Pas Brukselit: ukrainizimi i Maqedonisë

Vendimi i BE-së për mosnisjen e negociatave me Maqedoninë është lajmi i vetëm nga Brukseli që nuk vjen si befasi. Ministrat e jashtëm evropianë e ndreqën me të drejtë gabimin e përsëritur të Komisionit, që për arsye të panjohura, tash e sa vite i fsheh nën qilim dështimet e kalkuluara të Shkupit zyrtar.

Për Maqedoninë, rekomandimet e fundit janë absolutisht më të këqijat deri sot. Dalja nga kjo gjendje do të kërkojë shumë kohë dhe madje më tepër mjeshtëri diplomatike, për të cilën nuk shquhemi aspak. Në deklaratën e Komisionarit Shtefan Fyle as që ceket çështja e emrit, që nga qeveritarët e Maqedonisë shfrytëzohet me shkathësi si alibi, për ta fshehur deficitin serioz institucional dhe demokratik. Kështu, autori i qasjes së dialogut të lartë – që nuk ndryshoi asgjë në terren – kishte pak opcione përveç se ta pranojë dështimin e inovacionit ku ishte investuar tepër shpresë e pabazë.   

Me kalbjen e Maqedonisë si kandidat i përhershëm, balonët evropianë tregtohen si nga udhëheqësit e shtetit, ashtu edhe nga homologët evropianë. Pa e anashkaluar përkeqësimin demokratik nën qeverisjen aktuale, politika e gabuar e Brukselit për fshehjen e problemeve ia ka kufizuar hapësirën e veprimit.   

Sikur të mos mjaftonte kjo, javen e kaluar erdhi kërcënimi i radhës për heqjen e vizave. Po, ikja e popullit nga mjerimi është problem, si që kërcënimi për vendet e Ballkanit është hipokrizi, ndërkohë që BE negocion për një lehtësim të këtillë me Moldavinë, Ukrainën dhe Gjeorgjinë. Absurdi qëndron në faktin që Brukseli ia premton liberalizimin 50 milionë banorëve lindorë, por në të njëjtën kohë e hap derën për heqjen e përfitimit të vetëm të prekshëm që e kanë shtetasit e Ballkanit perëndimor (përveç Kosovës).

Akrobacitë e këtilla, të kombinuara me politikat shkurtpamëse të Maqedonisë do ta zbehin edhe më tej perspektivën evropiane të vendit dhe rajonit. Pavarësisht kartolinave nga Brukseli, varrezat e hapura janë përkujtim që raportet Serbi-Kosovë janë larg zgjidhjes finale, që mund të arrihet vetëm kur Republika e Kosovës të njihet nga BE dhe OKB. Përkushtimi dhe fuqia e Brukselit dëshmohet pikërisht në këtë rast – gjithçka tjetër pa zgjidhje afatgjate do t’ia zhbëjë edhe më tej fuqinë joshëse BE-së.

Nisur nga kjo pasqyrë rajonale, ia vlen ta shohim rastin e Ukrainës dhe arsyet që e sollën atë në gjendjen aktuale, e diktuar fuqishëm nga udhëheqësia e korruptuar. Anash lojës gjeostrategjike, vendimi ukrainas varej shumë nga huamarrja e radhës, që tani u ofrua nga Moska për t’i evituar kriteret e Brukselit. Thënë shkurt, orientimi i Ukrainës u kushtëzua nga kriza ekonomike që kërkon miliarda të freskëta dhe u ndikua nga lidhjet e shumta ekonomike dhe politike mes oligarkëve ukrainas dhe atyre rus. Mbi të gjitha, çmimet e gazit rus kanë rol thelbësor për qetësinë sociale dhe ekonominë e lodhur ukrainase. 

T’i kthehemi Maqedonisë, ku varësia nga kreditë dhe mungesa e qeverisjes demokratike e afrojnë skenarin ukrainas. Për ta kuptuar më mirë, duhet të shihen deklaratat e fundit qeveritare për anëtarësim në BE vetëm atëherë kur Brukseli të jetë gati, si dhe insistimin për marrëveshje me Gazpromin rus. Nuancat qartësohen me kërkimin e alternativa në Rusi, Kinë ose Indi. Në një të ardhme të afërt, kur të shterren kreditë evropiane, joshja dhe gazi rus mund të luajë rol kyç në vendimet e Shkupit zyrtar. Me luhatjen ekzistuese politike, kjo ecuri mund të shkaktojë një krizë alla-ukrainase në momentin kur ngërçi ekonomik nuk do të zbutet me borxhet evropiane. Skenar i largët, por të gjithë përbërësit janë aty, veçanërisht kur shihet zelli i mediave pro-qeveritare gjatë raportimit për ngjarjet në Kiev. 

Si mund të zgjidhet ky komplikim? Me populizmin qeveritar, assesi jo. Aq më pak me cirkun turistiko-diplomatik të BDI-së dhe deklaratat e pambështetura, që e kanë deklasuar atë si bashkë-autor të dështimit të projektit evropian. Pa qeveri vërtetë evropiane dhe medie të fuqishme, Maqedonia ka më tepër gjasa të shndërrohet në Kiev, sesa në Zagreb. Me BE-në e defokusuar dhe Ballkanin në amulli, loja mund të ndryshohet vetëm me rritjen e ndikimit të Uashingtonit. Jo me retorikën e derisotme, por me vepra konkrete dhe rikthim në pozitat e moçme që e qetësuan rajonin e gjakosur. Fundja, paqja në Ballkan është meritë amerikane – pa prani të fuqishme dhe diferencim të partnerëve prej hienave, është çështje e kohës kur do të rikthehen problemet. Si që e kanë dëshmuar të nëntëdhjetat, mungesa e reagimit me kohë përfundon gjithmonë me çmim të shumëfishtë dhe komplikime shtesë.
    
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button