Dita e romëve, arsimi, çelësi për suksesin e tyre

Sot romët në gjithë botën kremtojnë festën e tyre kombëtare, 8 prillin – Ditën ndërkombëtare të romëve, ditë kushtuar historisë dhe kulturës së këtij populli. Bashkëfolësit për Anadolu Agency (AA), flasin për gjendjen me bashkësinë etnike rome në Maqedoni, arritjet, por edhe problemet me të cilat përballet kjo bashkësi etnike.

Gazetari Sali Murat nga komuna rome e Shuto Orizares në Shkup thekson se mediat çdo herë kanë qenë mjet i rëndësishëm në shoqëri, ndërsa romët në Maqedoni mund të lavdërohen se kanë media të tyre përmes të cilave e afirmojnë bashkësinë e tyre etnike dhe tentojnë që t’i artikulojnë problemet e tyre.

Ai thekson se mediat rome janë faktori kyç në prezantimin e gjendjes së romëve, duke treguar se nuk është i vogël numri i mdiave në gjuhën rome në Maqedoni.

“Shpesh herë qytetarët marrin informacione mbi atë se çfarë ndodh në vend, ndërsa fokusi i mediave në gjuhën rome është rëndësia e romëve, të drejtat e tyre të integrimit në shoqëri”, tregon gazetari Murat. Kjo ditë për të dhe bashkësinë e tijë etnike është e rëndësishme meqë thekson se para 45 vitesh, intelektualët romë u treguan kombësive tjera se si duhet t’i shikojnë romët.

Romët në Maqedoni (1)

– Mediat e romëve në Maqedoni –

Murat thekson se gjatë viteve të mëhershme të 90-ta në media filloi të dëgjohet zëri i romëve në Maqedoni, duke kujtuar se atëbotë u hapën televizionet BTR, më pas Shutel, si dhe emisionet në gjuhën rome në kuadër të servisit publik, Radiotelevizioni i Maqedonisë.

Po ashtu, konsideron Murat se mediat luajnë një rol të madh në prezantimin e gjendjeve veçmas në mjediset multikulturore siç është Republika e Maqedonisë dhe kryeqyteti i saj Shkupi. Andaj, vlerëson se mediat duhet më shumë të punojnë në këtë fushë.

“Gjithkund ekzistojnë paragjykime dhe diskriminime. Kjo nuk mund të çrrënjoset menjëherë”, thekson Murat, duke shtuar se jeta në mjediset multietnike kontribuon që njerëzit më shpejtë të integrohen në shoqëri dhe të jenë më të suksesshëm.

Sevdija Demirova – Abdullova, këshilltare në Sektorin për marrëdhënie me opinionin në Kabinetin e presidentit të Republikës së Maqedonisë, në një bisedë për AA-në, thekson se që nga pavarësia e Maqedonisë romët kanë fituar shumë, me vetë atë që kanë hyrë në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë si qytetarë të barabartë me të gjithë qytetarët tjerë.

“E mundimshme ka qenë rruga e romëve për të arritur këtë nivel ku janë tani, ndonëse ka akoma më shumë sfera në të cilat duhet të punohet. Republika e Maqedonisë është ndoshta e vetmja në botë e cila ka komunë rome në të cilën më së shumti jetojnë romë. Tashmë disa mandate ka kryetar komune të përkatësisë rome, përfaqësuesit e romëve janë në Parlament, gjithsesi edhe në qeverinë e Maqedonisë”, deklaroi Demirova-Abdullova, sipas të cilës një pjesë e madhe për këto arritje ka kontribuar sektori joqeveritar rom së bashku me atë politik.

Arsimi, çelësi për suksesin e romëve –

Abdullova përmend dekadën e romëve për të cilën vlerëson se nuk është zbatuar në mënyrë siç ka qenë e paraparë në fillimin e saj mirëpo thotë se është zbatuar mjaftueshëm që romët të fillojnë të punojnë në disa çështje të rëndësishme në veçanti në arsim.

“Falë bursave të cilat u ndanë përmes Fondit Arsimor Rom, të zbatuara me ndihmën e disa partnerëve tanë vlen të përmenden edhe bursat e Ministrisë së Arsimit të cilat ndihmuan që shumë të rinjë të përfundojnë studimin e tyre. Pikërisht nga kjo arsye, tani kemi magjistra dhe doktor shkencash në numër të konsiderueshëm”, tha ajo për të shtuar se romët e Maqedonisë janë liderë në Evropë por edhe në botë sa i përket shpejtësisë së zhvillimit dhe inkluzionit në shoqëri, mirëpo në të njëjtën kohë ajo nuk anashkalon mangësitë të cilat duhet tejkaluar.

Dita ndërkombëtare e romëve për Fatma Bajram Azemovska, kryetare e shoqatës për Zhvillim të Komunitetit Rom, “Sumnall” paraqet një sfidë për të arritur të drejtat e romëve.

“Kjo ditë për mua e ka kuptimin e realizimit të të drejtave tona, mirëpo për të arritur një gjë të tillë ne duhet të integrohemi me komunitetet tjera në Republikën e Maqedonisë” tha Bajram-Azemovska duke informuar se shënimi i kësaj dite ngërthen në vete shumë aktivitete ku veçon takimin me shkrimtarin më të lexuar maqedonas për vitin 2015 Kosta Petrov.

Romët në Maqedoni (2)

– Romët në Maqedoni –

Pas maqedonasve, shqiptarëve dhe turqve, romët janë komuniteti i katërt për nga numri. Sipas të dhënave nga viti 2002, në Maqedoni jetojnë 53 mijë e 879 romë ose 2.66 përqind nga numri i përgjithshëm i popullatës në shtet. Disa organizata joqeveritare thonë se numri i tyre është më i lartë për shkak se shumë romë nuk kanë karta identiteti dhe nuk kanë marrë pjesë në regjistrimin e popullatës.

Dita Ndërkombëtare e Romëve është një ditë feste e kulturës rome dhe përdoret për të rritur ndërgjegjësimin për problemet me të cilat përballet ky komunitet. Dita u shpall zyrtarisht në vitin 1990 në Seorock të Polonisë, vendi ku u zhvillua Kongresi i katërt Botëror i Unionit Ndërkombëtar të Romëve në kujtim të takimit të parë ndërkombëtar të përfaqësuesve romë mbajtur në Chelsfild, afër Londrës mes datave 7 dhe 12 pril 1971.

Kongresi në fjalë miratoi himnin e romëve, për çka u zgjodh kënga Gelem Gelem (në gjuhën rome: ecja ecja) ndërsa u mor vendimi edhe për themelimin e flamurit me ngjyrë të kaltër dhe të gjelbër që përfaqëson qiellin dhe tokën. Në mes të flamurit është një rrotë, çakra e kuqe, e cila paraqet migrimin e romëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button