Mediat shqipe për ngjarjet e fundit në rajonin e Kumanovës: Të vërtetat paralele

Teoricienët e medias, janë dakord se një ngjarje e rëndësishme, zhvillohet paralelisht në dy rrafshe. Njëra është ngjarja që ndodh vërtetë dhe tjetra është mënyra se si transmetohet ajo në media. Mes këtyre të dyjave, dallimi ndonjëherë është shumë i madh. Një ndër dijetarët e studimit të konstruktit të lajmit, Fishman, thotë se:

“… Lajmi nuk është as reflektim dhe as shtrembërim i realitetit, sepse secili nga këto karakterizime nënkupton që lajmi mund të pasqyrojë atë që ndodh “atje”… nocioni i “selektivitetit të lajmeve” është i gabuar… sa i takon supozimit të tij për ekzistencën e subjekteve që janë “atje”.”

(Fishman,1997:211)

Fishman mohon nocionin e selektivitetit të lajmit, sepse përveç që gazetarët zgjedhin se çfarë të raportojnë nga ajo që ndodh, ai thotë se, në realitet, mund të ndodhin edhe gjëra që gazetarët nuk i shohin. Prandaj, sipas Fishman, nëse lajmi reflekton ndonjë gjë, ajo është praktika e vetë gazetarit. Mbi bazën e këtyre koncepteve, duke e ditur që përcjellja e informacionit varet shumë nga gazetari, janë themeluar kode dhe rregullore, nëpër filtrat e të cilave duhet të kalojë lajmi, përpara se ai të publikohet.

Shkruan: Fatlume Dervishi, Master Shkencor, Marrëdhënie me Publikun

Analiza konsiston në raportimin e mediave mbi zhvillimet e fundit në disa rajone kufitare në veri të vendit, ku u përqendruan një sasi e shtuar e forcave policore. Duke pasur parasysh zhvillimet e një viti më parë, në po këtë rajon, jo më kot, mediat i kushtuan një rëndësi të madhe. Por, ajo që ishte më shqetësuese, ishin informacionet e pakonfirmuara që u transmetuan, sidomos nga mediat që nuk dërguan gazetarë në terren për të parë situatën, por gjithë çfarë përdorën për bazë të përmbajtjeve të botuara ishin spekulime dhe informacione të pakonfirmuara të dorës së dytë dhe të tretë.

Trego mëshirë për ata që mund të ndikohen negativisht nga mbulimi i lajmit.

Ki parasysh se ai informacion i mbledhur dhe i raportuar mund të shkaktojë dëm ose siklet. Ndjekja e lajmit nuk të jep të drejtën për të qenë arrogant.”

(Straubhaar, LaRose & Davenport, Fq 478, Komisioni Hutçins ose Komisioni i Lirisë së Shtypit, 1947)

Edhe Kodi Etik i Gazetarëve të Maqedonisë e dënon ngritjen e shqetësimeve të pabaza dhe nxitjen e panikut te masa.

 “Gazetari nuk guxon që për shkak të atraksionit të tekstit/kontributit të nxisë shqetësime të pabazuara ose shpresa te bashkëbiseduesit, ose të manipulojë me ndjenjat e tyre.”

Kodi Etik i Gazetarëve të Maqedonisë, Pika 7.

Analiza ka përfshirë lajmet e publikuara në periudhën 25 dhe 26 mars, që nga publikimi i informacioneve të para në median përkatëse dhe deri te qëndrimi zyrtar i MPB-së, gjegjësisht vetë ministrit Spasovski që “hodhi dritë” mbi ngjarjen. Kur qëndrimi zyrtar i institucionit kompetent akoma nuk ishte mësuar, arsyet e mobilizimit të policisë, sipas mediave, gjegjësisht sipas burimeve që ato shfrytëzuan, u trajtuan në tre rrafshe;

  • refugjatët,
  • grupet e armatosura nga Kosova dhe
  • shërbimet (të trajtuara si skenarë të pushtetit).

