Rama: Administrata të ndahet nga politika

Qeveria shqiptare po punon për një administratë në shërbim të qytetarit dhe në respekt të ligjit. Pohimi u bë dje nga kryeministrit Edi Rama në konferencën me temë “Një administratë evropiane për Shqipërinë e gjeneratës tjetër”. Në këtë takim ku ishin disa nga ministrat e kabinetit qeveritar, Kryeministri vuri theksin në depolitizimin e administratës publike, ndërsa tha se kjo nuk i përjashton nëpunësit që të kenë angazhimin e tyre politik. 

Por theksoi ai, kjo, jashtë ambientit të punës dhe orarit zyrtar. Ndërsa drejtuesit e dikastereve ministrore theksuan punën e bërë deri tani për të garantuar një administratë funksionale. Ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito e konsideroi sfidë krijimin e një administrate të depolitizuar. Ndërsa ministrja e Arsimit dhe Sportit theksoi si sukses të parë konkursin për zgjedhjen e drejtuesve të Drejtorive Arsimore Rajonale. “Një administratë funksionale është një hap më shumë drejt integrimit”, -, theksoi ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha. Në takim u përcollën dhe eksperiencat e të rinjve të cilët falë përgatitjes së tyre dhe një konkurrimi të drejtë, kanë mundur të sigurojnë një vend në administratë.

 Kryeministri Rama

“Po punojmë për një administratë në shërbim të qytetarit dhe respekt të ligjeve të vendit. Një administratë që është ajo çka ka munguar më shumë se gjithçka tjetër në gjithë këto vite, dhe është ajo çka do të jetë themeli i Shqipërisë evropiane, si anëtare e BE-së”, – deklaroi dje Rama. Sipas tij, një realitet ndryshe nis pikërisht atje ku qytetari troket për të marrë një shërbim. 

Kreu i qeverisë theksoi rëndësinë e depolitizimit të administratës publike, ndërsa tha se kjo nuk i përjashton nëpunësit që të kenë angazhimin e tyre politik. “Administrata duhet të ndahet nga politika. Kjo nuk do të thotë se kush punon në administratë nuk duhet të ketë bindjet e tij politike, duhet  t’i shmanget nga frika aktiviteteve politike, apo të ngurrojë po nga frika të bëhet pjesë e diskutimeve që politika hap me shoqërinë. Kjo nuk do të thotë që politika ta uzurpojë administratën përmes të besuarve të vet, por përkundrazi. Administrata është mjet për ta bërë më të mirë bashkëjetesën mes njerëzve”,- tha Rama.

 Kreu i qeverisë theksoi nevojën për të ndryshuar imazhin. “Nëse ne do të përmirësojmë imazhin e shtetit, dhe do të krijojmë kushte që të besohet se kush është i zoti mund të shkojë aty ku dëshiron dhe brenda administratës të bëjë karrierën që dëshiron, ne do të bëjmë progres për ta bërë administratën një mundësi që eksperienca të ndërthuret me idetë e reja”,- tha Rama. Ai premtoi se do të bëhet çmos që të përmirësohen kushtet për nëpunësit. “E kemi filluar nga dy kushtet e para: të përmirësojmë imazhin e shtetit tonë, dhe të krijojmë besim se konkurset nuk janë farsa, dhe nëpërmjet tyre gjithsecili të tregojë sesa vlen”,- tha Rama. 

Ministritë 

Puna për një administratë cilësore dhe të depolitizuar duhet të kryhet në çdo dikaster. Kështu pohoi ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito. “Nuk do të ketë korrupsion në administratë dhe do të përpiqemi t’i kthejmë dinjitetin asaj. 

Po kështu, depolitizimi i administratës publike, është e sfidë e madhe për ne. Po punojmë për një ndryshim të madh. Konkurset do të jenë reale. Askush nuk duhet ta shikojë më administratën si një vend ku mund të merret rrogë pa punuar”, – tha ajo. Harito theksoi se, Qeveria do të jetë garant për mbrojtjen e administratës publike. Ndërsa ministrja Nikolla përcolli si shembull konkret të meritokracisë, konkurset për zgjedhje e kreut të DAR-it. “Shpreh keqardhjen time për komentet ndoshta dhe shpifjet politike për keqdashësinë e këtij procesi. Kjo vjen nga trashëgimia e një politike zhgënjyese dhe gënjeshtare. Janë 240 konkurrentë dëshmitarë të këtij procesi të ndershëm transparent e të bazuar në meritokraci”, – deklaroi ajo.  

Lajme të ngjashme

Back to top button