Meta përplaset me Berishën: Shqipëria islamike? Prej teje!

Nga mbledhja e Kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim, kreu i saj Ilir Meta ka sulmuar
ish-aleatin e tij Sali Berisha duke e akuzuar për inkoherencë të qëndrimeve të tij lidhur me statusin e vendit kandidat të Shqipërisë në BE. 

Sipas Metës, Berisha “harron se zv.ministri i tij në kohën kur ky ishte Kryeministër kërkoi shpalljen “non-grata” të Ambasadorit të Holandës”. Ndërsa tha se Berisha e çoi vendin në humnerë në vitin `97 kur nuk dëgjoi FMN-në.

 “Deri një ditë përpara se Partia e Lirisë në një vend shumë të nderuar, mik dhe aleat si Holanda,… përdorin edhe një retorikë kundër vendeve si Shqipëria, që s’ka asnjë lidhje me realitetin, duke i akuzuar si vende islamike që nuk i duhen Evropës dhe ku përfaqësuesit nga më të lartë të saj kanë bërë të qartë se si mund të hyjë në Evropë një vend që është anëtar i Konferencës Islamike, firmën për të cilën e ka hedhur z. Berisha….Pra dëgjuam nga shtatori deri një ditë përpara se Parlamenti holandez të vendoste veton për Shqipërinë, … që statusi ishte kontribut vetëm i Partisë Demokratike dhe i qeverisë së saj. Dhe menjëherë sapo ndodhi kjo gjë gjithçka u kthye në të kundërt…Ndërkohë që harron se zv.ministri i tij në kohën kur ky ishte Kryeministër kërkoi shpalljen “non-grata” të Ambasadorit të nderuar të këtij vendi në atë kohë”,- u shpreh Meta.

Lidhur me akzuat e Berishës mbi Fondin Monetar Ndërkombëtar, Meta tha se ish-kryeministri Berisha ka qenë tërësisht koherent në qëndrimin e tij përjashtues dhe paragjykues ndaj FMN-së, siç ka qenë edhe para se në Shqipëri të falimentonin piramidat, pra kohë kur FMN-ja i kërkonte që të mbyllte firmat piramidale në mënyrë që vendi të mos shkonte në një kolaps financiar.

“Zotëria nuk e dëgjoi FMN-në, Shqipëria rrëshqiti në një humnerë financiare, që solli më pas ato pasoja politike dhe krizën e vitit 1997. Përsëri ky vazhdon të jetë koherent ndaj FMN-së, por për fat të mirë shqiptarët e zgjidhën me votë këtë çështje”,- tha Meta.

Duke u ndalur tek projektbuxheti 2014, Meta tha se ai është alternativa më realiste.

“Ne po shkojmë drejt diskutimit dhe miratimit të këtij projektbuxheti, i cili nuk është buxheti që të gjithë do të donim të bënim sipas dëshirave, premtimeve, kërkesave dhe nevojave të qytetarëve shqiptarë. Por mund të them pa asnjë diskutim se është alternativa më realiste për situatën mjaft problematike ku e katandisi vendin voluntarizmi dhe populizmi i ish-Kryeministrit Berisha. E vërteta është që kjo qeveri me kurajo ka marrë përsipër të legalizojë borxhet e krijuara dhe të panjohura nga qeveria e mëparshme, që ishin një lak në fytin e biznesit, që sollën falimentimin dhe rrezikun e falimentimit të shumë e shumë bizneseve dhe rritjen e nivelit të kredive të këqija në sistemin bankar”,- siguroi Meta.

Duke iu përgjigjur biznesit që kundërshton taksimin progresiv, Meta tha: “I pari detaj që duhet të kemi parasysh të gjithë lidhur me projektbuxhetin që po paraqitet, është se afrohen 428 milionë dollarë më shumë se një vit më parë. Në thelb po propozohet një paketë fiskale sociale, e cila sheh në sy realitetin, njeh vështirësitë e shtresave më në nevojë të shoqërisë , të punësuarit me paga më të ulëta dhe të mesme, të nivelit të çmimeve që kryesisht rëndojnë mbi ta. Natyrisht unë nuk jam aspak i lumtur të pranoj që rritja e tatimfitimit për biznesin e madh është një e keqe e domosdoshme. Por ne nuk jemi në këto kushte. Propozimi që bëhet është gjithashtu i drejtë: Po ju njohim një të drejtë të mohuar deri dje, ofroni dhe ju kontributin tuaj për të gjithë shoqërinë. Ndaj dhe para se të ngremë stuhi të paqena politike për këto masa të detyruara ekonomike, përpara se të përdorim krizën si kalë lufte për politikën e ngushtë të ditës dhe për të kapur sa më shumë lajmë, le të arsyetojmë me më qetësi. Shqetësimi i shoqatave të biznesit është legjitim. Pse nuk janë në rritje nga viti investimet e huaja direkte këto 3-4 vitet e fundit, kur tatimfitimi ka mbetur 10%? Edhe këtë pyetje z. Berisha mund t’ia bëjë vetes së tij. Unë plotësisht dua të ndaj bindjen time të thellë se ky është një projektbuxhet i vështirë por realist, i ekuilibruar, i përshtatur më së miri me realitetin e sotëm ekonomik e social të vendit”,- tha Meta. /gazetaidea

Lajme të ngjashme

Back to top button