Objekt analize kanë qenë tre televizione kombëtare, Televizioni Alsat M, Televizioni 21 dhe Televizioni Shenja. Nga mediat elektronike janë përzgjedhur Portalb, Zhurnal dhe Lajmpress që, gjatë anketës të fundit të Brima Gallup, rezultuan të jenë tre portalet më të lexuara për zhvillimet politike.


PORTALET

Disa nga Portalet kanë fshirë plotësisht ose pjesërisht disa nga shkrimet e publikuara pas marrjes së informacionit të parë. Ata gjatë transmetimit të informacioneve të para dhe të pakonfirmuara, ngritën dyshime për grupe të armatosura që kinse ishin futur nga Kosova, duke i dhënë një dimension tjetër ngjarjes. Madje një pjesë e tyre publikisht parashtronin pyetje për viktima të mundshme, gjë që shtoi frikën në opinion. Nuk dihet gjeneza e këtyre informacioneve, që edhe nuk është qëllimi i këtij studimi. Secili, përpara se publikojë një artikull, duhet t’i ketë parasysh parimet etike, pavarësisht çfarë kanë raportuar të tjerët. Portalet nuk janë pjesë e Ligjit për Mediat në Maqedoni, kështu që për disa paspekte profesionale ju mbetet vetëm vetërregullimi, ose respektimi i normave etike.

Përgjithësisht duhet të shmanget tërheqia e materialit që njeherë është publikuar në Internet, ndërsa nëse ai ndryshohet ose tërhiqet duhet qartë të saktësohet.

Të gjitha gabimet duhet të vërtetohen dhe të korigjohen. Pranimi i gabimeve është korektësi, ndërsa fshehja është e papranueshme për dinjitetin profesional.

Kodi i Gazetarëve të Maqedonisë, Pika 2

Portalb

Portalb – i e ka mbuluar gjithë ngjarjen në një tekst të vetëm (“Spasovski flet për praninë e përforcuar të policisë mbrëmë në Likovë”), të shkruar pasditën e datës 26 mars. Në të njëjtin tekst janë përmbledhur të gjitha zhvillimet e një nate më parë, asaj që u spekulua dhe asaj që u dëshmua. Po aty është edhe informacioni primar i marrë nga uebi i gazetës Koha kurse koka e lajmit është vetë qëndrimi i Spasovskit. Shkrimi në Portalb, përmban inicialet e autorit.

Zhurnal

Zhurnal, nga lajmi i parë, deri në deklaratën e ministrit Spasovski ka gjithsej gjashtë artikuj (të paktën aq figurojnë akoma në portal). Materialet në Zhurnal janë publikuar me inicialet e tre autorëve të ndryshëm megjithatë në asnjë rast nuk thuhet se ky portal ka angazhuar ndonjë gazetar në terren. Lajmi i parë fillon në mënyrë konfuze, duke mos lajmëruar se çfarë ka ndodhur paraprakisht “Agjencia e Lajmeve Zhurnal vuri kontakt me disa banorë të fshatit Vaksicë rreth aksionit policor të realizuar në këtë lokalitet. Nga atje njoftuan se aksioni ka të bëjë me qëndrimin ilegal të emigrantëve nga Siri në këtë fshat.” Raportimi vazhdon me një informacion dhe kronikë që Zhurnal ka huazuar nga Televizioni 21. Saga e historisë vazhdon ditën e nesërme ku Zhurnal shkurt njofton për një situatë të qetë dhe për qytetarët që vazhdojnë normalisht ditën. Ajo që mungon këtu, është prezenca e gazetarit në vendngjarje për t’i përcjellë publikut përshtypjen e banorëve, me qëllim të mbështetjes së idesë fillestare, se situata është e qetë. Teksti i radhës nga Zhurnal për ngjarjen është njoftim për konferencën e paralajmëruar nga ministri Spasovski për të vazhduar më pas me një artikull origjinal në zhanrin e analizës. Në të nuk mungojnë komentet dhe analiza edhe nga vetë autori, sidomos në fund të artikullit.

