Promovohet “Eposi i Kreshnikëve” i Zymer Nezirit

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore i Shqiptarëve në Shkup, promovoi projektin e Zymer Nezirit “Eposi i Kreshnikëve – monument i trashëgimisë kulturore të shqiptarëve në pesë vende të Ballkanit”.

Fillimisht, drejtori i Institutit, Skender Asani, tha se ky projekt flet shumë lidhur me të kaluarën, historinë, traditën dhe autoktoninë e shqiptarëve në Ballkan. Sipas tij, me interes të veçantë për ne është hulumtimi i eposit të trevave shqiptare të Maqedonisë, nga Kumanova e deri në Kërçovë, të cilat janë përfshirë në këtë hulumtim.

Promovimin e përshëndeti kryetari i Komunës së Çairit – Shkup, Izet Mexhiti, i cili tha se populli shqiptar bartë me vete ndër shekuj vlera të pakontestueshme kulturore e historike, dhe virtyte të larta morale, shpirtërore e njerëzore. Duke përgëzuar për këtë punë serioze dhe shumë fisnike, Komuna e Çairit dhe institucionet shtetërore të Republikës së Maqedonisë, mbështesin përpjekjet e Institutit, për të hulumtuar dhe zbardhur vlerat tona kulturore e shpirtërore, tha Mexhiti.

Bartësi i projektit, Zymer Neziri nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, tha se ky projekt ka zgjatur katër vjet edhe ende vazhdon edhe më tej të rrumbullakohet. Në projekt janë angazhuar rreth 90 mbledhës të folklorit nga të gjitha trevat shqiptare. Materiali i mbledhur në terren është botuar në 15 vëllime si paralibra, të cilat bartin në vete vlera të mëdha të eposit epik shqiptar që nga kohërat më të hershme.

Më pas prof.Neziri ia dorëzoi drejtorit të ITSHKSH-së, Dr.Skender Asani për nevojat e Institutit, gjithë materialet e grumbulluara të këtij projekti, në formë elektronike.

Rreth eposit të kreshnikëve, folën studiuesit e njohur të kësaj fushe, Zeqirija Neziri, profesor në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, Bukurije Mustafa, studiuese në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, dhe Izaim Murtezani, studiues në Institutin e Folklorit në Shkup. Promovimin e përshëndetën edhe profesorë e studiues tjerë nga Prishtina e Tirana.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button