Opozita i thotë JO zgjedhjeve pa zgjidhje

Zgjedhjet pa zgjidhje varrosin demokracinë. Media të lira dhe Listë e pastër e zgjedhësve janë komponentë kryesorë për të siguruar zgjedhje kredibile, të pranueshme nga gjitha palët. Këto janë përfundimet të partive opozitare të cilat mendojnë se nuk duhet që vendi të shkojë në zgjedhje më 5 qershor, raporton Portalb.

Lëvizja BESA
Sipas Afrim Gashit nga Lëvizja Besa pas shpërbërjes së parlamentit Maqedonia nga kriza e thellë politike ka shkuar më tej dhe tash është buzë greminës.

“Qëndrimi i Lëvizjes BESA ka qenë konsekuent se më e rëndësishme se data e mbajtjes së zgjedhjeve është krijimi i kushteve për zgjedhje të lira, fer dhe demokratike. Sot lehtë mund të konstatohet se nuk janë krijuar kushtet për zgjedhje të lira andaj përcaktimi i datës për zgjedhje duhej të negociohej dhe të ketë konsensus rreth datës së zgjedhjeve e jo në mënyrë të njëanshme të shpërbëhet Kuvendi. Është e dhimbshme të jesh dëshmitar se si një parti politike shqiptare, siç është BDI-ja, e dalë nga lufta të shndërrohet në shërbëtore të denjë dhe e verbër ndaj partisë më antishqiptare VMRO-DPMNE-së,” shprehet për Portalb Gashi,

Qëndrimi i partisë Uniteti është i prerë sa i përket kësaj çështje.

“Pa u realizuar pikat kyçe të Marrëveshjes së Përzhinos: listë e pastruar zgjedhore, reforma në mediume dhe ndarje të partisë nga shteti, partia UNITETI deklaron qartë se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje të tilla me çka do të legjitimonte zgjedhje të vjedhura nga ana e partive në pushtet. Këtë qëndrim partia e ka paraqitur edhe në Kongresin e Parë të saj”, thuhet në reagimin e tyre.

UNITETI do të insistojë që me ndihmën e faktorit ndërkombëtarë si dhe të çdo subjekti vendorë që ka për qëllim kthimin e demokracisë në vend, të krijohen kushte të nevojshme për mbajtjen e zgjedhjeve në të cilat vota e qytetarit është e pacënueshme dhe e plotëfuqishme.

Rilindja Demokratike Kombëtare nuk do të merr pjesë në zgjedhjet e 5 qershorit përderisa së pari nuk ofrohen zgjidhje për një funksionim normal të shtetit.

“Rilindja Demokratike Kombëtare në kontinuitet ka theksuar se zgjedhjet në asnjë variant nuk mund të ofrojnë zgjidhje, përkundër tandemit VMRO-BDI, dhe shumë analistëve tjerrë, që vazhdojnë të mendojnë se zgjedhjet do të ofrojnë zgjidhje. Qëndrimi se zgjedhjet nuk mund të ofrojnë zgjidhje argumentohet fuqishëm nga organizimi i zgjedhjeve të parakohshme që janë mbajtur në 10 vitet e fundit, ku zgjedhje kemi patur me bollëk, por sot e kësaj dite qytetarët e këtij vendi nuk kanë parë zgjidhje”, theksohet në reagimin e RDK-së.

Edhe lideri i LSDM-së mbrëmë publikisht tha se nuk shkon në zgjedhje pa plotësimin e kushteve si pastrimi i Listës Zgjedhore dhe çështja e mediave.

Nga PDSH për Portalb konfirmojnë se qëndrojnë në deklaratën e Kryetarit të PDSH-së dhënë pas takimit me Drejtorin e drejtorisë për zgjerim në KE, Kristian Danielson, si dhe në vijë me bashkësinë ndërkombëtare të cilët i shohim si garant kryesorë për zgjedhje fer dhe demokratike. Në ditët në vijim, njofton PDSH, do të dalin edhe me qëndrim përfundimtarë.

RDM, “Dinjiteti”, PLD, Lidhja Demokratike janë partitë e fundit që janë bashkëngjitur në qëndrimin se pa plotësimin e kushteve nuk shkojnë në zgjedhjet e 5 qershorit.

Nesër Kryesia Qendrore e LR-PDSH-së do të mbajë mbledhje pas së cilës do të njoftohet opinioni për qëndrimet zyrtare të Lëvizjes në lidhje me aktualitetin politik.

Mbrëmë kryeparlamentari Trajko Veljanovski ka shpërbërë parlamentin pa prezencën e opozitës në parlament./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button