Rama: PD nuk e do Reformën në Drejtësi, kanë bërë zullume

Në mbledhjen e djeshme të Grupit Parlamentar socialist me dyer të mbyllura, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama ka akuzuar opozitën se kërkon të bllokojë hapjen e negociatave me Bashkimin Europian, duke bllokuar Reformën në Drejtësi.

Kryeministri u ka sqaruar deputetëve të tij se maxhoranca e ka përmbushur misionin e saj për ta bërë opozitën pjesë të miratimit të Reformës në Drejtësi, por sipas tij janë disa arsye që e detyrojnë opozitën të mos votojë pro kësaj reforme.

Rama ka cituar aferat korruptive me drejtësinë të opozitës së sotme kur ka qeverisur vendin, si një nga arsyet pse e bën atë bllokuese të miratimin të një reforme që do ta pastronte Drejtësinë.

“Opozita po e tregon qartë se nuk e do këtë reformë dhe vetëm sa nuk është duke e thënë me zë një gjë të tillë. Po gjen gjithëçfarë sebepesh, duke vendosur kushte për mos ta votuar. Nuk e duan reformën, se kanë hallin e zullumeve që kanë bërë gjatë qeverisjes së tyre, por kjo nuk mund të na pengojë ne që të ecim përpara me këtë reformë. Gjithashtu, duke e cilësuar këtë reformë si kyçe për hapjen e negociatave me BE-në, opozita nuk do që t’ia njohë këtë sukses kësaj maxhorance dhe shqiptarëve”, mësohet të jetë shprehur Rama në mbledhjen e Grupit Parlamentar.

Gjithashtu ai i ka kërkuar kryetarit të Komisionit Parlamentar të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, të informonte grupin rreth mbledhjes së këtij komisioni, ku opozita do të paraqiste propozimet e saj.

Xhafaj, i sapokthyer nga Komisioni i Ligjeve, sqaroi se kërkesa e opozitës për komisionet hetimore është rrëzuar, ndërsa mbetet për nesër (sot) kërkesa për dekriminalizimin që janë dy nga katër kushtet e opozitës për t’iu rikthyer normalitetit parlamentar.

Në këtë pikë e ka rimarrë sërish fjalën kryetari i PS-së Edi Rama, i cili i ka quajtur “sebepe” kërkesat e opozitës. Sipas tij, maxhoranca për çështjen e dekriminalizimit ka qenë shumë luajale dhe e ka cilësuar të pakuptimtë diskutimin për këto çështje.

“Çdo kërkesë që vjen e re prej tyre, s’është gjë tjetër veçse një kërkesë e vjetër”, mësohet të ketë thënë Rama.

Në mbledhjen e djeshme, kreu i PS-së u ka kërkuar deputetëve të angazhohen këto ditë për referendumin e së dielës që do të zhvillohet në parti. “Dua që referendumi të jetë jo vetëm një përgjigje për debatin e brendshëm, por më shumë si një konfirmim i reformave të deritanishme të qeverisë nga anëtarësia socialiste”, mësohet të ketë thënë Rama.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button