Gërdeci, SHBA i jep strehim politik Luan Hoxhës

Në nëntorin e një viti më parë, prokurori Shkëlqim Hajdari do të raportonte para Gjykatës së Apelit se i pandehuri Luan Hoxha nuk gjendej në adresën e deklaruar të banimit.

Në rrëfimin e prokurorit të çështjes “Gërdeci” saktësohej se oficerët e policisë kanë shkuar disa herë në shtëpinë e tij dhe nuk e kanë gjetur, janë pyetur fqinjët e tij dhe ata kanë dëshmuar se ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm bashkë me familjen nuk ishin parë prej muajsh në lagje.

Ndërkohë që në Gjykatën e Apelit vijonte procesi kundër 29 të pandehurve për tragjedinë e 15 Marsit të vitit 2008 në Gërdec, Gjeneral Hoxha kishte lënë Shqipërinë. Ditën e djeshme avokati i tij mbrojtës ka konfirmuar lajmin se, Luan Hoxha ka fituar statusin e azilantit politik në SHBA.

Azili
Me 1 janar 2012 Hoxha ka udhëtuar në drejtim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës bashkë me familjen e tij, bashkëshorten dhe dy fëmijët, pasi gjatë asaj kohe ishte pa masë sigurie. Apeli dha vendimin duke e dënuar në mungesë Gjeneral Luan Hoxhën me pesë vite burgim. Emri i tij iu dha Interpolit dhe fotoja e tij u vendos në mes të 742 shqiptarëve të kërkuar nëpër botë. Pas largimit të klientit të tij, avokat Përfaqësuesi ligjor i Luan Hoxhës, i cili mbron gjeneralin në procesin kundër tij në Gjykatën e Tiranës, u shpreh dje se nuk kishte dijeni për largimin nga vendi të klientit të tij.

I kontaktuar në telefon nga gazeta, avokati pohoi vetëm lëvizjet e shpeshta të Hoxhës drejt Kosovës. Largimi i gjeneralit për të kërkuar azil u bë në fshehtësi. “Të jem i sinqertë, unë nuk kontrolloj çdo lëvizje të klientit tim. Në funksion të detyrës si mbrojtës i tij takohem me të një herë në dy javë. Herën e fundit kam folur në telefon. Më ka marrë nga numri i tij shqiptar”, u shpreh avokati i tij Ibrahim Lahi në atë kohë.

Dënimi
Për gjatë gjithë seancat gjyqësore, i përfaqësuar gjithnjë nga avokati i tij, Luan Hoxha kërkoi pafajësinë, duke mos pranuar asnjë nga akuzat e ngritura, që e përfshinin në ngjarjen e rëndë të Gërdecit. Deri në momentin që po gjykohej, Prokuroria apo Gjykata nuk kishin vendosur ndaj Luan Hoxhës asnjë masë ndalimi për të dalë jashtë vendi, fakt ky që lejoi edhe largimin e tij qetësisht drejt Amerikës. Në seancën e 25 nëntorit 2011, ishshefi i Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, paraqiti në gjykatë argumentet e tij mbrojtëse mbi akuzat e ngritura ndaj tij për shpërthimin e Gërdecit.

Para gjykatës, avokati deklaroi se klienti i tij nuk kishte kryer asnjë veprim që vinte në kundërshtim me përmbushjen e detyrës së tij të përcaktuar në ligj. “Klienti im, Luan Hoxha, në zbatimin e detyrave të tij si shef i Shtabit të Përgjithshëm ka qene korrekt dhe ka zbatuar me rigorozitet çdo detyrim ligjor të tij”, u shpreh avokati. Duke analizuar në detaje të gjitha detyrimet ligjore të të pandehurit Hoxha në funksionin e tij si ish-kreu i Shtabit të Përgjithshëm, avokati u shpreh se Prokuroria nuk kishte paraqitur asnjë provë që të vërtetonte akuzën që i adresonte gjeneralit, atë të “shpërdorimit të detyrës”. “Nuk ekziston asnjë element i shpërdorimit të detyrës së tij si shef i Shtabit të Përgjithshëm në hartimin e projekt-urdhrit 2044 apo gjatë zbatimi të tij”, pohoi avokati. Sipas avokatit, Gërdeci nuk u caktua si vend demontimi me urdhrin 2044, por që në fillim të projektit me urdhrin 550, urdhër i cili as nuk ka kaluar nëpërmjet shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe as nuk i është marrë ndonjë mendim atij.

“Në kohën e përpilimit të urdhrit 2044, në Gërdec kishte filluar puna që më parë, duke u demontuar municionet e kalibrit 7.5-31.5 m/m. Shefi i Shtabit nuk kishte asnjë detyrim ligjor, të përcaktuar në ligj apo ndonjë akt të veçantë, që të merrte përsipër e të ngarkohej me detyrimin për të kontrolluar licencimin e vendit të demontimit”, argumentoi mbrojtësi. Në diskutimin e saj përfundimtar, organi i akuzës kërkoi deklarimin fajtor të Luan Hoxhës dhe dënimin e tij me 8 vjet burg dhe 5 vjet ndalim për ushtrimin e detyrës. Gjykata e dënoi me 5 vjet burg.

Lajme të ngjashme

Back to top button