Shqipëria feston 101 – vjetorin e pavarësisë

Sot shqiptarët kudo që janë festojnë ditën e flamurit, ditën që shënon 101-vjetorin e Pavarësisë. Krerët më të lartë të shtetit shqiptar do të jenë sot në Vlorë për të shënuar 101- vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.

Më 28 nëntor të vitit 1912, Ismail Qemali dhe patriot të tjerë shqiptarë ngritën flamurin në qytetin e Vlorës dhe nënshkruan deklaratën e Pavarësisë, duke shpallur kështu mëvetësinë e shtetit shqiptar.

Presidenca e Shqipërisë ka njoftuar nëpërmjet një komunikate, se presidenti Bujar Nishani, do të jetë i pranishëm nëe ceremoninë e ngritjes së flamurit në Vlorë, dhe më pas do të zhvillojë një vizitë në shtëpinë e patriotit Osman Haxhiu.

Ndërkaq, në mbrëmje presidenti Nishani organizon një pritjen zyrtare në Pallatin e Brigadave.

Ndërkohë, gjatë një konference për shtyp, ministrja për Kulturë, Mirela Kumbaro, bëri të ditur se Qeveria dhe kryeministri Edi Rama kanë organizuar një agjendë të posaçme në Vlorë.

“28 Nëntori, që është dita e 101- vjetorit të Pavarësisë, është Ditë e Flamurit dhe për këtë Qeveria dhe kryeministri kanë organizuar një agjendë të posaçme në Vlorë. Zyra e komunikimit do t’ua bëjë të njohur këtë agjendë, e cila ka në qendër të vëmendjes një datë të pashlyeshme dhe që në 101-vjetorin, në 102 – vjetorin dhe në të gjitha vitet që do të pasojnë, mbetet kryeqytet Vlora”, është shprehur Kumbaro.

Ndërsa, mazhoranca në pushtet feston ditën e pavarësisë dhe më 29 nëntor Ditën e Clirimit të Shqipërisë nga pushtuesi nazifashist, opozita dhe përkrahësit e saj sot festojnë të dyja festat, andaj sot Bashkia e Tiranës do të organizojë një sërë aktivitetesh festive e kulturore.

Kryetari Partisë Demokratike Lulëzim Basha gjatë vizitës te Varrezat Dëshmorëve ka rikujtuar sakrificat e popullit shqiptar ndër vite.

“Në këtë ditë të shënuar të kombit tonë, 28 Nëntorin, festojmë ngritjen e flamurit dhe shpalljen e pavarësisë. Përulemi para mijëra e mijëra dëshmorëve, bijve të shqipes, që u flijuan për pavarësinë dhe integritetin e Shqipërisë. Sot i kujtojmë këta martirë, sakrificën sublime me të cilën i shërbyen kombit”, ka thënë Basha, duke kujtuar edhe dëshmorët e rënë në luftën e Kosovës, dhe në treva tjera me shqiptarë:

“Kujtojmë edhe bijtë e shqipes në Kosovë, Preshevë, Maqedoni që luftuan për lirinë e Kosovës. 2013 është viti 101 pas shpalljes së pavarësisë dhe 100 vite pas vitit fatkeq të vitit 1913, që na tregon se sakrificat nuk mbarojnë. Të lëmë mënjanë interesat personale dhe të bashkohemi për interesat kombëtare”.

Aktivitetet e parapara për këtë ditë festive kanë nisuar me homazhe te Varrezat e Dëshmorëve, në orën 10:00, për të vazhduar me homazhe dhe te Memoriali i Komandantit Legjendar, Adem Jashari, te Rruga e Durrësit.

Ndërkohë Banda e Qytetit do të performojë një sërë këngësh patriotike, si dhe një repertor të përzgjedhur enkas për këto festime, përgjatë rrugës “Murat Toptani” dhe Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Me rastin e 101-vjetorit të Pavarësisë, presidenti Amerikan, Barack Obama i ka dërguar një mesazh urimi homologut shqiptar, Bujar Nishani.

Në mesazhin e presidentit Obama theksohet se SHBA-ja dhe Shqipëria gëzojnë një partneritet të fortë e të veçantë të bazuar në interesa të përbashkëta.

“ SHBA-ja dhe Shqipëria gëzojnë një partneritet të fortë e të veçantë të bazuar në interesa të përbashkëta. Unë e vlerësoj përkushtimin e Shqipërisë ndaj paqes dhe sigurisë globale, përfshirë edhe përpjekjet tona të vazhdueshme e të përbashkëta në Afganistan, si edhe rolin e Shqipërisë në ruajtjen e qëndrueshmërisë në Ballkan”.

“Pres që të vazhdojmë dhe ta fuqizojmë marrëdhënien tonë në të ardhmen dhe ne zotohemi për mbështetjen tonë të plotë teksa vendi juaj përparon në rrugëtimin drejt integrimit të plotë në bashkësinë euroatlantike. Pranoni, ju lutem, urimet më të mira të popullit amerikan në përvjetorin e Pavarësisë së vendit tuaj”, përfundon mesazhi i presidentit amerikan.

Urime për 101-vjetorin e Pavarësisë Shqipërisë i kanë ardhur edhe nga sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, i cili në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, i shpreh urimet më të mira popullit të Shqipërisë.

“Tranzicioni paqësor i këtij viti dhe përparimet legjislative nënvizojnë kredencialet demokratike të Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin popullin e Shqipërisë, ndërkohë që ata vazhdojnë të kërkojnë avancimin e sundimit të ligjit dhe reformat ekonomike, dhe ne mirëpresim rekomandimin e Komisionit Evropian që Shqipëria të marrë statusin e kandidatit”.

“Ndërkohë që ju festoni me familjet dhe miqtë, Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me ju si një partner i palëkundshëm dhe aleat. Ne shohim përpara drejt një të ardhme të miqësisë dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm”, thuhet mes të tjerash në mesazhin e sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry.(rel)

Lajme të ngjashme

Back to top button