Prapë zgjedhje me njësi të pabarabarta

Gjykuar nga aktiviteti politik i kohëve të fundit, në mars të vitit të ardhshëm Maqedoninë e presin edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare, përskaj atyre të rregullta presidenciale. Gjithnjë e më shpesh po flitet për gjëra si pastrimi i listave dhe reforma tjera zgjedhore, buxheti me komponentën e fortë sociale qartazi është paramenduar për përfitim votash, partia në pushtet po inauguron e premton ndonjë gjë të re çdo ditë, ndërsa opozita maqedonase po mban takime të përditshme me qytetarët anembanë vendit për të shpalosur programin e saj të ri. Me përjashtim të partive shqiptare, që si zakonisht janë më së paku të informuara për ndodhitë në shtet, duket se i gjithë vendi tanimë është në fushatë të hapur parazgjedhore, ndërsa rëndësia që po ju kushtohet këtyre aktiviteteve tregon më së miri se në lojë nuk janë veç zgjedhjet presidenciale.

Për fat të keq, në listën e gjërave që duhen bërë para zgjedhjeve aspak nuk po trajtohet çështja e rishikimit të njësive zgjedhore, një problem tejet i rëndësishëm dhe që konstatohet dhe korigjohet lehtë me vullnet të duhur politik. Përkatësisht, sipas kodit të tanishëm zgjedhor parashihet që numri i votuesve në asnjërën njësi zgjedhore të mos jetë për 5% më i madh ose më i vogël se mesatarja. Mirëpo njësitë me numër më të madh votuesish shqiptarë, posaçërisht njësia numër 6, vazhdojnë të rriten në vazhdimësi. Kështu, sipas listave zgjedhore të vitit 2013, njësia numër 6 ka 6,2% më tepër votues se mesatarja, numër që me siguri do të jetë edhe më i madh deri në mars të 2014. Qartazi kjo kërkon rishqyrtim dhe riorganizim të njësive zgjedhore; pikërisht gjëja për të cilën hë për hë nuk flet askush.

Historia e reformave zgjedhore në këtë drejtim nuk lë shumë për të dëshiruar. Posaçërisht i mjerë ka qenë qëndrimi i partive shqiptare, edhepse mu ata përfitojnë nga riorganizimi i njësive, pa marrë parasysh se si bëhet ai. Kështu, ligji fillimisht ka paraparë që dallimi mes njësive mos jetë më tepër se 3% nga mesatarja, shifër e cila nuk është tejkaluar nga 2002, vit kur është vendosur sistemi proporcional, deri në vitin 2006. Problemi paraqitet për herë të parë në vitin 2008, kur njësia numër 6 tanimë kishte 5,1% më tepër votues se mesatarja. Megjithatë në zgjedhjet e atij viti tema as që u hap, e as u shqyrtua, dhe në zgjedhje u shkua me këtë padrejtësi të rëndë. Zgjedhjet e vitit 2008 pra as që ishin të ligjshme dhe parlamenti i zgjedhur atë vit duhej të konsiderohet si jokushtetues dhe jolegjitim.

Çështja më tej u adresua me ndryshimet e kodit zgjedhor kah fundi i vitit 2008, por me një zgjidhje idioteske që vetëmse fshehu “problemin nën qilim”. Atëbotë, në vend se t’i rroken punës për të riorganizuar njësitë zgjedhore, partitë me konsensus vendosën që të rrisin kuotën e tolerancës nga 3% në 5%. Pra në vend se të rregullojnë padrejtësinë e deriatëhershme, politikanët tanë vendosën t’a legalizojnë dhe trashin atë padrejtësi edhe më tej!