“Ndryshe për arsye të problemeve të brendshme politike çdoherë Gruevski krijon incidente të vogla, me qëllim që në fund të përfundojnë të suksesshme dhe të tërheqin vëmendjen nga problemet e tjera serioze politike që kaplojnë vendin. …ndërsa pushteti i mbulon me atë se armiqtë e jashtëm dhe të brendshëm e dëmtojnë, si dhe mbulon fytyrën e vërtetë, mbulon atë mundësinë që të ndërtojë institucione të mirëfillta shtetërore që tju shërbjen qytetarëve të vendit.”

Në fund, është deklarata e Spasovskit, gjatë raportimit të së cilës, autori ka respektuar parimet për pasqyrim objektiv. Ajo që bie në sy është se pothuajse në çdo tekst të Zhurnalit citohen burime që fajësojnë portalet për panik dhe ndjellje frike te masa.

Lajmpress.mk

Që nga dhënia e informacionit të parë dhe deri në prononcimin zyrtar të MPB-së, në portalin Lajmpress.mk janë publikuar gjithsej 9 artikuj (janë numëruar dhe analizuar vetëm artikujt që gjenden akoma në ueb). Lajmpress.mk ka qenë një ndër portalet me më shumë artikuj për ngjarjen në përgjithësi.

Informacioni i parë i Lajmpress.mk njofton se një gazetar i Lajm ka qenë dëshmitar i ngjarjes dhe kjo disi jep një ndjenjë më të fortë vërtetësie. Autori thekson se kanë tentuar të marrin prononcimin e policisë dhe ndërlidhjen që bën me ngjarjen e një dite më parë e thekson si të pakonfirmuar, gjë që është brenda standardeve. Edhe artikulli i dytë, edhepse i shkurtër, përmban burime që japin disa të dhëna. Po kaq i shkurt është edhe lajmi tjetër i cili me një burim, plotëson tekstet paraprake për të njëjtën temë, duke konfirmuar edhe më tej se bëhet fjalë për kontrolle për shkak të emigrantëve. Kronika e Televizionit 21 bëhet përsëri burim për tu cituar edhe nga Lajmpress.mk. Çfarë nuk shkon në këtë rast, është titulli “Për Durakun situata normale, me policë të armatosur deri në dhëmbë” i cili ka tendencën që të kundërshtoi burimin. Edhepse burimi tenton të qetësojë situatën, autori tregon skepticizmin e tij duke theksuar gatishmërinë e forcave policore për diçka që mbase nuk i thuhet opinionit. Në vazhdën e raportimit është përfshirë edhe një status nga rrjetet sociale ndërkohë që autori sqaron relevancën e burimit me ngjarjen. Artikulli i pestë për vetëm një natë, njofton për përfundim të operacionit. Nën titullin e radhës “Në rajonin e Likovës gjithçka normale, MPB sot press-konferencë për operacionin e mbrëmshëm” është po i njëjti artikull i botuar edhe nga Zhurnal, i analizuar më lart, me titull “Në rajonin e Likovës gjithçka normale, MPB sot press-konferencë”. Edhepse Zhurnal ka publikuar lajmin para Lajmpress.mk, ai nuk është cituar. Më tej Lajmpress.mk ka transmetuar një informacion të marrë nga Televizioni Telma. I njëjti është interpretuar dhe është cituar por nuk është përmendur asnjë burim. Risia që përcjell ky shkrim është se vala e refugjatëve, për të cilët është organizuar e gjithë ngjarja nga ana e policisë, sipas autorit është rezultat i politikës së autoriteteve serbe.

“Sipas burimeve të njëjta, nga 22 shkurti e deri më sot, Serbia ka organizuar që përmes kalimeve ilegale të ktheje refugjat në Likovë të cilët janë paraqitur në Vakcincë dhe Likovë.”

Lajmpress.mk poashtu ka transmetuar objektivisht një pjesë të deklaratës së Spasovskit.

