Dembelizmi politik që çon në autodestruktivitet

Të drejtat e qytetarëve, të garantuara me kushtetutë janë obligim i shtetit, rrjedhimisht i atyre njerëzve të cilat janë zgjedhur nga populli për të garantuar dhe realizuar të drejtat e tij themelore. Meqenëse në Maqedoni këto të drejta qytetare janë totalisht të parealizuara për 1/3 e popullsisë, atëherë shteti ka dështuar në funksionin e vet themelor. Rrjedhimisht edhe këta njerëz të zgjedhur kanë dështuar në misionin e tyre më themelor. Në një shoqëri të shëndoshë, nëse politikanët nuk janë në gjendje të përmirësojnë jetën e qytetarëve të vet, atëherë ata politikanë duhen ndërruar me të tjerë. Politikanë të tillë të paaftë, janë jokushtetues, jolegjitimë.

Nga ana tjetër, vrojtimi i ardhshëm është akoma më i çuditshëm, në kontrast me një logjikë të shëndoshë demokratike. Në një shtet ku 1/3 e popullsisë është absolutisht e pakënaqur me jetën e vet, dhe nuk ka prospekte pozitive për veten e vet, në atë shtet mungon ndryshimi, mungon revolucioni. Nuk ka protesta, nuk ka disidencë, nuk ka kundërshtim. Është e frikshme të mendohet që arsyeja e kësaj gjendjeje të një dembelizmi masiv autodestruktiv, është se populli është aq i lodhur me varfërinë e vet, sa nuk ka fuqi as edhe dëshirë për të kërkuar të përmirësojë jetën e vet. Ndërkaq nëse ndryshimet nuk kërkohet të vijnë prej brenda shoqërisë, atëherë fati jonë është i tmerrshëm.

Ajo që ne nuk po arrijmë të kuptojmë si qytetarë shqiptarë të këtij vendi është që të drejtat, liritë, barazinë dhe fuqinë nuk duhet ta kërkojmë të na e japin të tjerët. Atë duhet ta fitojmë vetë. Nëse ne, si popull kuptojmë që vlera jonë është shumë më e madhe sesa interesat individuale dhe klanore të një partie apo dy, nëse ne koncentrohemi të realizojmë projektin madhor të fuqisë dhe ndikimit përmes patriotizmit ekonomik, atëherë do të arrijmë dy efekte pozitive për veten: të kuptuarit që partitë në këtë formë në të cilën ekzistojnë tani janë kanceri i interesave tona si popull (mirëqenia ekonomike, liria e të shprehurit dhe të vepruarit, barazia dhe mosdiskriminimi) dhe e dyta që nëse këto parti politike duhet të mbijetojnë, ato duhet të vihen në shërbim tonin dhe jo anasjelltas: që nëpërmjet manipulimit të votës dhe idealeve tona, të realizojnë interesat e tyre të ngushta.

Dështimi i këtyre muajve të fundit është që të gjithë ne qytetarët jemi transformuar në dele. Pikërisht në dele! Të gjithë ndjekim rutinën të cilën e kemi të servuar dhe si të verbër shuajmë entuziazmin revolucionar në favor të përfitimeve politike që do të nxjerrin partitë politike dhe liderët e tyre nëpërmjet kompromisit që po avitet. Gjë që është në kundërshtim me vlerat demokratike të cilat synojmë/synonim të ndërtonim në periudhën pas bombave. Këtij procesi politik të tejzgjatur në Maqedoni i mungoi elementi më qenësor demokratik – protesta. Gjë të cilën e proklamonim disa disidentë të mendimit dhe të opinionit në këtë vend. Mënyra më e bukur në të cilën do të ishin zhvilluar proceset ndryshuese në vend do të kishte qenë nëpërmjet protestave të shpeshta, të mëdha, mbarëpopullore që do të detyronin të gjithë liderët politikë, pa përjashtime të kruajnë kokën dhe të dalin zot betimeve të tyre për shërbim ndaj popullit: Atyre që kanë gabuar të largohen, ndërsa pretendentëve të shpalosnin programet për të nxjerrë vendin nga humnera drejt të cilës dukshëm po drejtohet.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button