Mirëpo as kjo manovër e ulët nuk e zgjidhi problemin në afat më të gjatë. Në vitin 2011 njësia numër 6 përsëri kishte më tepër se 5% votues mbi mesataren. Atëherë u gjet një zgjidhje e cila sanoi problemin, por vetëm përkohësisht. Megjithëse ekzistonin plot variante tjera më solide, atëherë mjaftoi që e gjithë komuna e Qendrës Zhupë dhe një pjesë e vendvotimeve të Dibrës të barteshin nga njësia 6 në njësinë 5, me çka njësia 6 ra në kuotën 4,8% mbi mesataren. Zgjidhja pra ishte një zgjidhje gjysmake, sepse qysh atëherë ka qenë e qartë se gjashtësha përsëri do të rritet dhe më vonë do të tejkalojë kuotën e lejuar. Pikërisht kjo kishte ndodhur deri në 2013, kur gjashtësha arriti 6,2% mbi mesataren, gjegjësisht ajo kishte 18 000 votues më tepër se mesatarja dhe plot 30 000 më tepër se njësia numër 4 e Maqedonisë juglindore.

Pasi të gjitha njësitë nxjerrin nga 20 deputetë, fakti që ekzistojnë dallime të mëdha në numrin e votuesve mes njësive do të thotë se një votë nuk vlen kudo njësoj. Më pak vlerë kanë njësitë me më tepër votues, e këto janë pikërisht ato ku ka më tepër votues shqiptarë. Përveç gjashtëshes, njësia 1 që përfshin Shkupin është 1,3% mbi mesataren, njësia 2 e rajonit Shkup-Kumanovë është 4% mbi mesataren, ndërsa njësitë tjera kanë më pak votues se mesatarja. Në prag të zgjedhjeve të ardhshme kjo padrejtësi dhe pabarabarësi në votë patjetër duhet të korigjohet. Edhepse jam skeptik se partitë tona politike do të merren më seriozisht me këtë çështje, ja disa opsione që mund dhe duhet të shqyrtohen:
1 – Kuota maksimale e lejuar të ulet nga 5% në 1% dhe të bëhet riorganizim i rrënjësishëm i të gjitha njësive. Kuota prej 5% është krejtësisht e rastësishme. Nuk ka asnjë arsye pse toleranca mos të jetë minimale dhe njësitë të bëhen sa më të barabarta që të jetë e mundur. Fakti që votohet në rreth 3000 vendvotime jep fleksibilitet të madh për të arritur këtë shkallë dhe një gjë e tillë nuk është aspak e rëndë nëse ekziston vullneti politik.
2 – Nëse kuota nuk do të ulet, atëherë ajo të paktën mund të ridefinohet më mirë. Tani për tani ajo përcaktohet si 5% e mesatares, e kjo do të thotë se dallimet nga njësia në njësi mund të jenë shumë më të mëdha. 6-sha për shembull ka 11%, dhe 2-shi 8% më tepër votues se 4-sha. Kuota pra të paktën mund të ridefinohet si “5% dallim mes njësisë më të madhe dhe më të vogël”.
3 – Nëse, ashtu siç pritet, politikanët tanë nuk do të mund as të ndryshojnë, as të ridefinojnë kuotën e tolerancës, atëherë ndryshimet të bëhen më rrënjësore dhe me efekte sa më afatgjate. Në vend të ndryshimeve kozmetike, siç u bënë në vitin 2011, tani për shembull nga njësia 6 në njësinë 5 mund të bartet pjesa e mbetur e Dibrës. Alternativisht mund të barten ish-komunat Zajas dhe Osllome, ashtuqë e gjithë komuna Kërçovë tani të jetë në të njëjtën njësi, pasi ish-komuna Kërçovë është te njësia 5 qysh më herët. Korigjime të ngjashme mund të bëhen edhe te njësitë 1 dhe 2, sepse për shembull komuna e Çairit tani është e ndarë përgjysmë mes këtyre dy njësive.

Në mungesë të ndryshimeve të lartëpërmendura rrënjësore, është me rëndësi që për këtë problem të paktën të hapet debati dhe të bëhet ndonjëfarë riorganizimi, qoftë ky edhe minimal. Në të kundërtën mund të vijmë përsëri në situatën e vitit 2008 dhe të shkojmë në zgjedhje me njësi jo vetëm praktikisht, por edhe ligjërisht të pabarabarta. Dëmin më të madh përsëri do t’a pësojnë votuesit e njësive të mëdha, kryesisht shqiptarë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button