Me moton “Bëhu aktiv, lufto diabetin” Kosova shënoi Ditën Botërore të Shëndetësisë

Ministria e Shëndetësisë dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë -Zyra në Prishtinë, bashkë me Klinikën e Endokrinologjisë të QKUK-së dhe Shoqatën e diabetikëve të Prishtinës, shënuan sot Ditën Botërore të Shëndetit, me një konferencë të përbashkët për media, që për temë kishte diabetin, me moton: “Bëhu aktiv, lufto diabetin”.

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani tha se “promovimi i vlerave të shëndetësisë publike, i nevojave dhe obligimeve në funksion të ruajtjes së zhvillimit të shëndetit të qytetarëve, është obligim i institucioneve qeveritare, shëndetësore, arsimore të shoqërisë civile dhe të vetë qytetarëve”.

Ruajtja e shëndetit, shtoi ai, gjithmonë është më pak e kushtueshme se sa rikthimi i tij përmes mjekimit. “Popullata e shëndetshme garanton zhvillim ekonomik dhe social të shëndetshëm”.

Ministri tha se “parandalimit, diagnostikimit të hershëm dhe mjekimit adekuat deri në rehabilitim të plotë, Ministria e Shëndetësisë po i kushton vëmendje të veçantë.
Ministri Rrahmani ka potencuar se për shënimin e Ditës Botërore të Shëndetit, është vendosur theksi te diabeti dhe të sëmurët nga kjo sëmundje.

“Pra, ne sot kemi të evidentuar 11 242 qytetarë të vendit që trajtohen me insulina, dhe për herë të parë kemi një regjistër të pacientëve me diabet insulinë- vartës, pothuajse të saktë, gjë e cila na mundëson dukshëm planifikimin më të mirë dhe sigurim të tretmanit përkatës”, tha Ministri Rrahmani.

Shefi i Zyrës së OBSH-së në Prishtinë, Skender Syla, tha se “OBSh-ja feston ditëlindjen e saj me 7 prill – por kësaj radhe jo me ëmbëlsirë. Ëmbëlsira tradicionale e ditëlindjes së OBSh-së do të zëvendësohet me zgjedhje më të shëndetshme siç janë frutat dhe me thirrje për veprim për ta mundur diabetin”. Diabeti, shtoi ai, është në rritje kudo dhe tani më së shumti është i pranishëm në vendet në zhvillim.

Ndikimi i tij ndihet nga individët, familjet, komunitetet, ekonomitë shtetërore, ndonëse kjo ngarkesë në të shumtën e rasteve është e evitueshme”, tha dr. Syla.
Ai tha edhe se “diabeti i kontrolluar keq mund të shkaktojë komplikime përfshirë sulmin në zemër, sulm në tru, dëmtim të veshkave, verbim, ulçera të shputave të cilat mund të çojnë në amputim të gjymtyrëve të poshtme”.

Dr. Syla tha se janë të nevojshme strategji të zbatueshme për të përmirësuar qasjen e individëve në ushqime të shëndetshme dhe të përballueshme, si dhe krijimin e mjediseve për aktivitet fizik në mënyrë që të ndryshohet pozitivisht stili i jetës për tërë popullatën. “ Së bashku, ne mund të frenojmë rritjen e diabetit dhe të ofrojmë kujdes për të përmirësuar kualitetin e milionave njerëzve që jetojnë me këtë sëmundje”.

Dr. Iliriana Goranci nga Klinika e Endokrinologjisë ka treguar për karakteristikat e sëmundjes së diabetit, e që shumica e rasteve janë me diabet të tipit 2, që kryesisht shkaktohet nga të ushqyerit jo të shëndetshëm dhe mungesës së aktivitetit fizik.

Dr. Goranci ka treguar edhe punën e përkushtuar të Klinikës Endokrinologjike, për të punuar në aspektin e diagnostikimit të hershëm dhe në trajtimin e kësaj sëmundjeje që në kohën e fundit është duke u përhapur në përmasa të gjera globale. Ajo tha se kjo klinikë ka trajtuar vitin që shkoi 800 pacientë duke ofruar rreth 6000 vizita specialistike dhe sesione edukative për këtë sëmundje.

Ndërsa, z. Ardian Bublica nga Shoqata e Diabetikëve të Prishtinës, ka bërë thirrje për ngritje të vetëdijes së qytetarëve për rreziqet për shëndetin që shkaktohet nga sëmundja e diabetit, duke shtuar se mbrojtja më e mirë ndaj sëmundjes së diabetit është që të konsumohen ushqime të freskëta, në tri vakte të rregullta.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button