Tiranë, ‘lumë’ aktivitetesh për 101-vjetorin e Pavarësisë

Me rastin e festave kombëtare, Pavarësisë dhe çlirimit të Shqipërisë, në Tiranë do të organizohen një sërë aktivitetesh. Kryeqyteti me rastin e 101- vjetorit të Pavarësisë do të ketë aktivitete të llojeve të ndryshme të organizuara nga Bashkia e Tiranës, të cilat startojnë në orën 10:00 dhe përfundojnë në orën 20:00.

Ndërsa festimet për “Natën e Bardhë” në 29 nëntor rikthehen sërish, pasi ato ishin një traditë e Bashkisë së Tiranës gjatë kohës që drejtohej nga kryeministri aktual Edi Rama. Ka qenë ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila njoftoi për publikun axhendën e një serie aktivitetesh artistike që do të zhvillohen në Tiranë në kuadër të “Natës së Bardhë”, e organizuar nën kujdesin e veçantë të qeverisë. Ministrja theksoi se “nuk ka buxhet ekstra për këto aktivitete”.

Siparin e festave për 28 Nëntorin e hap panairi në rrugën pedonale “Murat Toptani” në orën 9:00. Gjatë të gjithë ditës së sotme do të zhvillohen lojëra popullore në ambientet e parkut “Rinia”. Gjithashtu, Ansambli i Tiranës do të performojë valle të të gjitha krahinave. Ansambli do të vendoset në sheshin para monumenteve të Vëllezërve Frashëri në orën 11:00-12:00 dhe në sheshin para Galerisë Kombëtare në orën 12:00-13:00. Ndërkohë Banda e qytetit do të performojë një sërë këngësh patriotike si dhe një repertor të përzgjedhur enkas për këto festime, përgjatë rrugës pedonale “Murat Toptani” dhe bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Ndërsa me rastin e çlirimit të vendit në 29 Nëntor organizohet “Nata e bardhë”, ku aktivitetet do fillojnë paradite dhe do të zgjasin deri në orët e para të mëngjesit. Për herë të parë Galeria Kombëtare e Arteve dhe Muzeu Historik Kombëtar do të jenë hapur deri në mëngjes, duke iu bashkuar festimeve. Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë dhe Teatri i Kukullave nga ora 10:00 e paradites deri në orën 22:00 do kenë shfaqje të ndryshme, hyrja do jetë falas. Po ashtu të gjitha, çdo restorant apo bar me tabelën “Këtu festohet Nata e Bardhë” do të ofrojë shërbim nën kosto në datën 29 Nëntor, nga ora 10 e darkës.(BW)

Lajme të ngjashme

Back to top button