Në asnjë moment, në tekstet e Lajmpress.mk nuk identifikohet emri i autorit të tyre dhe nuk ka tregues që kjo medie ka pasur gazetar në vendin e ngjarjes, përveç në një rast kur ai (gazetari) raportohet të ketë qenë kalimtar rasti.

Portalb Zhurnal Lajmpress.mk
Spasovski flet për praninë e përforcuar të policisë mbrëmë në Likovë Konfirmim për Zhurnal: Policia në Vaksincë për qëndrimin e emigrantëve ilegal

LAJM I FUNDIT/Haraçina edhe sonte në shtetërrethim policor

 

Sadulla Duraku: Në Komunën e Likovës, situate është e qetë

Policia speciale rrethon edhe Sllupçanin, Vaksincën dhe Llojanin

 

Në rajonin e Likovës gjithçka normale, MPB sot press-konferencë

Kryetari i fshatit Llojan: Policia është prezente për shkak të emigrantëve

 

Ministri Spasovski sot në fshatin Mateç

Për Durakun situata normale, me policë të armatosur deri në dhëmbë

 

Analistët për Zhurnal: Çdoherë kur Gruevski ka qenë në “qorrsokak” mjegullon opinionin me qytetarët shqiptarë

Xhezair Shaqiri: Në Tanushë ska asgjë, lojë shërbimesh

 

Zyrtare: Spasovski: Nuk pati aksion, por prani të shtuar të policisë në rajonin e Kumanovës-Shkupit Përfundon operacioni policor në rajonin e Likovës dhe Haraçinës

Në rajonin e Likovës gjithçka normale, MPB sot press-konferencë për operacionin e mbrëmshëm

 

Sipas TV “Telma”, u prangosën trafikantë të refugjatëve nga Haraçina, Hotla dhe Saraji?!

 

Spasovski: Ngritëm shkallën e policëve, për përballje me emigrantët në të ardhmen

 

Në asnjërin nga portalet që analizuam nuk mund të gjejmë të dhëna nëse edhe ata kanë raportuar (spekuluar) për një grup të armatosur që është futur prej jashtë kufijve për të “destabiluzuar situatën”. Gjithsesi është për t’u çuditur edha ajo se si, pa e përmendur paraprakisht dyshimin në fjalë, portalet Zhurnal dhe Lajmpress.mk, në artikujt e radhës, në vazhdimësi kanë përgënjeshtruar këto të dhëna.

“MPB ka theksuar se operacioni ndërlidhet me krizën e emigrantëve dhe se përgënjeshtrohen informacionet se ka prani të grupeve të armatosura në këtë zonë.”

Shënim: Duke pasur parasysh zhvillimet historike, prania e këtyre grupeve të armatosura do të ishte vërtetë shqetësim për banorët. Është e vërtetë që një e dhënë e tillë, mbrëmjen e parë të zhvillimeve u përhap shumë në portale, por aktualisht, në asnjërin prej portaleve në gjuhën shqipe në Maqedoni, nuk gjendet ky informacion. Të gjithë ata që e kanë publikuar, e kanë hequr atë.


TELEVIZIONET

Nga vetë formati që kanë, target-grupi dhe hierarkia e strukturës së tyre organizative, televizionet ishin më të përmbajtur gjatë informimit. Pavarësisht se informacionet e para për ngjarjen ata i bënë në ueb faqet e tyre, nuk u vërejtën informacione të paverifikuara, të cilat më vonë do të rezultonin në spekulime.

Alsat M

Lajmi i parë nga Alsat M (në ueb) për ngjarjen në fjalë është publikuar në orët e mëngjesit të datës 26 prill (i vetmi material që nuk është shënuar me emër autori). Në lajm, ka të dhëna rreth aksionit, panikut te qytetarët dhe prononcimin e kryetarit të Komunës së Likovës, Duraku, i cili hedh poshtë spekulimet dhe fton opinionin të jenë të qetë. Paraprakisht, në edicionin e fundit të lajmeve të një nate më parë, Alsat njoftoi se një gazetar i tyre ndodhet në terren për të ndjekur situatën.

