Hetimi i korrupsionit fut në krizë qeverinë turke

Hetimet e policisë turke në një skemë miliona dollarëshe të blerjes së arit, e cila përfshin edhe Iranin, janë duke krijuar një krizë të madhe politike për kryeministrin Recep Tayyip Erdogan.

Çështja e komplikuar ka bërë që Erdogan të akuzojë policinë për “operacion të pistë” kundër qeverisë së tij, pasi ajo ka pasur në shënjestër djemtë e tre anëtarëve të kabinetit, së bashku me 80 biznesmenë dhe burokratë, për ryshfet dhe mashtrim.

Në të njëjtën kohë, Erdogan ka lënë të kuptohet se ata që kanë nisur hetimet i përkasin një organizate, që mundohet të dëmtojë qeverinë e tij dhe “të bëhet shtet brenda shtetit”.

Erdogan nuk e ka emëruar organizatën, por ka përdorur referencat që e bëjnë të qartë se akuzon ndjekësit e Fethullah Gulenit, një klerik mysliman me ndikim, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara.

Barcin Yinanc, gazetar i politikës në “Hurriet Daily News”, thotë se kjo nuk është hera e parë që Erdogan akuzon ndjekësit e Gulenit, të cilët kanë fituar pozicione me ndikim brenda gjyqësorit dhe forcës policore.

“Opinioni publik e di se për kë flet kryeministri ose ministrat e tij, kur përmendet organizata paralele ose shteti brenda shtetit, sepse kjo nuk është hera e parë që kryeministri turk ose ndihmësit e tij ankohen për ekzistencën e një organizate të tillë”, thotë Yinanc.

Beteja kundër korrupsionit ka vënë hetuesit policorë dhe disa prokurorë kundër rrethit të brendshëm të ministrave të Erdoganit.

Hetuesit kanë bastisur shtëpitë e të dyshuarve dhe kanë folur para mediave për detajet që kanë gjetur. Disa nga zbulimet më të bujshme të raportuara kanë qenë kutitë e këpucëve të mbushura me 4.5 milionë dollarë në shtëpinë e drejtorit ekzekutiv të bankës shtetërore, Halkbank, dhe makina për numërimin e parave dhe grumbuj parash të gatshme në dhomën e gjumit të djalit të një ministri të qeverisë.

Njoftimet e shtypit thonë se hetimet fokusohen në korrupsion, që lidhet me pagesat nga Turqia të naftës dhe gazit iranian, të cilat janë konvertuar nga paratë e gatshme në ar, për t’u dërguar më pas në Iran përmes Dubait.

Se kush prej Qeverisë turke mund të jetë i përfshirë në pastrimin e parave dhe nëse Qeveria iraniane është e përfshirë po ashtu, nuk është e qartë, por një i dyshuar kryesor për korrupsion është një biznesmen iranian në Turqi, Reza Zarrab, i cili është i martuar me një këngëtare të njohur turke dhe ka kontakte të shumta në të dyja vendet.

Turqia importon energji iraniane, pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare kundër Iranit, sepse thotë se ka nevojë për naftë dhe gaz për ekonominë e saj. Ankaraja zyrtarisht paguan importet me lirën turke, pasi sanksionet i ndalojnë të paguajë me dollarë ose euro. Megjithatë, raportet e reja thonë se iranianët më pas i përdorin këto lira për të blerë ar në Turqi.

Rasti ka pasoja përtej Turqisë dhe Iranit, sepse zyrtarët amerikanë janë munduar të ndalojnë eksportet e arit turk që do t’i jepnin shpëtim financiar Teheranit, të goditur rëndë nga sanksionet e Perëndimit për shkak të programit të tij bërthamor. Skema e blerjes së arit mund të shkelë edhe sanksionet e Shteteve të Bashkuara ndaj Iranit, të cilat ndalojnë eksportin e metaleve të çmuara në Republikën Islamike.

Në përgjigje të skandalit, qeveria ka goditur duke shkarkuar gjashtë zyrtarë të lartë të policisë nga puna, përfshirë shefin e policisë së Stambollit, Huseyin Capkin. Erdogan po ashtu ka thënë se do të emërojë personalisht dy prokurorë për të ndihmuar në mbikëqyrjen e hetimeve.

Hetimet për korrupsionin kanë turpëruar Erdoganin, sepse Partia e tij për Drejtësi dhe Zhvillim ka ardhur në pushtet në vitin 2003 me fushatën “duar të pastra”, e cila është përqafuar gjerësisht nga votuesit. Hetimet e tanishme janë të parat në një shkallë të tillë, që sfidojnë këtë imazh dhe që vijnë vetëm pak muaj para zgjedhjeve lokale dhe presidenciale të Turqisë.

Yinanc thotë se hetimet tani sinjalizojnë një ndarje përfundimtare midis besnikëve të Erdoganit dhe ndjekësve të Gulenit, i cili fillimisht ka ndihmuar për të sjellë në pushtet Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim.

“Të dy ata në të kaluarën kanë bashkuar forcat për të luftuar armikun e përbashkët, i cili ka qenë rendi i vjetër, i bazuar në forcën kemaliste, ushtrinë laike dhe elitën gjyqësore. Tani, të dy kanë nisur të luftojnë për mënyrën e qeverisjes. Pra, në thelb, ka të bëjë me ndarjen e pushtetit dhe kush do të ketë rol mbi çështjet e caktuara”, thotë Yinanc.

Gulen ka jetuar në Shtetet e Bashkuara qysh në vitin 1999, kur është larguar nga Turqia për të kërkuar trajtim mjekësor. Largimi i tij ka ardhur pasi është kuptuar se do të gjykohet për gjoja inkurajim të ndjekësve të tij për të pritur një moment të favorshëm, për të transformuar vendin e tij në një shtet islamik.

Kriza me korrupsionin dhe përballja e dukshme me ndjekësit e Gulenit janë sfidat e fundit të Erdoganit këtë vit.

James Ker-Lindsay, ekspert nga Turqia në Shkollën për Ekonomi dhe Shkenca Politike në Londër, ka këtë shpjegim:

“Ka pasur sfida në rritje për autoritetin e tij në Turqi gjatë këtij viti. Protestat laike që janë zhvilluar në fund të majit dhe gjatë qershorit kanë qenë shumë kundër asaj që është perceptuar të jetë një tendencë autokratike dhe islamike e Erdoganit. Ajo çfarë shumë në këtë moment është diçka që vjen nga një kënd edhe më fetar. Pra, janë të tjerët që kanë një opinion më islamik, të cilët janë po ashtu të shqetësuar për rrugën kah po shkon Erdogani”.

Stili komandues i Erdoganit ka qenë në dukje këtë javë, pasi ai e ka quajtur hetimin e korrupsionit keqpërdorim të pushtetit. Kundërsulmi i ashpër i tij i bën jehonë strategjisë që ka përdorur me sukses për të dërguar gjeneralët e lartë në burg, nën akuzat për planifikim të grusht-shteteve.

Nëse strategjia e njëjtë do të bëjë punë ose nëse hetimi i korrupsionit do të jetë shumë i madh për t’u shtypur, do të jenë pyetje që do të preokupojnë Turqinë në javët e ardhshme. Përgjigjja përfundimtare do të vijë kur turqit t’iu drejtohen kutive të votimit vitin e ardhshëm.

Lajme të ngjashme

Back to top button