Ja se çfarë thonë ministrat e dikurshëm: Maqedonia, larg teknokracisë

Ministra të dikurshëm në qeverinë e RM-së deklaruan për Portalb se sistemi demokratik i Maqedonisë i ngjan sistemeve të viteve të 90-ta, larg nga sistemi teknokratik. Ata komentuan edhe emërimin e ministrave të rinj, pa përvojë tani që pikërisht për shkak të krizës politike përvoja është më se e nevojshme.

Emërimi i ministrave të rinj, përgjigje ndaj presionit të publikut shqiptar dhe atij ndërkombëtar

A bëhet rekonstruim i qeverisë për 2 -3 muaj?! Këto fenomene nuk ndodhin në botën e civilizuar, nuk kanë ndodhur në të kaluarën, nuk do të ndodhin; këto mund të ndodhin vetëm në Maqedoni, veçanërisht tek kjo garniturë e cila definitivisht është kompromituar para opinionit. Mundohen të shpëtojnë diçka në qoftë se mund të shpëtojnë, por mendoj se ky proces nuk e ndal kompromitimin e mëtejmë.” -deklaroi ish-ministri i financave, Xhevdet Hajredini, “Nuk ka ndodhur ndonjëherë që 13 vetë të shkojnë viktimë e disave, se brenda tyre ka edhe njerëz të pastër. Habitem me disa nga anëtarët e deritashëm në qeveri, si nuk morën guxim të dalin publikisht dhe të distancohen. Jo të bëjnë rezistencë, se partia në qoftë se vendos mund t’i ndërrojë, por nuk duhet të shkojnë për shkakun e dikujt tjetër.”

Sipas Hajredinit, vendimi për angazhimin e të rinjve pa përvojë si ministra është marrë  në rrethana jonormale, në situatë jashtëzakonisht të vështirë dhe të ndërlikuar, kur shumicën e kuadrit udhëheqës të BDI-së e kaploi kriza morale dhe nuk ishin më në gjendje ta durojnë presionin e publikut shqiptar, i cili mund të durojë vjedhjet apo diçka tjetër, por asesi degradimin moral. Dhe të njëjtët kreu i BDI-së i emëroi pas presionit nga ambasada amerikane për t’i plotësuar shpejtë vendet e zbrazura në qeveri. Ashtuqë garnitura që u largua, do të kthehet sërish. Përndryshe, pavarësisht se mund të jetë i mirë e i pastër nga korrupsioni, është absurde të angazhohet për ministër drejtësie një 26 vjeçar, i cili 2-3 vjet mund të ketë qenë vetëm bashkëpunëtor profesional në gjykatë.

“Problemi i shoqërisë sonë është nga njëra anë partizimi i skajshëm i institucioneve dhe nga ana tjetër është mbyllja në mënyrë hermetike e partive politike, respektivisht e firmave private të atyre që paraqiten si kryetar partish. Nëse kërkojmë më të mirë në radhët e BDI-së, unë them se nuk ka më të mirë. Vegjetimi në pushtet i kësaj partie ka bërë që seleksionimi i tyre të jetë kush ka më pak afera, respektivisht kush nuk ka pasur fare mundësi të prodhojë afera.-tha Sulejman Rushiti, ish-ministër i arsimit dhe shkencës, BDI-ja këmbëngul që të mos i paragjykojmë kuadrin e ri ndërsa ata vetë i kanë paragjykuar dhe i paragjykojnë. Nëse do të besonin ata, se këta të rinj janë kuadri më i mirë për ta drejtuar shoqërinë, atëherë do t`ua besonin atyre edhe postet partiake, respektivisht ministrat e pensionuar do të duhej të jepnin dorëheqje edhe nga postet partiake. Vlerësoj se këta të rinj shkuan kurban e pronarëve, respektivisht aksionerëve të partisë së tyre. Këta janë zgjidhja e detyruar që e bënë për të tentuar shpëtimin nga humnera. 