Edicioni i lajmeve të datës 26 prill në Alsat, me disa tituj, informoi për zhvillimet në rajonet ku është vërejtur prani e shtuar e forcave të policisë. Tre nga katër kronikat pasqyronin përjetimin e banorëve, të Likovës, të Kumanovës dhe të Haraçinës. Mendimet e tyre janë të ndryshme. Disa shprehin frikë, disa të tjerë indiferencë, disa fajësojnë politikën ditore kurse të tjerë policinë. Në një kronikë të posaçme, Alsat transmetoi deklaratën e Spasovskit, duke vendosur theksin te refugjatët si arsye e pranisë së policisë dhe te apeli për ruajtjen e qetësisë.

Autorë të kronikave që janë përgatitur me informacione nga terreni, në rajonet që kanë qenë pjesë e ngjarjes, janë tre emra të ndryshëm, që nënkupton se Alsat M ka angazhuar tre ekipe për të ndjekur ngjarjen në terren gjatë këtyre ditëve.

TV 21

Edhe produktet gazetareske të Televizionit 21 (katër prej gjithsej pesë artikujve që janë analizuar) janë të nënshkruara me emër autori. Prej tyre dy janë kronika të plota, ndërsa të tjerat, informacione më të shkurtra. Pikërisht i njëjti gazetar ishte në terren gjatë edicionit të lajmeve të datës 25 prill kur për herë të parë kjo medie informoi për ngjarjen. Ai material është transkriptuar për tu transmetuar në ueb, që është informacioni i parë që figuron nga kjo medie për këtë ngjarje. Kronika e datës 26 nga TV 21 poashtu konsiston në përshkrimin e gjendjes në fshatrat ku u vendos vëmendja e mediave dhe pasqyrimin e përshtypjes së banorëve. Ndërkohë, në po të njëjtin edicion, TV21 transmetoi edhe kronikën kushtuar qëndrimit të MPB-së ose vetë ministrit Spasovskit.

Shenja

Në uebin e Televizionit Shenja janë katër artikuj në format të shkurtë për informacione mbi ngjarjet në rajonet ku është zhvilluar aktiviteti policor, si dhe një kronikë e plotë televizive. Nga materialet e lartpërmendura, vetëm një kronikë është me emër autori, ndërsa të tjerat mbajnë vulën “Shenja”. Në artikullin e parë, përmbajtja i referohet informacioneve të Telma-s dhe të njëjtat citohen. Teksti i dytë plotëson informacionin paraprak me të rejat e fundit duke dhënë detaje të reja nga MPB-ja, e cila njofton për situatë të qetë. Më tej, në uebin e Shenja, jepen dy tekste të shkurtra (SPASOVSKI: JA PËRSE POLICIA ISHTE MBRËMË NË RAJONIN E LIKOVËS, SPASOVSKI: ASNJË GRUP I ARMATOSUR NGA KOSOVA NUK KA HYRË NË MAQEDONI) që paralelisht njoftojnë për të njëjtën gjë, për deklaratën e Spasovskit nga terreni por të pasqyruar pjesërisht. Të dyja këto pjesë janë bashkuar për t’u krijuar një kronikë me e plotë, për edicionin e lajmeve.

Alsat TV 21 Shenja

Forca të mëdha policore në Komunën e Likovës

 

Sadulla Duraku për TV21: “Nga Nikushtaku e deri në Llojan, gjithçka e qetë. Nuk ka vend për panikë!”

