Ardit Gjebrea tregon realitetin e dhimbshëm shqiptar

Mbijetesa, në ditët e sotme është tërësisht e vështirë. Disa vuajnë të gjejnë një punë, disa nuk janë të aftë të punojnë, disa nuk kanë mundësi etj. Shumë individë, nga pamundësia për të pasur një burim të ardhurash, detyrohen të lypin në rrugë. Në shumë vende të botës, njerëz të cilët janë mirë nga gjendja ekonomike i ndihmojnë këta persona, qoftë edhe me një shumë të vogël parash ose edhe me ushqime. Ndërsa të tjerët, të cilët nuk mund të dhurojnë dot ose nuk duan, minimumi i  respektojnë.

Por ç’farë ndodh në Shqipëri?

A respektohen këta individë, të cilët vuajnë shumë për të fituar bukën e gojës?

Ardit Gjebrea, një njeri shumë i respektuar dhe i vlerësuar në të gjithë Shqipërinë, tregoi me anë të një eksperimenti,  realitetin e dhimbshëm shqiptar. Ai e kuptoi mjaft mirë vuajtjen, mërzinë që kaplonte një familje, burimi ekonomik i së cilës ishin të ardhurat që fitoheshin duke lypur në rrugë. Nga rrëfimi i djalit, i cili siguronte shumicën e të ardhurave në familje duke lypur, rezultoi se disa njerëz  e ndihmonin sado pak me leka ose me ushqime, por  shumë të tjerë  e ofendonin, e keqtrajtonin, e injoronin dhe nuk e ndihmonin as me një shumë të vogël parash.

Por a është e drejtë kjo gjë?

A duhet të abuzojmë ne me këta individë, vetëm sepse ata janë lypës?

Për të kuptuar më mirë gjendjen shpirtërore të këtyre personave, Ardit Gjebrea u maskua dhe u shndërrua në një lypës, ku do të përpiqej të fitonte të ardhura nga zemërgjerësia e njerëzve që kalonin me makinat e tyre.

Zemërgjerësi?

Fatkeqësisht shumë pak u treguan zemërgjerë duke ofruar një sasi minimale parash, ndërsa shumica u treguan njerëz mizorë, të pashpirt, indiferentë, ku nuk mendonin se ishin përballë një njeriu. Ata reaguan shumë keq ndaj lutjes për ndihmë të dy individëve, duke ofenduar në menyrë të keqe, edhe pse në makinë kishin fëmijët e tyre. Shumë prej tyre, të cilët e respektonin dhe e përshëndesnin Arditin  në jetën e përditshme, atë ditë treguan një anë të errët , ku sipas tyre vetëm individët që janë “dikush” në këtë jetë duhen vlerësuar. Pra ky eksperiment, tregoi se ç’pjesë e kujt shoqërie jemi. Një shoqërie të papërgjegjshme, diskriminuese, të cilën ne të rinjtë shqiptarë duhet ta luftojmë me gjithë forcën tonë. Në asnjë mënyrë nuk duhet të lejohet që një njeri të trajtohet në mënyrë mizore. Shteti, por edhe shoqëria jonë e drejtë, duhet të garantojnë lirinë dhe mbrojtjen e dinjitetit dhe të drejtave të njerëzve. Sfida e tyre ndaj jetës, duke lypur në rrugë, duhet vlerësuar, sepse ata po bëjnë një përpjekje për të fituar bukën e gojës . Gjithashtu duhet vlerësuar fakti se ata nuk e shpenzojnë kohën kot, si shumë shqiptarë të tjerë, duke qëndruar në kafene, por e shpenzojnë duke siguruar të ardhura. Ata nuk tergohen kërcënues apo të dëmshëm për të tjerët, dhe nuk ka arsye që me ata të abuzohet apo të diskriminohen. Liria dhe të drejtat e njeriut janë të shenjta. Dinjiteti i tyre, pavarësisht se ç’farë pune bën, nuk duhet të kërcënohet. Shpresa jonë është Bashkimi Europian. Por për tu bërë pjesë e tyre, fillimisht duhet të europianizohet shoqëria jonë, që fatkeqësisht, realiteti tregon se jemi në rrugën e gabuar.  Shumë shqiptarë ankohen se në Shqipëria nuk është vendi ideal për të jetuar. Por për të qënë pjesë e një vendi ideal për të jetuar, duhet që edhe shoqëia të jetë ideale dhe jo paragjykuese. Pra nëse nuk “zhvillohemi” dhe nëse nuk ndryshojmë veten tonë, të mos shpresojmë të jetojmë në një vend “europian” dhe të zhvilluar. Vendi ynë varet nga ne, dhe ne duhet të jemi të aftë për ta përfaqësuar atë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button