Rrëfime dhe pamje rënqethëse: Të jesh lypsar në Maqedoni! (FOTO)

Sipas Entit Shtetëror për Statistika në Republikën e Maqedonisë 34 507 familje ishin shfrytëzues të ndihmës sociale në para, respektivisht gjithsej 128 679 qytetarë në vitin 2014. Ndër tjerash ndihmë sociale shfrytëzuan: 22417 të mitur materialisht të pasigurt; 132 fëmijë në rrugë; 46 fëmijë- viktima të abuzimit seksual; 1052 fëmijë pa prindër; 2532 të mitur-kryerës të veprave penale; 15 fëmijë-keqpërdorues të drogës; 122 të rritur të pastrehë; 1100 familje materialisht të rrezikuara; 1860 pleq pa kujdesje familjare a të ardhura për jetesë; 11681 persona me invaliditet fizik; 3754 persona me pengesa në zhvillimin mental etj.

Megjithatë, shumë qytetarë mbijetojnë nga shitja e kutive prej kartoni apo shisheve plastike, që i mbledhin rrugëve e të tjerë nga mëshira e bashkë-qytetarëve, të cilëve u kërkojnë lëmoshë.

55 vjeçarja
55 vjeçarja

Se çfarë domethënë të jetosh si lypës, në të nxehtë përvëlues vere a në të ftohtë ngrirës dimri, nën shi a borë na rrëfen një 55 vjeçare.

“Askush nuk më ndihmon. Ja njerëzit, të cilëve iu lypi më japin ndonjë denarë, por thonë që nuk kanë. Dhe vërtetë nuk kanë! Nuk ka punë, nga të marrin?! Dal të premteve për të lypur në xhami, ditët tjera jo, se më njohin njerëzit dhe më vjen turp. Kur kam qenë e shëndoshë kam punuar, por tani jam e sëmurë dhe nuk mund të punoj. Duhet të pij barëra për nerva, për gushën dhe për veshkët, por kushtojnë 5000 denarë për t’i blerë të gjitha. Nuk kam aq para!”

“Kur ke para jeta është e mirë. Por nëse nuk ke para do të vdesësh… Kështu ke brenga të mëdha dhe qan. Nuk ka! Nuk marr as ndihmë sociale, sepse nuk e kam ditur kur është dashur t’i dorëzoj dokumentet…Jetojmë 7 anëtarë në një dhomë. Aty flejmë të gjithë, si në kohërat e lashta. Nuk kemi për të ngrënë e as që bëhet fjalë të ndërtojmë shtëpi. Më shumë jemi të uritur sesa të ngopur. Më parë mblidhja nëpër shporta ushqimet që gjeja, por tani kam dhimbje në këmbë e nuk mundem. Nëse dikush na jep para, blejmë miell apo qumësht për fëmijët. Kështu i rrisim ata.”-rrëfeu 55 vjeçarja, “Fëmijët nuk shkojnë në shkollë. Duhen para për të shkuar në shkollë. Ata u japin libra, por kot, nuk ua japin të gjitha! Duhet ta veshësh, ta pastrosh fëminë. E kur nuk kë kushte si do ta lëshosh të shkojë në shkollë?! Të përlyer, se nuk ke detergjent t’ia lash rrobat?! Nxënësi duhet të jetë i pastër, pedant. Edhe fëmijët tanë duan të jenë si të tjerët, por nuk kemi kushte.”

66 vjeçari
66 vjeçari

H.Z, shtetas i Bosnje e Hercegovinës rrëfeu për Portalb se gjatë luftës në vendlindje i ishte vrarë e shoqja. Ai ishte shpërngulur në Maqedoni, por nuk ishte martuar më. Që atëherë kishte jetuar i vetëm. Ai nuk arriu të fitojë shtetësinë dhe kështu as të shfrytëzojë ndihmë sociale apo shëndetësore. Tani ai rrëfen se nuk ka asnjë të ardhur, por se mbijeton falë bujarisë së kalimtarëve, që i hedhin ndonjë denarë në dorën e zgjatur.

“Ka 48 vite që jam në Maqedoni. Më herët kam qëndruar në Tetovë, tani në Kumanovë. Një njeri afër stacionit të autobusëve më ka liruar një dhomë dhe aty qëndroj. Njerëzit janë shumë të mirë. Më ndihmojnë. Të mos ishin ato, do të ishte katastrofë. Por mirë që deri sot nuk kam qenë i sëmurë.”-theksoi 66 vjeçari.

Qytetarët për Portalb thanë se shpesh u ndihmojnë lypësve që i takojnë rrugëve dhe ndonjëherë marrin pjesë në aksione humanitare që organizohen. Por ata theksuan se dëshira për t’i ndihmuar të tjerët kufizohet nga të ardhurat e ulëta dhe shpenzimet e larta, të domosdoshme për t’i mirëmbajtur familjet e tyre.

Në ndihmë të kategorive më të rrezikuara veprojnë organizatat humanitare, si: Kryqi i Kuq në Republikën e Maqedonisë, OH ‘El Hilal’, Fondacioni Dauti, EHO, ADRA, HOA etj. Ndërkohë që mediat vazhdimisht publikojnë raste nga më të ndryshmet, të nevojtarëve që apelojnë për ndihmë.

Ndryshe, Maqedonia vazhdon të mbetet në grupin e ekonomive më të varfra. Në nivel shtetëror shkalla e varfërisë është 22,1%, por një nga katër qytetarë nuk mund t’i plotësojë nevojat themelore për jetesë. Papunësia është 25,5% Ndërsa 0,3 e filloristëve e ndërprejnë shkollimin dhe 0,7 e shkollarëve të mesëm.

Lypëse, Kumanovë
Lypëse, Kumanovë
Lypës, Kumanovë
Lypës, Kumanovë
Lypëse, Kumanovë
Lypëse, Kumanovë
Lypëse, Kumanovë
Lypëse, Kumanovë
Lypës, Kumanovë
Lypës, Kumanovë

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button