Makinë me eksploziv pranë Kryeministrisë, prefekti i Vlorës 3 orë në pyetje

Mëngjesin e sotëm Kryeministria është rrethuar nga forca të shumta policie, pas një alarmi të dhënë për bombë. Mësohet se sasi e eksplozivit ishte konstatuar në automjetin, i cili ishte në pronësi të shtetasit Besnik Dervishi, me detyrë prefekt i Vlorës.

Besnik Dervishi po hynte ishte drejtuar për të hyrë në mjediset e selisë së Kryeministrisë, por aga kontrolli i specializuar i ushtruar nga efektivat e Gardësb u konstatua se në pjesën e poshtme të automjetit ishte vendosur një objekt i dyshuar si sasi eksplozivi. Oficerët e Gardës së Republikës i kërkuan drejtuesit dhe pasagjerit të automjetit, të largoheshin nga mjeti si dhe bënë bllokimin e lëvizjes së mjeteve në hyrje të Kryeministrisë.

Ekspertët e xhenios pasi kryen shpërthimin e kontrolluar, thanë se alarmi rezultonte që ishte fals. Por, Ministria e Brendshme më vonë bëri të ditur se gjatë shpërthimit të kontrolluar, u konfirmua se kishte një sasi të vogël eksplozivi, prej 300 gr, në pjesën e poshtme të automjetit. Eksplozivi u çaktivizua nga eksperti i xhenios, duke shmangur çdo incident.

Makina, e modelit “Peugot” model 407 ngjyrë gri me targa TR 5066 H ndodhej në krahun e majtë të godinës, pikërisht në krah të Piramidës. 

Policia dhe Garda e Republikës zgjeruan rrethimin e zonës, duke bllokuar edhe qarkullimin i automjeteve dhe i këmbësorëve. 

Ndërkaq u evakuua personeli i Kryeministrisë, i cili ka shkoi te ndërtesa e Ministrisë së Financave. 

Ndërkohë ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, kreu i SHISH-it, Visho Ajazi dhe kreu i Gardës Gramoz Sako ndoqën nga afër aksionin për verifikimin dhe kontrollin e gjithë zonës, brenda dhe jashtë godinës qeveritare. Ndërsa kryeministri Edi Rama nuk ndodhet në zyrën e tij, pasi është në një vizitë zyrtare në Itali.

Dështon atentati ndaj perfektit 

Prefekti Dervishi ka mbërritur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ku është marrë në pyetje lidhur me problemet që ai mund të ketë, të cilat kanë çuar edhe në vendosjen e eksplozivit. I pranishëm gjatë marrjes në pyetje ishte edhe zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga, sipas hetimeve paraprake dyshohet se objektiv i atentatit të mbetur në tentativë ka qenë vetë Prefekti Dervishi.

Marrja në pyetje ka zgjatur rreth tri orë. Prefekti Dervishi është nisur mëngjesin e sotëm nga Vlora drejt Tiranës për një takim pune. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ngritur një sërë pistash hetimi nga hakmarrjet për shkak të punës deri në çështjet personale.

Në momentin kur është konstatuar lënda eksplozive dyshohet se Prefekti ka qenë në makinë me shefin e ri të antikorrupsionit Ergys Hoxha. Lënda eksplozive sipas informacioneve të fundit është instaluar në qytetin e Vlorës dhe jo në kryeqytet, pra prefekti ka udhëtuar me lëndën eksplozive poshtë këmbëve nga Vlora në Tiranë. Lënda eksplozive është zbuluar ne momentin qe Prefekti Dervishi i ka kërkuar njërit prej gardisteve ta ndihmoje për te parkuar makinën pranë Kryeministrisë, pasi nuk kishte gjetur vend-parkim. Gjatë marrjes në pyetje prefekti ka mohuar të ketë probleme të mëdha apo shqetësime kohët e fundit. Ndërkohë institucionet që po merren me hetimin e çështjes tregohen të rezervuar lidhur me detajet, që janë dhënë nga prefekti Dervishi gjatë marrjes në pyetje. Dervishi dhe familja e tij është marrë në mbrojtje nga uniformat blu. Hetimet drejtohen nga prokurori Ardian Nezha.

Sqarimi i Policisë së Shtetit 

Në datë 13.12.2013, rreth orës 09:30 automjeti tip “Peugeot” me targa TR 5066 N, në pronësi   të shtetasit Besnik Dervishi, me detyrë prefekt i Vlorës, është drejtuar për të hyrë në mjediset e selisë së Kryeministrisë.  Nga kontrolli i specializuar i ushtruar nga efektivat e Gardës në hyrje të zonës së brendshme  të Kryeministrisë, është konstatuar se në pjesën e poshtme të automjetit ishte vendosur një   objekt i dyshuar si sasi eksplozivi. Oficerët e Gardës së Republikës i kërkuan drejtuesit dhe pasagjerit të automjetit, të largoheshin nga mjeti si dhe bënë bllokimin e lëvizjes së mjeteve në hyrje të Kryeministrisë. Menjëherë janë njoftuar shërbimet e specializuara të Policisë së Shtetit dhe Njësia Antieksploziv e repartit RENEA si dhe Prokuroria për Krimet e Rënda. Policia ka urdhëruar dhe ka marrë masa të menjëhershme për evakuimin e të gjithë personave rreth vendit të ngjarjes duke siguruar edhe perimetrin e nevojshëm për kryerjen e veprimeve nga ana e ekspertëve antieksploziv. 

Nga veprimet e kryera nga njësia antieksploziv dhe nga këqyrja e detajuar e automjetit është vërtetuar se në mjet ishte vendosur një sasi prej më shumë se 200 gram eksploziv C4, me të cilën ishin lidhur dy kapsolla detonatorë dhe një celular. Njësia antieksploziv në Policinë e Shtetit ka marrë të gjitha masat, duke bërë neutralizimin e sasisë së eksplozivit. Grupit hetimor po vazhdon punën për sqarimin e plotë të rrethanave dhe motiveve të kësaj ngjarje./Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button