Kriza aktuale politike,  thekson nevojën për përvojë jo atë për lojalitet partiak

“Në shoqërinë, ku sistemi shumë-partiak ka filluar tashmë 25 vite, kriteret nuk janë të njëjta si në shoqëri ku ka traditë, ku profesionaliteti është element shumë i rëndësishëm dhe jo vetëm lojaliteti ndaj partisë. Tek ne, në Maqedoni, më i rëndësishëm është lojaliteti. Kërkohen kuadro që do të jenë lojal ndaj partisë dhe vazhdimisht kemi njerëz të rinj. Nuk e kemi atë kombinim me përvojë dhe dituri. Kjo është sëmundje e demokracisë, e cila akoma nuk ka lëshuar rrënjë.”-tha Denko Maleski, ish-ministër i punëve të jashtme.

Rushiti deklaroi“Përvoja është gjithmonë e nevojshme dhe determinuese për ngritje graduale në shkallët kierarkike në nivele më të larta në detyra dhe në poste. Në çdo konkurs kërkohet përvoja paraprake si masë sigurie për kryerjen e detyrave për atë punë ose post drejtues . Përvoja është e nevojshme gjithmonë, ndërsa në kohë krizash si kjo e tanishmja, përvoja duhet të ishte fjala magjike.

Maqedonia, larg teknokracisë

Sipas Hajredinit, Maqedonia nuk është e pjekur për tehnokraci, pasi po të angazhoheshin persona moralisht të pavarur nuk do të ishim në gjendjen që jemi. Ndërkohë qëllimi i regjimit aktual është të regrutojë persona që do të jenë besnik ndaj partisë, pa kurrëfarë motivi për të punuar në bazë të normave morale dhe ligjore.

“Duhet të kalojnë disa gjenerata, që të arrijmë përvojën e qeverisjes demokratike dhe të bëhemi një shtet i vërtetë demokratik. Me raportin e Pribe-së dhe intervenimin nga jashtë shihet se ne si demokraci jemi diku në nivelin e viteve të 90-ta, kur shtetet tjera e lëshuan sistemin një-partiak në Evropën Lindore. Ne akoma përballemi me problemin e kontrollit të policisë, konrollin e parlamentit, papërgjegjësinë e politikanëve dhe na duhet kohë të mësojmë.” -tha Maleski.

“Vlerësoj se Maqedonia vuan për shkak se edhe në pozicione ku nevojiten teknoktratë, emërohen persona që merren ekskluzivisht me politikë ose më saktë me demagogji politike. Edhe vetë emërimi i personave që veprojnë me dirigjim në postet ministrore dhe atë kryeministror ose siç thotë populli me bedel, është dëshmi se këtu ka vetëm taktizime pseudopolitike.-tha Rushiti, “Maqedonia  në çdo aspekt ka ecur mbrapa dhe i duhet shumë punë për të bërë në drejtim të lirisë së fjalës, demokracisë, të drejtave të qytetarëve, ekonomisë, integrimeve,  për të arritur zërin pozitiv. I duhet  bashkim i energjisë progresive dhe vizionarë të hapur për ta sjellë në normalitet. I duhet një politikë që do të garantojë drejtësi dhe demokraci, pastaj kapacitetet e qytetarëve do ta sjellin vetë zhvillimin. Maqedonia duhet ta shmangë logjikën që shteti dhe qytetari janë kundërshtarë. Ose shteti ta luftojë qytetarin, mësuesin, afaristin dhe gjithëkënd që ka mendim ndryshe. Mendimi ndryshe është progres.

Teknokracia, sipas fjalorit të Oxfordit është qeverisje apo kontroll i shoqërisë nga elita e ekspertëve teknik. Elitë nënkupton grupin që është më superior në krahasim me të tjerët për shkak të aftësive apo cilësisë. /Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button