Gaza në katastrofë të plotë humanitare

Qeveria në Gaza, e udhëhequr nga Hamasi, të premten i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe bashkësive humanitare për të ndihmuar dhe lehtësuar vuajtjet e pothuajse 2 milion banorëve të Rripit të Gazës, duke paralajmëruar se enklavat e sulmuara palestineze janë në prag të një krize të plotë humanitare.

“Qeveria i ka informuar palët lokale dhe ndërkombëtare mbi situatën në Gaza dhe u bëri të qartë se kushtet e rënda janë për shkak të ndërprerjes së energjisë dhe mungesës së karburantit dhe gazit”, tha zëdhënësi i qeverisë Ihab al – Ghusein.

Temeperaturat e ulta, që aktualisht kanë pushtuar Gazën, i kanë vënë edhe më në pah nevojat e banorëve, të cilët kanë vuajtur mungesën e karburantit në dy muajt e fundit. Termocentrali i vetëm në Gaza pushoi së punuari disa javë më parë  pas konsumimit të pikës së fundit të karburantit, duke i bërë kështu autoritetet lokale  e energjisë të paaftë të prodhojnë energji më shumë se 6 orë në ditë, transmeton Mesazhi.

Al-Ghusein tha se kryeministri Ismali Haniyeh u kishte telefonuar disa figurave ndërkombëtare dhe u ka bërë thirrje për t’i ndihmuar që të mbulojë mungesat e ilaçeve kaq të nevojshme, dhe paisjeve tjera mjekësore. Haniyeh u kërkoi gjithashtu edhe autoriteteve palestineze, presidentit Mahmud Abas për të “ mbajtur mosmarrëveshjet politike larg nga shërbimet humanitare, dhe  menjëherë të punojnë drejt dërgimit të karburantit të nevojshëm në centralin e Gazës për prodhimin e energjisë”

Zëdhënësi shtoi: “ Fondet që autoritetet palestineze marrin nga donatorët dhe agjencitë ndërkombëtare, si dhe të hyrat nga taksat në karburant dhe importet e Gazës, janë duke shkuar direkt në thesarin e këtyre autoriteteve. Asgjë nuk është duke shkuar në drejtim të shërbimeve në Gaza.”

Al- Ghusein përfundoi duke u bërë thirrje autoriteteve egjiptiane për ta mbajtur të hapur kalimin kufitar Rafah e cila lidh Rripin e Gazës me Gadishullin Sinai të Egjiptit.

Lajme të ngjashme

Back to top button