POETI REBEL

Pritja e shkrimit me të cilin shpërfaqa para do kohësh të dhëna të panjohura për poetin freng Sharl Bodlerin më dha kurajo ta përsëris këtë edhe në konteksin e një gjeniu tjetër të letërsisë, i cili, mes tjerash, e ka përjetësuar me vargje domethënëse edhe Shqipërinë dhe shqiptarët.

Fjala është për Xhorxh Gordon Bajronin – poetin e famshëm të romantizmit evropian, jeta e të cilit nuk ka qenë mu ajo që e kemi mësuar në bankat shkollore dhe në katedra fakultetesh.

Kuptohet, njësoj si në rastin e Bordlerit, edhe shkrimi i sotëm nuk ka për qëllim uljen e vlerës së personaliteteve letrare, po sfidimin e mendësisë së dëmshmë që shpesh ngatërron veprën artistike me jetën private të krijuesit të saj…

Bajroni lindi në Londër në një familje aristokratësh. Babai i tij qe i rreptë e aventurier, kurse nëna emocionalisht jostabile.

E karakterizoi bukuria e rrallë, po një lëndim i këmbës në fëmijëri e la përjetësisht të çalë (disa shënime thonë se ai u lind me këtë defekt eshtrash…). Kjo e bëri të ndjeshëm, të pakënaqur, të revoltuar, të kompleksuar…, veçmas ndaj klasës të cilës i takonte.

Qe shumë inteligjent, po si nxënës qe i dobët dhe përtac.

Pas studimeve në Kembrixh, vetëm për hirë të nënës së tij të rreptë pranoi të zë vendin e lordit në parlamentin anglez. Por, duke qenë zemërhapur dhe i sinqertë që në fillim i shpalli luftë hipokrizisë së aristokratëve që synonin vetëm privilegjet, ofiqet, gradat, titujt…

Lordët e llastuar anglezë nuk mund t’i duronin sëmbimet e pandalshme dhe sjelljet e Bajronit që cënonte “nivelin” dhe “moralin” e tyre.

Pas lindjes së vajzës së tij filloi ta torturojë të shoqen pa asnjë arsye.

Kur ajo, nëpërmjet letrave të fshehura, e kuptoi se bën dashuri me femra të tjera, Bajroni i tha: Dhe ti tërë kohën paske menduar se jam duke ngordhur nga dashuria që kam për ty?

Kur i hypnin rrebet nuk e kontrollonte dot veten, prandaj pinte morfium për qetësim. Për këtë shkak e shoqja frikësohej kur mbetej vetëm me të. Kupa u pelimeve të gruas fatkeqe u mbush kur Bajroni e dhunoi vajzen e xhaxhait. Pas kësaj, ajo e braktisi bashkë me të bijën.

Atëbotë Bajroni u hidhërua pothuajse me të gjithë miqtë. Kjo vërehej në ambientet ku organizoheshin ballo, ku prezenca e tij bëhej shkak për ikjen e të tjerëve.

Një front ballafaqimesh të ashpra kishte hapur edhe me krijuesit puthadorë të kohës së tij, ndaj u gjend në një rreth krejtësisht armiqësor. Të sfiduarit dhe kundërshtarët e pagëzuan tradhëtar për shkak se Napoleon Bonapartin e pagëzoi bir i lirisë, kurse politikën anglezë e quajti: politikë nate – reakcion…

Kur iu bezdis përfundimisht jeta mes sakllevërish (kështu i quante ai aristokratët) vendosi ta braktisë Anglinë. Para ikjes, për gjithë ata që ia helmuan jetën tha: Nëse janë të vërteta ato që thuhen për mua, unë nuk jam i denjë për Anglinë, e nëse janë gënjeshtra, Anglia s’është e denjë për mua, prandaj duhet të ikë nga ky vend i mallkuar.

Udhëtoi shumë. Vizitoi mes tjerash edhe Portugalinë, Spanjën, Turqinë, Greqinë, Shqipërinë…

Vizitoi edhe oborrin mbretëror të Ali Pashë Tepelenës dhe u mahnit nga Napoleoni shqiptar.

Kryevepra e Bajronit është poema “Çajlld Haroldi” (1812), me heronj rebelë, krenarë, të zhgënjyer nga jeta dhe me fund tragjik.

Vdiq nga ndezja e trurit.

Memoaret e tij i dogjën familjarët pa pikë mëshire.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button