Ish të burgosurit politik shqiptarë kërkojnë drejtësi në gjyqet ndërkombëtare

Shoqata e ish të Burgosurve dhe të Persekutuarëve Politik Shqiptarë në Maqedoni, do të kërkojë nga instancat më të larta gjyqësore, duke arritur edhe në OKB, nëse do të merr një përgjigje negative nga Gjykata e Strazburgit.

Ligji është i favorshëm për maqedonasit dhe diskriminues për të persekutuarit politik dhe ish të burgosurit shqiptarë. Kërkesa e shoqatës për çdëmtimin e periudhës së vuajtjes, për të burgosurit shqiptarë është konsideruar e pa bazë dhe e vjetërsuar nga gjykatat e vendit.

Shoqata e të Burgosurve dhe e të Persekutuarve Politikë Shqiptarë, kërkon ligj për ish të përndjekurit politik shqiptar, njëlloj siç u soll edhe për veteranët maqedonas. 

Kjo shoqatë e cila kohë më parë filloi betejën e saj kundër shtetit të Maqedonisë në Strasburg, pasi që i ka kaluar të gjitha gjyqet e Maqedonisë, pret përgjigje nga Strasburgi, por meqenëse atje procedurat vonojnë, për rreth 6 muaj do të pritet vendimi. Edhe po të merret përgjigje negative, nga shoqata thonë se do të dërgojnë ankesën e tyre edhe deri në OKB.

“Në vitin 2002 Parlamenti i Maqedonisë ka miratuar një ligj sipas të cilit ç dëmtohen të gjithë ish  të burgosurit politikë maqedonas. Ky ligj është plotësuar në vitin 2005. Gjithqashtu në vitin 1993,Parlamenti i Maqedonisë ka miratuar një Ligj ,me të cilin rregullohet çështja e statusit pensional për të gjithë ish të burgosurit politikë maqedonas. Zgjidhja e statusit të të burgosurve politikë maqedonas, është arsyeja kryesore përse ata heshtin dhe aspak nuk e aktualizojnë çështjen e ç dëmtimit. Ligj për çdëmtim vetëm të maqedonasve është diskriminues, dhe në kundërshtim me Konventën Evropiane të Këshillit të Europës kundër diskriminimit”, tha  Shpëtim Pollozhani, kryetar i  Shoqatës së të Burgosurve dhe  të Persekutuarve Politikë Shqiptarë.

Sipas Pollozhanit, duhet që ky ligj të ishte i përpiluar si i barabartë për të gjithë duke u bazuar në “nenin 6, 14 dhe 41,sipas të cilit ndalohet diskriminimi në baza etnike, raciale, konfesionele, të ngjyrës së lëkurës, gjendjes ekonomike, statusit socio-ekonomik, gjinor…”.

Sipas asaj që Pollozhani pohon, një numër i madh të burgosur dhe të persekutuarve politikë shqiptarë, e paditën shtetin në Gjykatat administrative, dhe në gjykatat  e Apelit. Të dyja instancat paditë i hodhën si të pabaza, pasi kërkesat për çdëmtim janë të vjetruara dhe nuk kanë bazë ligjore.

“Arsyetim tjetër i pushtetit ishte se ,nuk mundet të fillojë procedura për çdëmtim, për arsye se, vendimet dhe gjykimet politik të ish sistemit janë ende në fuqi dhe nuk janë anuluar akoma. Një pjesë e madhe e paditësve janë shantazhuar dhe kërcënuar nga ana e disa gjykatësve. Nga ata është kërkuar të paguajnë sasi të mëdha taksash ,ose ti tërheqin paditë, edhe pse ne iu përmbajtëm rregullit që për sasinë e kërkuar të paguajmë një taksë prej 480 dinarë. Pasi një numër i konsiderueshëm i padive e kaluan Gjyqin Administrativ dhe atë të Apelit, të gjitha dyert juridike dhe procedurat në vend u mbyllën”

Maqedonia e cila është nënshkruese e Konventës së Këshillit të Evropës Kundër Diskriminimit, rrezikon padi nga Gjyqi kundër Diskriminimit në Strasburg. Nga Shoqata e të Burgosurve dhe të Persekutuarve Politikë Shqiptarë thonë se paditë i kanë bërë të gjithë individët veçmas për shkak se shoqata nuk ka legjitimitet aktiv, nuk ka ekzistuar në kohë e dëmtimit të paditësit.

“Jemi në pritje të informacionit nga Gjyqi për të Drejtat e Njeriut-Komisioni kundër Diskriminimit. Unë si Kryetar i Shoqatës së të Burgosurve Politikë, kam kërkuar, dhe insistoj që të jem prezent gjatë shqyrtimit të Aplikacionit tim”, pohon Pollozhani.

Nga partia shqiptare në pushtet, BDI heshtin. Ministri i mbojtjes, ish deputeti Talat Xhaferi, nuk përgjigjet për premtimet që ai i bëri vitin e kaluar se do ta zgjidh këtë problem.

Lajme të ngjashme

Back to top button