Inagurohet “Nëna Shqiptare” në Zajaz (FOTO)

U shënua ceremonia e inaugurimit të Qendrës Përkujtimore “Nëna Shqiptare” në Zajaz të Kërçovës që ngritet për nderim të viktimave shqiptare nga Luftërat Ballkanike dhe me rastin e 101 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar – Dita e Flamurit.

“Këto vepra nuk janë bërë për të nxitur hakrmarrje dhe të ushqejmë urrejtjen ndaj popujve, sepse popujt nuk janë fajtor për gjenocidet që janë ushtruar ndaj shqiptarëve, por janë krerët shovinistë dhe sot është 100 vjetori i masakrave më të mëdha. Sot është një ditë ku shqiptarët e këtyre viseve të gjithë kanë përfunduar në gropa dhe varre masive, që ne pas 100 vitesh po I zbulojmë dhe po i vendosim aty ku e kanë vendin. Kjo nuk është që ne të kthehemi pas të shkuarën. Kjo që bëjmë sot është një apel që të gjithë ata popuj , të gjithë ato shtete që kanë ushtruar gjenocid dhe kanë shfaros fshatra të tëra shqiptare, të reflektojnë, të kërkojnë falje, sepse ne jemi ata që duam të ndërtojmë të ardhme të sigurt për gjeneratat që vijnë pas nesh”, theksoi Ahmeti.


Ai nënvizoi se  e ardhmja e popullit tonë është te kontributi për paqen, për faljen, stabilitetin, jo për ngritjen e aleancave për shpërbërjen e zhdukjen e kombeve, të aleancave ogurzeza të coptimit dhe dëbimit dhe ushtrimit të dhunës mbi popujt më të vegjël.


“Do të punojmë dhe zbardhim të gjitha tragjeditë që kanë ndodhur mbi shqiptarët dhe popujt tjerë të vegjël dhe pambrojtur si ne. Ky rast le të shërbejë edhe për bashkëqytetarët tanë maqedonas, sepse edhe ata kanë përjetuar dhunë dhe vrasje, dhe i kanë pasqyruar në libra e gazeta në të kaluarën, por le të jetë ky një moment reflektimi edhe për ta, sepse edhe shqiptarët që kanë jetuar dhe jetojnë në hapësirat e tyre kanë përjetuar dhunë, gjenocid dhe shfarosje. Le të jetë një moment që të gjithë bashkë të shohim të ardhmen që siguron mirëqenie dhe dinjitet kombëtar për shqiptarët dhe nga ana tjetër për maqedonasit. Ngritja e këtyre përmendoreve, valëvitja e flamujve kombëtar dhe përmendoreve përkujtimore nuk duhet ti pengojë qytetarëve maqedonas”, theksoi kryetari i BDI-së.


Ai tha se flamuri Kuq e Zi nuk është as i Shqipërisë, as i  Kosovës, as i shqiptarëve të Maqedonisë e më tej , por ky është flamuri kombëtar i gjithë shqiptarëve , që është larë me gjak dhe sakrificën e bijëve dhe bijave tona. Në këtë përvjetor folën edhe personalitete tjera politike dhe veprimtarë të çështjes shqiptare nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria dhe trevat e tjera. Ahmeti theksoi se kjo ditë e 101 vjetorit dhe aktiviteti i organizuar bëhet edhe në shenjë përkujtimi dhe nderimi për të gjithë dëshmorët e luftërave shqiptare çlirimtare dhe familjeve të tyre.

“Sot kujtojmë vuajtjen, sakrificën, martirizimin, krenarinë dhe amanetin e brezave dhe gjeneratave të reja të cilat u dhuruan këtij populli gjakun e njomë në emër të lirisë dhe të ardhmërisë. Do të shpalos një emocion të një dekade më parë kur pas mbarimit me sukses të misionit kombëtar të 2001, me çmalljen e kryetarit Ali Ahmetit me nënën e tij dhe me pas mbi varrin e babait të tij, u shpreh se ky vend nuk do të jetë i qenë përderisa ky popull të ndriçojë martirizimin në të kaluarën dhe të kthejë dinjitetin e shkelur njëshekullor. Ai u shpreh se kjo mbetet detyra e gjeneratës tonë. Sot dëshira e tij u shndërrua në realitet.” tha kryetari i komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari.

“Ne të gjithë jemi dikush diku. Mund të jemi funksionarë ose të mëdhenj dhe prestigjioz diku. Por para nënës tonë të gjithë jemi vetëm fëmijë të saj. Madhështia e nënës ja tejkalon secilës madhështie në këtë botë. Që kjo madhështi të jetë më e madhe, ne sot ndodhemi  përpara këtij monumenti të pagëzuar Nëna shqiptare si përkujtim për të gjithë bijtë shqiptar që përgjatë këtij qindvjeçare e paguan me gjak vullnetin e tyre për liri dhe faktin që nuk flisnin serbisht ose bullgarisht. Shqiptarët e këtyre trevave me gjakun e tyre e kanë ruajtur këtë truall. Sot nuk ka fjalë që nuk mund ta shprehë ndjenjën e atyre që gjenden këtu e veçanërisht ndjenjën e atyre që nën këtë truall të zi kanë ndonjë familjarë ose të afërt. Kjo nënë shqiptare duhet të na shërbejë si lajt motiv që të na ndriçojë rrugën.” tha kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti.

Përshëndetja e rastit ju dha edhe babit të të ndjerit komandant Shpendit i cili nën emocione të forta u shprehë se “mbi të gjitha vlerat vlerat qëndron Shqipëria, mbi Shqipërinë vetëm perëndia.”


Kryetari i SHVL-UÇK-së, Fazli Veliu tha se pas kaq dhimbjeve të mëdha që përjetoi kombi jonë, sot është e vështirë të flasësh për ato. “Të bësh nënën shqiptare, që është njëkohësisht nëna ilire, nëna arbreshe, do të thotë shumë. Ky është një objekt mjaftë madhështor dhe vjen menjëherë pas objektit që gjindet edhe në Shqipëri. Ne do të vazhdojmë objektin në fazën e tij të dytë dhe do të përfshihen edhe disa figura të tjera të shquara të historisë shqiptare.”

Lajme të ngjashme

Back to top button