotografuar një njeri zhelan me kësulë të bardhë, me fytyrë të shëmtuar, hipur mbi një dash e mbi krye të njeriut shkruante:

“Kosovatrans”!

Duli kishte dhembje të mëdha në gjunjë, prandaj s’mundi të ndalet ta shohë se çfarë është puna me këtë fotografi që u gjet e madhe para tij. Ai e thërriti shoferin me telefon dhe kërkoi ta çonte në shtëpi.

Kjo ditë prilli mbahet në mend jo vetëm për pantallonat e grisura dhe për gjunjët e skapitur të Dulit, por më shumë nga ajo e qeshur cinike e Koces. Një e qeshur si e Mamlit, e atij qenit inspektor policor nga filmat e vizatuar.

E ndiqnin këto pamje Dulin e shkretë, përveç sjelljes së Koces edhe fotografia e njeriut me plis hipur mbi dash që ishte një mesazh përbuzës, fjala “Kosovatrans”, të gjitha fyerje në adresë të shqiptarëve, e ndiqnin me ditë e me net, i ushtonin në dhomë, kur binte të flejë, kur dilte në kopshtin e gjerë që e kishte blerë në qytet dhe ku punonte aty orëve të pas ditës për të mos e harruar atë që ishte faktikisht–  një bujk.  E ndiqnin të gjitha këto edhe në ëndërr dhe ia zinin frymën.

Kaloi një ditë, kaloi e dyta, e treta, kaloi madje edhe java, Duli filloi t’i harrojë gjunjët e pantallonat, por s’e  harronte atë skenën me Kocen, kolegun e komisionit dhe të koalicionit. Zgjohej i rraskapitur, e kërkonte me zor kafenë nga e shoqja, mundohej ta fundosë në thashetheme atë ndjenjën që ia nxirrte si në pasqyrë atë fytyrën e tultë të Koces, por ajo pasqyrë i thyhej e i bëhej copë me copë dhe fytyra e Koces shumëzohej para tij aq sa kishte copa të thyera të pasqyrës. Me qindra!

“Jaaa”! tha vet me vete Duli. “D’ja thkej Koces. D’i tham: taj be idiot ma ke vu tullën ataj, taj ma ke kurdisë! Nuk mundesh taj t’lujsh mastrapalla me ni drejtor kshtau! D’i bërtas! D’i tham se kjo nuk asht shaka, po asht ni atentat me motive shoviniste, bre i poshtër! E, ta merr mendja  d’e paditi!

Aj, Kocja, njer i asaj partie çi partia jonë e ma n’kurrajz, i asaj partie çi na ka ba urë neve e përmaj shpajnën tonë ka vu put mas puti, i asaj partie çi i shërbejmë me durë e me kamë, aj t’ma boje kshtau? Jaaaa! D’i kallxoj unë atij kush asht Duli”!

Si iu përthanë pakëz varrat në gjunjë, Duli u vesh, u mbath dhe doli i vendosur të shkojë në komision, jo aq për mbledhje, por më shumë që t’ia thotë Koces gjithë ato që mendonte t’ia thotë. Kur arriti te dera e ndërtesës së komisionit – ja Koceja. Në atë çast diçka e pashpjegueshme ia turbulloi trurin Dulit e Duli u zbeh. Iu shter zëri. Koceja u rrit para syve të tij, një Koce trashaluq mori përmasa të përmendoreve të mëdha të sheshit të qytetit. Duli e ndjeu veten të imët, të parëndësishëm para tij që e ngriti gishtin vigan qortues. Duli, pastaj, e ktheu kokën kah rruga dhe atje iu bë se ishte kolltuku i vet i thyer i kryeshefit, i hedhur në rrugë. E pa veten jashtë pushtetit, duke u kthyer në arat e mbetura djerrë. Kurse mbi kokë i rrinte Koceja.Në atë çast Duli ndërroi mendje:

“Jo, s’um ka thanë xha Koceja, as une s’kum najë xha t’um përçeshje me fjalën ‘Kosovatrans’, as kum pa doni poster me njerin e shkretë me ksulë t’bardhë t’hipëm maj dash… Kshtau do m’jese përhi mu, kshtau do m’jese sreditë”, tha.

Ndërkaq Koceja trashaluq vazhdonte të qeshë me cinizëm e kur u afrua Duli, ai ia përsëriti ngadalë atë fjalën me ferra:

“Kosovatrans”!

Pastaj të dytë, Koceja superior dhe Duli minor,  hynë bashkë në mbledhjen e Komisionit për mbrojtjen e mbrojtjes së ambientit të njeriut të lodhur.

Koceja i buzëqeshi përsëri përballë, me ironi e Duli në buzët e Koces e lexoi fjalën:

“Kosovatrans”!

Duli e mblodhi veten, e përshëndeti me dorë Kocen e i buzëqeshi artificialisht me buzët vesh e më vesh.

“Megjithatë”, e ngushëlloi Duli veten,” jemi në koalicion”, tha.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button