Në Llakavicë, ndërtohet mur mbrojtës dhe zgjerohet rruga në hyrje të fshatit

Kryetari i komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta bashkë me banorët e fshatit Llakavicë përuruan punët që janë bërë për ndërtimin e murit mbrojtjes në hyrje të fshatit. 

Muri do ta pengoje shembjen e dheut nga njëra anë e rrugës. Gjithashtu dukshëm është zgjeruar hyrja e rrugës së fshatit.

“Ka qenë kërkesë e banorëve të fshatit që të ndërtohet muri mbrojtës dhe të bëhet zgjerimi i rrugës ku janë krijuar mundësitë edhe për parkimin e veturave. Muri shumë bukur është ndërtuar dhe e ka zbukuruar edhe hyrjen e fshatit. Distanca është 210 metra, kurse investimi ka kushtuar 900 mijë denar ose 15 mijë euro”, tha kryetari i komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta. 

Komuna e Gostivarit gjithashtu ka bërë edhe mbushjen e gropave në rrugën drejt Llakavicës. 

“Ne e morëm për obligim dhe paraprakisht bëmë edhe mbushjen e gropave në drejtim të rrugës për në fshatin Llakavicë, edhe pse rrugën duhet ta mirëmbajë Ndërmarrja Publike “Rrugët e Maqedonisë”, tha kryetari Bejta.

Kryetari Bejta theksoi se gjitha punët të cilat bëhen me dëshirë dhe vullnet të banorëve shkojnë mbarë dhe punët e bëra në Llakavicë, janë bërë në interes të gjithë banorëve të fshatit.

Lajme të ngjashme

Back to top button