Kina ‘pushton’ Hënën

Kina njoftoi uljen me sukses të një roboti në sipërfaqen e Hënës, e para e tillë në 37 vitet e fundit dhe një hap gjigant i vendit të madh aziatik në programin e tij për zbulimin e hapësirës.

Lajmi u njoftua të shtunën. Televizioni shtetëror transmetoi foto të shkrepura nga roboti i pagëzuar me emrin “Yutu” në sipërfaqen e Hënës, ndërsa grupi i shkencëtarëve të agjencisë hapësinore vendase festonin përfundimin me sukses të misionit.

“Yutu” u ul në zonën e njohur si “Gjiri i Ylberëve” në satelitin tonë të vetëm natyror. Misioni i dërgimit të një roboti në Hënë, “Chang’e-3” nisi më 1 dhjetor të këtij viti, kur nga një bazë kineze, raketa “Long March 3B” u lëshua.

I gjithë misioni u përshkrua si më i vështiri në historinë e misioneve të agjencisë hapësinore kineze. Roboti kinez është i treti në historinë e njerëzimit që zbret në Hënë. Ndryshe nga dy paraardhësit e tij, një të lëshuar nga Shtetet e Bashkuara dhe një tjetër nga ish-Bashkimi Sovjetik, roboti kinez është më i sofistikuar dhe mbart një pajisje për të eksploruar disa metra nën sipërfaqen e Hënës.

“Ne po bëjmë dicka që vetëm dy vende të tjera në botë e kanë arritur më parë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik, eksplorimin e Hënës. Kjo tregon rritjen e aftësive tona teknologjike dhe është një hap i madh drejt eksplorimit të hapësirës”, thuhej në një deklaratë të autoriteteve kineze, pas uljes me sukses të robotit.

Planet kineze nuk ndalen me kaq. Në përfundim të misionit, “Yutu” do të sjellë në Tokë një grusht dhe’ nga Hëna, që mund të pasojnë me nisjen e misioneve të tjera robotike, deri në 2020, kur parashikohet dërgimi i njeriut atje.

Lajme të ngjashme

Back to top button