Përgjimet apo betonimi i zgjedhjeve së 5 qershorit? Çka e tërhoqi BDI-në nga Qeveria!?

Kumtesa e Bashkimit Demokratik për Integrim, parti kjo e njohur si partner i besueshëm i Qeverisë Nikolla Gruevski, ka njoftuar opinionin se do të tërheqë ministrat nga pushteti ekzekutiv, pa dhënë ndonjë arsye.

Në opinion janë shtruar dy çështje me rëndësi në këtë mjegullnajë politike, bëhet fjalë për betonimin e datës së 5 qershorit për zgjedhje parlamentare– edhe nëse nuk plotësohen kushtet e parashtruara- ose tërheqja ka të bëjë me skandalin e përgjimeve ku ishin të përfshirë edhe funksionarë të BDI-së?!

Publicisti Iljasa Salihu vlerëson se BDI-ja është parti që pas ndonjë vendimi të caktuar e mendon një arsye për atë vendim.

“Vendimi nuk është pasojë e arsyes, por arsyeja thuret varësisht prej interesave të këtij subjekti politik. Kjo mendësi e mbrapshtë është e njohur në të gjitha hapat e saja. Edhe atëherë kur është futur në qeveri ka hyrë pa asnjë arsye dhe vetëm pas disa muajve si klishe e ka përdorur kartën e integrimeve euro-atlantike. Tani, meqë BDI-së i mungon arsyetimi për largimin prej qeverisë, atëherë kemi të drejtë të mendojmë se sheshimi i përgjimeve erotike mes funksionarëve të kësaj partie ka shkaktuar pakënaqësi të madhe në radhët e këtij subjekti politik dhe arsyeja e dytë është të qenit besnik ndaj Gruevskit për datën e zgjedhjeve pa i plotësuar kushtet e kërkuara me të drejtë prej kreut të opozitës maqedonase”, deklaroi për Portalb Salihu.

Salihu shton më tutje se si njëra arsye ashtu edhe tjetra, apo që të dyja së bashku, vetëm se do ta fundosin BDI-në, ngaqë turpi ka filluar haptas t’i gëlojë gjithandej.

Analisti Ramadan Ramadani ka ironizuar me daljen e BDI-së nga Qeveria: “Kur del vonë prej në Qeveri ndodh sikur kur kthehesh vonë prej kafenesë në shpi, mund të qëlloje dera mbyllur me dry ose të pret naj okllagi. Sidomos pasi në këtë rast BDI e ka problem sqarimin se pse del tani e nuk ka dal për parime e euro-integrime por del për inçizime dhe tjera -ime.”

Nga ana tjetër, njohësi i çështjeve politike Albert Musliu, pohon se janë spekulime arsyet e mundshme të daljes së BDI-së nga Qeveria derisa vetë partia nuk del t’a qartësojë tërheqjen e ministrave nga ekzekutivi.

“Unë nuk besoj se është për ta betonizuar datën e zgjedhjeve pa e marrë pëlqimin nga partnerët tonë ndërkombëtarë. Jo vetëm BDI, por edhe PDSH janë shprehur se do të koordinohen me faktorin ndërkombëtar. Mund të ketë ndikim edhe çështja e përgjimeve, shpërndarja e të cilave po bëhet në mënyrë të çuditshme, por nuk besoj se BDI dhe cilido subjekt politik shqiptarë do të kishte dal me qëndrim që është në kundërshtim me faktorin ndërkombëtar. Edhe Han dje tha se duhet të mbahen zgjedhjet, por paraprakisht duhet të plotësohen kushtet,” tha për Portalb Musliu.

Bashkimi Demokratik për Integrim njoftoi opinioin vendor dhe ndërkombëtar që do të rishqyrton politikat e veta në ditët në vijim, pa dhënë detaje shtesë./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button