 

AKSIONI NË HARAÇINË DHE LIKOVË U ZHVILLUA PËR KAPJEN E EMIGRANTËVE

 

Aksioni policor, banorët të zhgënjyer nga politika

 

TV21 në Komunën e Likovës, në të gjithë fshatrat situata e qetë

 

NË LIKOVË QETË DHE PA INCIDENTE, MPB DO TË JAPË DETAJE NË KONFERENCË PËR MEDIA

 

Aksioni policorë, panik në Kumanovë

 

Vaksinca dhe Llojani të qetë, banorët nuk besojnë se aksioni ka të bëjë me emigrantët

 

SPASOVSKI: JA PËRSE POLICIA ISHTE MBRËMË NË RAJONIN E LIKOVËS

 

Banorët e Likovës, të ndërpritet terrori psikik

 

Oliver Spasovski në Mateç të Likovës, nuk ka arsye, dhe nuk ka pse të frikësohemi

 

SPASOVSKI: ASNJË GRUP I ARMATOSUR NGA KOSOVA NUK KA HYRË NË MAQEDONI

 

Refugjatët, policia në “gjueti” të trafikantëve

 

SPASOVSKI: MOS SHKAKTONI PANIK, POLICIA PO KONTROLLON REFUGJATËT

 

Pyetjet e shumta që i bënë gazetarët drejtpërdrejtë ministrit Spasovski, gjatë vizitës së tij në vendin e ngjarjes, dëshmuan se mediat ishin kurioz për të ditur diçka më shumë, mbase sepse jozyrtarisht dyshonin për diçka më shumë, por dyshimet e tyre i mbyllën me përgjigjet e Spasovskit, duke mos e çuar më tej hulumtimin.

Pyetjet e gazetarëve për Spasovskin gjatë vizitës së tij në stacionin policor në Matejçe:

  • Në çfarë konsistonte aksioni i mbrëmshëm dhe cili është rezultati i tij?
  • Pse pikërisht ky rajon, ministër?
  • A do të na jepni ndonjë arsye konkrete? Përmendët krizën e migrantëve. A e arsyeton kjo armatimin e madh të policisë?
  • (Përsëritet) A e arsyetojnë këto që thoni, armatimin e madh të policisë?
  • Pse pritët deri sot që t’i drejtoheni popullit? Dje të gjithë ishim në pritje kurse zëdhënësit tuaj nuk u përgjigjeshin pyetjeve tona.
  • U përmend … se një grup i armatosur nga Kosova kanë hyrë në Maqedoni … ?
  • A rezultoi ky kontroll në terren me ndonjë arrestim … ?
  • Kjo linjë këtu është shpallur si zonë e krizës së migrantëve. Poashtu, MPB-ja për një periudhë, në bilten publikoi se janë kapur disa migrantë në këtë pjesë të shtetit. Pjesëtarë të policisë dhe ushtrisë … ?
  • Përpara se të arrini ju, erdhën tre vetura të policisë kufitare. A e konsideroni si kontroll rutinë kur vjen një funksionar i lartë në vizitë?
  • Si i komentoni informacionet e djeshme në media se … ?
  • Deri kur do të jetë forcat e policisë këtu për kontrolle, sepse ka shumë?
  • Do të thotë që definitivisht, terroristë nuk kanë hyrë në shtet?

Konkluzion: Disa portale alarmuan situatën, duke e lidhur me një ngjarje të një viti më parë e cila pati shumë viktima dhe dëme materiale. Këto media nuk kanë tentuar që në fillim të verifikojnë informacionin prej sa më shumë burimeve relevante, por kanë përcjellë informacionet nga portalet ose mediat tjera. Mungesa e gazetarëve të këtyre mediave në terren, ka bërë që informacioni të mos jetë i plotë, të ketë mangësi dhe të pavërteta.

Raportimi i televizioneve njëri nga tjetri ndryshon, por e rëndësishme është që aty nuk u vërejtën informacione të paverifikuara, nuk janë fshirë materialet e publikuara, nuk janë korrigjuar gabimet pa iu bërë me dije publikut, dhe shumica e përmbajtjeve është prodhuar duke pasur gazetarë në terren.

Shënim: Për analizë nuk është marrë asnjë gazetë, sepse, përshkak të formatit të tyre, nuk u shtypën brenda periudhës që kap analiza.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button