Pendarovski, Maleski apo Kerim, BDI shqyrton me amerikanët kandidatin për president

Në takimin e djeshëm në Shkup të liderit të BDI-së, Ali Ahmeti dhe ambasadorit Paul Wohlers temë kryesore ka qenë kandidati konsensual për president të ardhshëm të Maqedonisë. Sipas kumtesës së kabinetit të Ahmetit, BDI do të mbështet  “një kandidat konsensual për president që do të ishte i pranueshëm për të gjithë qytetarët” duke mos përmendur emrat konkret.

Portalb mëson se emrat të cilët lakohen nga BDI për këtë post janë ai i Stevo Pendarovskit, Denko Maleskit si dhe Srgjan Kerimit.

Burime për Portalb thonë se amerikanët kanë qenë më të interesuar më shumë për dy emrat e parë, Maleski dhe Pendarovski, kandidat që me gjasa të mëdha do të mbështeten edhe nga opozitarja maqedonase Lidhja Social Demokrate.

Por nga ana tjetër emri i diplomatit Kerim është përmendur si kandidat i përbashkët i BDI-së me partnerin e koalicionit, VMRO DPMNE. Sipas mediave maqedonase Ali Ahmeti dhe Musa Xhaferi gjatë muajve të fundit kanë realizuar disa takime tet-a-tet me Kerimin.

Kerim është duke zhvilluar takime me qytetarët dhe përgatit fushatën e tij presidenciale. Ditë më parë ai ishte në Tetovë ku dha një donacion për një shkollë fillore. Megjithatë ai publikisht ka mohuar se bën fushatë presidenciale.
 
Ideja e kandidatit konsensual nuk është komentuar nga partitë maqedonase VMRO-DPMNE dhe LSDM, ndërsa për PDSH ende nuk dihet se çfarë kandidati po shqyrton. /portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button