Windows Phone 8.1 zëvendëson butonat fizikë me butona virtualë

Microsoft është ende në testim e sipër të versionit të përditësuar të sistemit Windows Phone 8.1, por një foto e publikuar rastësisht tregon se kompania po kalon në përdorimin e butonave mbi ekran.

Ky imazh i vogël i publikuar në llogarinë @eavleaks në Twitter tregon se butoni standard i kthimit mbrapa, i kërkimit dhe butoni Windows janë tashmë butona virtualë. Duke parë fotot e mëposhtme mund të krijoni një ide se çfarë pamjeje do të kenë këta butona.

Është e kuptueshme që Microsoft po përpiqet të eliminoje këta butona me qëllim reduktimin e kostos për prodhuesit e pajisjeve.

Ky është një opsion për prodhuesit dhe në të ardhmen ato pajisje që nuk do të disponojnë butona fizikë do të përdorin butonat virtualë, ndërsa pajisjet e tjera do të vazhdojnë të ofrohen me butonat standardë.

Pavarësisht se qëllim kryesor është kostoja e ulët, eliminimi i butonave fizikë mund të lejojë prodhuesit e pajisjeve Android që të përdorin harduer pothuajse identik për të prodhuar pajisje Windows Phone.

Microsoft është përpjekur vazhdimisht të bindë prodhuesit të ngarkojnë softuerin Windows Phone në pajisjet e tyre Android madje, kompania po konsideron edhe reduktimin e pagesave të licencës së Windows Phone për të nxitur prodhuesit të konsiderojnë më tepër këtë platformë.

Kjo foto e publikuar zbulon shumë pak rreth përditësimeve të sistemit Windows Phone 8.1 megjithatë, Microsoft ka në plan që t’a lançojë atë në konferencën e kompanisë BUILD 2014. Versioni i ri pritet të përfshijë qendrën e lajmërimeve, asistentin personal “Cortana”, përmirësime të Skype si dhe disa ndryshime të ndërfaqes.

Lajme të ngjashme

Back to top button