Shkup, fillon konferenca dyditore për partneritet mes Qeverisë dhe sektorit civil

Ministrja për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Marta Arsovska – Tomovska dhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoni Aivo Orav sot hapën konferencën dyditore “Partneritet i hapur qeveritar – dialog me organizatat e shoqërisë civile lidhur me Planin Kombëtar të Veprimit 2016-2018” që paraqet platformë e cila synon të bëjë qeveritë më transparente ndaj qytetarëve, raporton Anadolu Agency (AA).

Siç njoftuan organizatorët e kësaj konference, Qendra e Maqedonisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar (QMBN), Republika e Maqedonisë në vitin 2014 miratoi planin e dytë aksional 2014-2016 në zbatimin e të cilit morën pjesë në mënyrë aktive rreth 40 Organizata Joqeveritare (OJQ), për çka konferenca dyditore do të jetë një mundësi e mirë që shoqëria civile të jep drejtime dhe rekomandime për disajnimin e planit të ri aksional 2016-2018.

Ministrja për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Marta Arsovska- Tomovska, dikasteri i së cilës është përgjegjës për koordinimin e këtij procesi, tha se që nga viti 2011 kur qeveria e Maqedonisë i është bashkuar kësaj nisme globale, ka marrë për obligim të ndërtojë institucione transparente të cilat do të komunikojnë me shoqërinë civile.

Sipas saj kanë filluar përgatitjet për planin e ri aksional 2016-2018 për të cilin përfaqësuesit e shoqërisë civile në këtë konferencë do të flasin me përfaqësuesit qeveritarë për përvojat dhe sfidat nga plani paraprak.

“Miratuam legjislacionin me të cilin garantohet qasja e lirë te infotrmatat, filloi zbatimi i të dhënave të hapura dhe u themeluan mekanizma në përputhje me nevojat e qytetarëve dhe kompanive. Është vendosur kornizë ligjore e cila standardizon menaxhimin elektronik me çka u përmirësuan shumë procese të cilat përmirësuan shërbimet administrative”, theksoi Arsovska – Tomovska.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoni Aivo Orav, nga ana e tij tha se ky partneritet Qeveri-OJQ do të luajë një rol drejt ruajtjes të të drejtave themelorë të Bashkimit Evropian që janë respektimi i të drejtave të njeriut, liria e shprehjes dhe sundimi i së drejtës.

“Kur qeveritë janë transparente dhe bashkëpunojnë ato janë më efikase dhe më të përgjegjshme në raport me qytetarët. Ky instrument paraqet një mjet i cili mundëson përmirësimin e shoqërisë civile dhe i mundëson të njëjtës të përfshihet në krijimin e politikave. Fokusi duhet të vihet në themelimin e një Këshilli për bashkëpunim me shoqërinë civile, për çka BE-ja inkurajon qeverinë të përshpejtojë këtë proces”, tha Orav.

Të arriturat dhe sfidat e partneritet të hapur qeveritar do të prezantohen gjatë dy ditëve në vazhdim me anë të grupeve të punës të cilat do të punojnë në temat: participim në krijimin e politikave, liria e informacionit, parandalimi i korrupsionit, menaxhimi efikas i resurseve publike dhe transparenca në nivel lokal.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button