Skandal: Shqipëria bëri biznes vizash në kurriz të gjakmarrjes

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Nicholas Cannon ka akuzuar zyrtarët vendorë shqiptarë dhe shoqatat për “Gjakmarrjen” se në kurriz të këtij fenomeni është bërë biznes vizash.

Cannon tha dje se në Shqipëri është zhvilluar ajo që ai e quajti industri me gjakmarrjen, një biznes, që sipas tij ka krijuar një imazh të dhunshëm të vendit në Evropë.

Gjatë tryezës me temë “Gjakmarrja dhe sfidat e drejtësisë” organizuar në Shkodër, Ambasadori Britanik deklaroi se “OJQ në këtë vend kanë përfituar duke shfrytëzuar këtë temë për të marrë fonde ndërkombëtare.

Çdo vit emigrantët përpiqen të kërkojnë azil në vendet perëndimore me histori të komplikuara të gjakmarrjes, shumica prej të cilave unë besoj që janë të pavërteta.

OJQ dhe zyrtarët e qeverisjes vendore kanë zhvilluar një biznes me të ashtuquajturat certifikata të gjakmarrjes”.

Akuza shumë e drejtpërdrejtë e diplomatit anglez nuk ka marrë një përgjigje po kaq të drejtpërdrejtë nga autoritetet shqiptare të pranishme në tryezë, shkruan Ina.

Në tryezë ishte i pranishëm edhe Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla i cili garantoi se po hetohet mbi dosjet e vjetra për të identifikuar dhe kapur vrasjet pa autor që janë të lidhura me fenomenin e gjakmarrjes.

“Njëherë në cilësinë e Prokurorit të Përgjithshëm do t’u bëj të ditur drejtuesve dhe prokurorive të rretheve veriore të vendit, një mesazh që e përcjell nga kjo sallë, se puna e tyre, do të vlerësohet krahas të tjerave, kryesisht edhe mbi forcën kundër krimit të vrasjes e cila më pas gjeneron fenomenin e gjakmarrjes. Tashmë është urdhëruar rihapja e dosjeve të vjetra pa autor, me qëllim identifikimin dhe ndëshkimin ligjor të autorëve”, tha zoti Llalla.

Lajme të ngjashme

Back to top button